Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Ornela MEMUSHI: Tregu i punës në Shqipëri

Tregu i punës është një tërësi marrëdhëniesh që lindin midis punëdhënësve publikë apo privatë dhe punëmarrësve e që rregullohen sipas legjislacionit në fuqi. Në Shqipëri, tregu i punës ka pasur probleme të shumta, por me masat e marra nga qeveria ai deri diku është formalizuar, çka do të thotë se numri i të punësuarve është rritur. Nga të dhënat e INSTAT-it, sipas Anketës së Forcave të Punës, në tremujorin e dytë të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 65.8%. Për femrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 58.1%, ndërsa për meshkujt është 73.5%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat është rritur me 3.5 pikë, ndërsa për meshkujt ky tregues mbetet në të njëjtin nivel.

Ndërkohë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 45.0%, ndërsa shkalla e punësimit të të rinjve është 31.6%. Për sa i përket punësimit të të rinjve gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 46.2%, ndërsa shkalla e punësimit të të rinjve është 32.1%. Nëse bëjmë një krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016, vihet re një ulje e këtyre treguesve, përkatësisht me 1.2 pikë përqindje shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, e me 0.5 pikë përqindje punësimi i të rinjve. Në grafikun më poshtë jepet shkalla e punësimit që nga viti 2014, që tregon se numri i të punësuarve ka ardhur duke u rritur.

 Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç, Tr. 2/14 – Tr. 2/16

        Gjithsej   Meshkuj Femra      
70,0                    
60,0           61,4        
  58,7 59,7 59,2 59,4 60,5 60,7 60,4 61,1  
             
50,0           53,3 53,7 54,8 55,3  
        52,7    
  52,3 52,1 52,1      
  50,5          
              49,0 49,6  
                 
                   
    45,4 45,4 45,1 45,2 45,0 46,5      
40,0          
42,7                  
                   
30,0                    
  II.14 III.14 IV.14 I.15 II.15 III.15 IV.15 I.16 II.16  

 

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016, 38.9% e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë, dhe 24.9% e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i automobilave, hotelet dhe restorantet, transportet, magazinimi dhe komunikacioni, ndërmjetësimi monetar dhe financiar, pasuritë e patundshme).

Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë nga tremujori i parë 2016 në tremujorin e dytë 2016 është 2.9% në sektorin e shërbimeve, 2% në sektorin e industrisë dhe 0.9% në sektorin e bujqësisë.

Po niveli i papunësisë si varion?

Gjatë tremujorit të dytë 2016, shkalla e papunësisë, sipas definicionit të ONP-së, për popullsinë 15-74 vjeç është 15.5%. Krahasuar me tremujorin pararendës, ku shkalla e papunësisë ishte 16.6%, kjo shkallë papunësie ka pësuar një rënie prej 1.1 pikë përqindje. Për popullsinë e moshës 15-64 vjeç, shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë 2016 është 15.9%. Për meshkujt e kësaj grupmoshe, shkalla e papunësisë është 17.0%, dhe për femrat është 14.6%. Krahasuar me tremujorin pararendës, në tremujorin e dytë 2016, shkalla e papunësisë për femrat e moshës 15-64 vjeç ka rënë me 1.3 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt ka rënë me 0.8 pikë përqindje. Gjithashtu, gjatë tremujorit të dytë 2016 është llogaritur edhe popullsia e moshës 15-64 vjeç ekonomikisht joaktive, që përbën 34.2% të popullsisë së kësaj grupmoshe.

Sipas të dhënave të anketës, vlerësohet se 19% e popullsisë ekonomikisht joaktive e moshës 15-64 vjeç është duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11.7% e saj është në pension ose në pension të parakohshëm, ndërsa 9.9% në paaftësi të përhershme.

Nga të dhënat e publikuara të INSTAT-it, duket qartë se viti 2016 ka nisur mbarë në nivelin e punësimit të popullsisë, edhe pse ritmi i rritjes së punësimit është me përqindje jo shumë të lartë. Por duhet të merret parasysh se jo të gjithë personat të cilët janë pronarë të një toke janë të vetëpunësuar në bujqësi, dhe jo të gjithë personat e papunë janë të regjistruar, pra, rrjedhimisht, niveli i papunësisë është më i lartë se shifrat e publikuara. Ne jemi përditë dëshmitarë të ngjarjeve në rrugë, të dhjetëra njerëzve që lypin një copë bukë, të atyre që mbledhin lëndë plastike në kazanët e mbeturinave, të listave me borxhe në dyqanet e ushqimeve, të mbylljeve çdo ditë të dhjetëra bizneseve për shkak të taksave të larta, ku shumë persona humbasin punën, të emigracionit të vazhdueshëm të forcës së punës në moshë të re, e deri të depresionit të thellë ku shumica e popullsisë ka rënë për shkak të situatës ekonomike. Në Shqipëri, hendeku midis njerëzve shumë të pasur dhe shumë të varfër thellohet nga dita në ditë, dhe cilësia e jetës së shqiptarëve pasqyrohet në fytyrat e vuajtura të tyre. Në mënyrë që varfëria të lehtësohet, duhet të kemi një program të hartuar për t’i ndihmuar të varfërit, pra, për t’i ndihmuar njerëzit e varfër si njerëz, dhe jo si pjesë të grupimeve të caktuara politike, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve në të kaluarën.

Papunësia shoqërohet edhe me kosto suplementare financiare, që qeveria i përdor për dhënie ndihme ekonomike të papunëve. Zvogëlimi i të ardhurave personale si rezultat i humbjes së vendit të punës përbën një nga kostot e dukshme të papunësisë. Krahas kostove ekonomike, papunësia shoqërohet edhe me kostot e saj sociale, si me zhvlerësimin e kapitalit njerëzor (humbje të shkallës së arsimimit dhe aftësimit), me uljen e dinjitetit personal dhe vetëvlerësimit, si edhe me rritjen e mundshme të kriminalitetit. Humbjet ekonomike të shkaktuara nga papunësia vlerësohen më të mëdha se humbjet e shkaktuara nga eficenca e dobët e njësive ekonomike. Prandaj është i nevojshëm hartimi i një plani afatgjatë për rritjen e punësimit, i cili të ndikojë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Sektori i bujqësisë ka tërhequr një numër të konsiderueshëm punonjësish, ndër të cilët edhe shumë të rinj që investojnë në agrobiznes, si një sektor fitimprurës. Prandaj, subvencionet për sektorin e bujqësisë duhet të shtohen, si dhe është i nevojshëm regjistrimi çdo vit i të gjithë fermerëve të cilët ushtrojnë aktivitet bujqësor/blegtoral, në mënyrë që produkti i tyre të identifikohet dhe konsumatori të jetë i sigurt për produktin që konsumon. Lehtësimi i kostove për bizneset e reja nga ana e qeverisë, në mënyrë që të rritet numri i të punësuarve, si dhe ulja e taksave dhe qëndrueshmëria në kuadrin ligjor, do të ndikojnë pozitivisht në funksionimin e biznesve, sidomos për NVM-të, çka do të thotë më shumë të punësuar, të cilët kanë më shumë të ardhura, duke zvogëluar kështu varfërinë. Punonjësit e