Nga Redi SHEHU: Identitete të lëngshme mediatikisht

Çështjet e identitetit janë në thelb komplekse dhe të ndërlikuara. Për këtë shkak, përkufizimi për identitetin e gjen veten në shumë raste të tretur në papërcaktueshmëri apo në një kaos kuptimor, aq sa jo rallë identiteti e humb kuptimin e tij të vertetë. E gjitha kjo, në një botë si kjo e jona, ku ka një ndërthurje të pashembullt mes globales dhe lokales, në të cilën lokalja befas shndërrohet në globale dhe globalja penetron në skajet e lokales në sajë të mediatizimit të ndërgjegjeve njerëzore. Ndërgjegje, të cilat gëzojnë vetinë e të qënurit refleksive, kundërpërgjigjëse ndaj çdo ngacmimi që vjen nga jashtë, e që në formë intensive dhe të përsëritshme, përfundon të brëndësohet nga njeriu modern. Ky, tashmë është i prirur për të relativizuar dhe revizionuar të gjitha llojet e dijeve tradicionale brënda një jete sociale ku kuptimi i kohës dhe hapësirës nuk është ai i mëparshmi. Është pikërisht ky njeri modern, identiteti i të cilit luhatet mes tipareve kryesore të këtij modernizmi, mes nacionalizmit, kapitalizmit, industrializimit, individualizmit dhe sekularizmit, çka rrit papërcaktueshmërinë dhe lëvizshmërinë e identiteve moderne.

Rolet e individërve, ndryshe nga periudha tradicionale në të cilën ishin përcaktuar qartë, tashmë në modernizëm nuk kanë një cak, dhe ashtu siç Anthony Giddens shprehej, ai (individi) duhet ta gjejë këtë rol të tijin në shoqëri, për shkak të individualizmit të theksuar i cili pasqyrohet në mënyrën se si ai vishet, argëtohet, marrëdhëniet që ndërton me njerëzit, besimet dhe punët që ai bën. Këtij, i vjen në ndihmë masmedia që padyshim është mjeti dhe arma më e ndërlikuar e modernizmit, duke e çuar këtë individ drejt një distancimi akoma më të madh me të kaluarën e tij dhe traditën komunitare. Kjo, shpërfaqet në ndryshimin e koncepteve që njeriu i ri modern ndërton për veten e që në thelb është premisë për të ndërtuar vet-identitete apo identitete të fragmentarizuara.

Njeriu sot, nuk ka një narrativë të vetme, ai ka narrativa të ndryshme që e hutojnë drejt pyetjeve të tipit : Çfarë jam unë? Pikërisht, fragmentarizimi i identiteve që vjen si pasojë e atomizimit individual në shoqëri, e bën identitetin nga një nocion kompakt dhe të mbrojtur në shoqëritë tradicionale, në një nocion të pjesëzuar dhe lehtësisht të lëvizshëm. Nëse do të përdornin metaforën e Zigmund Bauman mbi “modernitetin e lëngshëm”, i cili ka sjellë transformime të thella sot në të gjitha aspektet e jetës njerëzore në sajë të përkohshmërisë dhe ikshmërisë së konsensuales, kjo lëvizshmëri e identiteve në këtë epokë, e bën modernitetin e lëngshëm të përbëhet po ashtu nga nga identitete të lëngshme.

Kuptime identitare

Nëse dikush na pyet se kush jemi, përgjigja jonë nuk do të jetë e njejta nëse pyetja bëhet në kohë të ndryshme. Përgjigjet tona do të jenë të larmishme të varura nga situatat e ndryshme kohore. Thelbi i identitetit tonë bazohet rreth një faktori kyesor që është veçantia, unikja jonë që na bën të dallohemi nga të tjerët në rrafshin personal dhe komunitar. Pra, një emër i posaçëm në një person të posaçëm, dhe unikja që na dallon neve si përkatësi e një grupi i emërtruar në formë të posaçme në një komunitet të posaçëm. Pjesa më e madhe e mendimtarëve modernë sot, bien dakort se “identiteti” është një konstruksion social i cili në vetvete është i komplikuar pavarësisht faktit që përdoret shpesh si term, përsëri është vështirë të gjehet një përkufizim konsensual ndaj tij dhe kuptimit që ky term mbart. Disa prej këtyre mendimtarëve, theksojnë se identiteti është një koncept që njerëzit kanë për veten se kush janë dhe si ata ndërtojnë lidhje me të tjerët. Disa të tjerë, mendojnë se identiteti është një formë e vetpërcaktimit që individë apo grupe njerëzish përkufizojnë veten mbi baza race, etnie, feje, gjuhe dhe kulture. Por, ka edhe nga ata që mendojnë se identiteti është dëshira me të cilin një grup njerëzish duan të dallohen nga të tjerët brënda një diskursi të caktuar historik. Ndërsa Amin Maalouf, në përpjekjet e tija të vazhdueshme rreth identiteteve, thotë se nocioni i trashëgimisë trupëzon esencën e vërtetë të identitetit. Njerëzit mendojnë se ai është diçka fikse, por identiteti i njeriut është një gjëndje konstante evolucioni. Është diferenca mes asaj se çfarë ne jemi dhe asaj se çfarë mendojmë se jemi.

Përcaktimi i cili më duket më i strukturar është i Prof. James Fearon i Departametit të Shkencave Politike të Universitetit të Stanford-it, i cili thotë se identiteti në kuptimin më të qënësishëm, është i lidhur me dy kategori kryesore të tij. Me kategorinë sociale, pra një konstrukt social identetetesh të formuara nga zgjidhje politike të karaktereve të veçanta që bën dallimin me të tjerët, dhe me kategorinë e dytë që është ajo personale e identitetit, një formë përkatësie me disa karakteristika dalluese, që pak a shumë mbesin të pandryshueshme, ku futen raca, etnia, ngjyra, kombëisa gjinia dhe gjuha.

Shfaqja në formë të dyfishtë e kuptimit të identitetit në modernizëm, me kategoritë e tij personale dhe atë sociale, formojnë edhe dinjitetin e individit modern i cili jo domosdoshmërisht ndërthur këto kategori identitare në një, por ama shpesh i sheh ato të ndërvarura me njëra-tjetërën. Pra, në kuptimin e ndërthur që ne i japim sot identitetit, ai shfaqet si kategori sociale e cila mbështillet me kategorinë personale të individit duke ngjyrosur socialen identitare të tij. Thënë ndryshe, me fjalët e Maalouf, identiteti është një, por ama i përbërë nga të gjitha elementët që kanë formësuar proporcionet unike të tij.

Tërbimi i madh i ndryshimit që sjellin masmediat sot, në të gjitha komponentet e shoqërive moderne, përmes strukturimit dhe rigrupimit të interesave, individuale apo kolektive, çon në ndryshimin e identiteteve si në kategorinë personale po ashtu edhe në atë sociale duke transformuar ndjenjat e njeriut rreth vetes, karakterit si dhe qëllimit të tij. Në ndryshim nga njerëzit, identitetet e gjërave dhe sendeve tentojnë të jenë statike, për arsye se një send, në kuptimin e tipareve dalluese të tij, është i njëjtë më gjëndjen e tij të mëparshme dhe për sa kohë ai është i tillë, identiteti i tij nuk ndryshon. Njerëzit kanë identetete statike për sa kohë e veçanta e tyre është e njëjtë me ekzistencën e tyre, thënë ndryshe, për sa kohë janë të njëjtët persona. Mirëpo, ekzistenca e njerëzve në kuptimin personal dhe sociologjik, pëson ndryshime, kështu edhe identiteti i tyre. Pra, fleksibiliteti i identiteteve njerëzore është më i madh se identiteti i gjerave dhe sendeve.

Jo pak studiues thonë se memoriet dhe narrativa janë binjakët që mbajnë në këmbë strukturën e identitetit. Pa aftësine e të kujtuarit dhe të treguarit të një historie, identiteti pushon së ekzistuari. Po atëhere çfarë po bën masmedia sot? Po sulmon pikërisht këto binjake, memorien tonë dhe aftësinë për të treguar historinë e secilit. Ajo (masmedia) po e bën këtë në dy forma, përmes manipulimit të identiteteve tona, dhe amnezisë që zhduk kapacitetin narrativ tonin duke na aftësuar të tregojmë gjithmonë historinë e të tjerëve.

Identitete të parafabrikuara “Lifestyle”

Një poster, i cili rrekej të reklamonte markën e një ore dore për burra, ishte ideuar me një djalë-çun-gocë i zhytur i tëri në një lagështitje, bulëzat e të cilit rrëshqisnin ortekshëm mbi një lëkurë që nuk i kish mbirë në asnjë vend dhe asnjëherë ndonjë qime burri, me ca buzë provokuese tip botoksi që bënin përpara drejt xhamit të posterit. Në fakt, kjo “rracë” posterash e cila luhatet mes kahjeve të kundërta të ekzistencës, ku vajza të reja me shikime e veshje mashkullore, të japin një dajak emocional publik karshi ca “gocave” me mjekërr në posterin tjetër, ulur rastësisht mbi ca ndenjëse aspak komode e përdredhëse, janë bërë sot fytyra publike dhe po ashtu një arsye pothuaj autonome, e më pas hegjemoniste, e asaj që quhet funksioni predikues i publicitetit në hapësirën publike. Çuna posterash me bluza të hapura deri në kërthizë e pantallona që u përvijohen si me vakum muskujve e vitheve, me vathë të një peshe të caktuar gravitacionale, apo çifte modelesh pozuese, për të cilët e ke jashtëzakonisht të vështirë të ndash se kush dhe kujt i përket secili, emetojnë në formë insistuese modele pas modelesh të shprishjes së vijës ndarëse mes identiteteve, si thelbi i ekzistencës së sojit njerëzor. Nëse kërkon të gjesh një orë dore, këpucë, kostum, parfum apo çfarëdo aksesori mashkullor, këtë e gjen në një formë të stilizuar përmes ca meshkujsh-femra që shndrisin nga lëkura e depiluar kërmillshëm me një pozicion pak skiç vithesh dhe me shprehje epshore fytyre, gati për të marrë mësysh gjithë kalimtarët hallemëdhenj.

Çuditërisht, publiciteti na krijon idenë e vetrealizimit përmes produktit i cili ndodhet aty dhe që është i gatshëm të fuqizojë identitetin tonë i cili tashmë nuk ka një referencë, por varet nga produkti që shfaq individualitetin e secilit prej nesh.  Ky stil jetese i propaganduar nga masmedia dhe rrjetet sociale përfaqëson edhe arratisjen e njeriut nga çdo gjë që e lidh atë me narrativën e dikurshme të vendit, lokalitetit, fshatit, lagjes, komunitetit, duke e zhvirgjëruar atë nga unikja e tij nga e posaçmja si kriteri themelor dhe sinjali më i pastër i identitetit të tij drejt një identiteti të parafabrikuar mediatik.

Aq sa vetë publiciteti ushqen diversitetin e llojeve të produkteve, aq ai çon drejt një modeli ekskluzivist të shijes dhe estetikës duke u imponuar fort mbi të përbashkëtën dhe duke shfaqur vetëm një fytyrë publike të këtij stili jetese. Pra, një identitet universal lifestyle që përditë rrëmon në nënshtresat identitare të secilit duke fshirë të vjetrën dhe duke instaluar modelimin e ri, i cili kthehet pothuaj në një detyrë për t’u ndjekur nga të gjithë, në një formë identifikimi kolektiv, sepse ne tashmë nuk jemi më vetvetja, por ekspozohemi ashtu siç të tjerët duan që ne të jemi. Identiteti ynë estetik nuk përbëhet nga një larmi individualitetesh që dikur gëlonin nga të katër cepat e globit, por tashme ne kemi identitetin tonë universal lifestyle. Ne ndjehemi të realizuar se identiteti ynë i ri i konstruktuar, është posteri, publicitetit, reklama në citylight-et e bulevardit. Detyra jonë duket e realizuar sepse tashmë kemi vetëm një narrativë të vetme për veten dhe jo ato mijëra grimca unike që përbënin të veçantën tonë.

Masmedia, një rinegocim identitetesh

Sot, në marrëdhënien që kemi ndërtuar me veten dhe të tjerët, duke zgjedhur masmedian si mjet ndërlidhës, kemi krijuar kuptime të ndryshme mbi nocionet bazë të jetës, mbi të bukurën, dhe mbi etikën. Por, ajo që është e veçantë në gjithë këtë histori, është fakti se ne, për shkak të këtyre mijëra formave të komunikimit, kemi ndërtuar atë botën tonë jofizike e cila tenton të kopjojë atë realen. Pra, me mediat sociale, apo me ambientet virtuale në përgjithësi, vërehet një ikje e individëve nga roli i tyre, një soj emigrimi drejt një individi gjithmonë e më dixhital, me një identitet që fsheh të metat dhe ekzalton të përkryerën, një konstruksion evolutiv që gërryen identitetin e vjetër në favor të identitetit të ri.

Mirëpo, prof. Ugur Gunduz nga Fakultetit i Shkencave të Komunikimit i Universitetit të Stambollit, thotë se në kohën e komunikimit modern, individët ndjejnë nevojën e krijmit të një identiteti vitual për veten. Por, vazhdon ai, mediat sociale nga njëra anë ua lejojnë njerëzve të shprehen, nga ana tjetër ua grabisin atyre besueshmërinë dhe seriozitetin duke i kthyer ata në fund të ditës në objekte, duke objektifikuar qënien dhe qëllimet e tyre. Ajo që thotë prof. Gunduz është e vërtetë, pasi ky transformim nga njerëzorja drejt objektit, është në të njëjtën kohë edhe transformim i identitetit të tyre, nga një paketë vlerash, bindjesh dhe përkatësish të formuara në jetën reale, në një identitet njëdimensional në funksion të mjedisit virtual, sepse kështu ua bëjnë të mundur komunitetit virtual të ndërtojë profile personale, duke e kthyer  identitetin e personave në burimin ekskluziv të zbavitjes përmes informimit.

Prezantimi i identiteteve në platformat e ndryshme të komunikimit, nuk është një lloj afishimi apo emulacioni që ndodh një herë të vetme. Ai është një proçes i vazhdueshëm, i përditshëm brënda një interaktiviteti mërrëdhënieje, një soj administrimi i bashkësive individuale tashmë jo në një hapësirë natyrale por në një hapësirë dixhitale. Duke qenë një proçes, ai atëhere, në mënyrë të ngadaltë dhe këmbëngulëse, ndikon mbi identitetin apo identitetet e bashkësive virtuale të njerëzve on line.  Lidhur me këtë, Foucault thotë se dikur qëndra e pushtetit të një shoqërie ndaj individëve të saj, ishte përqëndruar tek religjioni dhe qeveria. Ndërsa sot, rrjetet dhe lidhjet moderne sociale, zëvendësuan fuqinë e strukturave tradicionale mbi jetën, lidhjet dhe sjelljen e individëve. Parë në këtë pikëvështrim, ku qëndra e pushtetitit tashmë është masmedia, rrjeti dhe komuniteti online, atëherë ky mekanizëm i jashtëzakonshëm gjithpërfshirjeje ka rrokur të gjithë drejtimet e përditshëmrisë tonë individuale apo kolektive. Kjo masmedia na bëri të kemi një kuptim të ndryshëm për veten, ta interpretojmë apo përjetojmë atë dhe lidhjet tona si kurrë më parë, po ashtu edhe  mjedisin në të cilin jetojmë. Pra, ky kuptim i ndryshëm i ardhur si pasojë e një proçesi të ngadalshëm gjatë këtyre dekadave, ka ndryshuar të posaçmen tonë si thelbi i identetit të cilin mbartim.

Pothuajse të gjithë, në jetën tonë të përditshme, japim disa fytyra të ndryshme identiteteve tona në marrëdhëniet që ndërtojmë me njerëzit dhe konteksteve në të cilat ndodhemi. Ndryshe ne shfaqemi në familjet tona, ndryshe në punët tona, ndryshe në argëtimet apo në intimitetet tona dhe krejt ndryshe në prezencën e një audience të madhe. Këto fytyra të ndryshme të vetes, si kurrë më parë, janë theksuar dhe fuqizuar tej mase në kohën kur identiteti i një personi u afishua në mediat sociale si pjesë e komunitetit on-line. Tashmë, këto shfaqje të ndryshme të vetes, u grumbulluan në një platformë, dhe për shkak se do të duhej të përshtateshin njëkohësisht në fasha të ndryshme sociale brënda të njëjtës botë virtuale, atëhere çuan në proçesin  adaptueshmërisë, i cili e bëri identitetin, një masë fluide që shëtiste mes formash të ndryshme ndërmjetësimi dhe rinegociimi me situata dhe persona on-line.

Me pak fjalë, një identitet i lëngshëm që adaptohet dhe lëviz në kontekste situatash dhe personash të ndryshëm, duke e bërë konceptin e identitetit edhe më abstrakt edhe akoma më të papërcaktueshëm. Është pikërisht ky rasti, kur për shkak të ndikimeve mbi kategorinë sociale të identitetit, që prof. Fearon përmendte, fillon dhe ndryshon edhe kategoria tjetër personale e po këtij identiteti.  E kush më mirë se sa masmedia dhe rrejtet sociale mund të luajnë rolin e një negociatori identitetesh? Pikërisht prej faktit se njerëzit të shtyrë nga presioni social mediatik, fshehin informacione mbi veten në botën virtuale dhe afishojnë shpesh informacione të tjera për të.  Në botën reale është shumë e vështirë të bindësh dikë se ju jeni një specie e një gjinie, race apo kombësie të ndryshme nga çfarë jeni në realitet, ndërsa në botën virtuale kjo është një gjë fare e lehtë. Këtu fillon edhe proçesi i ndryshimit të bindjeve dhe përkatësive individuale duke ndikuar së pari në pjesët e lëvizshme të identiteteteve, e pastaj duke ndikuar edhe strukturën statike të tij.

Për këtë shkak, shohim se identitetet dhe vetpërcaktueshëria e individëve, janë më të prirura të ndryshojnë në ambientet online se sa në jetën e përditshme, për shkak se fluiditetit, dhe përshtatshëritë duken më të lehta në botën virtuale se sa në atë reale. Është epike shprehja e Marshall McLuhan, një prej baballarëve të komunikimit në botë, i cili thotë se:”Ne u japim formë mjeteve tona, e më vonë mjetet që krijuam na japin formë neve.”

Historikisht ndryshimet që erdhën për shkakt të industrializimit apo zbulimeve të reja, kanë çuar pashmangshmërisht në një rithemelim të kuptimit mbi botën, sepse ndryshuan mënyrat e komunikimit të njerëzve brënda vetes dhe me të tjerët. Themelimi i shtypshkronjës së parë në Evropë, Gutenberg, e cila për kohën mund të quhej teknologji inovacioni, i parapriu revolucioneve në këtë kontinet duke ndryshuar identitetet e individëve dhe komuniteteve të tëra nacionale. Më së miri këtë koncept ndryshimi, e shpreh Walter Benjamin në kryeveprën e tij “Illuminations: Esse and Reflections” ku thotë:” Të fotografosh nuk do të thotë thjesht të komunikosh një moment apo çast, por do të thotë thelbësisht të transformosh kuptimin e atij momenti.” Pikërisht pra, teknologjitë e reja kanë ndryshuar thelbin e kuptimit të epokave në të cilën ata u krijuan, duke ndryshuar edhe thelbin e identiteteve të njerëzve si refleksion i tyre.

Do vijë një kohë në të cilën, për shkak të rrëshqitjes totale të reales në virtuale, do jenë mediumet që do të përcaktojnë identitetet tona.Natyra jonë identitare do të varet nga natyra e mediumit që tashmë nuk do të jetë ai përcjellësi tradicional i informacionit, por formësuesi thelbësor i vetëdijes individuale. Në këtë pikë, formimi, kurimi si dhe ruajtja e identiteteve tona do të varej nga diktati që mediumi do të ushtrojë mbi ne. Atëhere, shpëtimi i dentiteteve tona nga degradimi, do të thoshte shpëtim i mediumit nga kotësia dhe manipulimi progresiv.E megjithatë, në fund duhet të pranojmë se, pavarësisht tërbimit të masmediave dhe zhvillimit teknologjik, pavarësisht influencës së jashtëzakonshme që ta ushtrojnë në mesin tone, ne, si qënie njerëzore, jemi të pajisur me një sens të veçantë identitar, i cili ndryshe nga shtresëzimet e tjera identitare brënda vetes, ka cilësi përtej fizikes, cilësi që  gjendet mbi çdo situatë apo revolucion teknologjik.

Marrë nga revista Medius  – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts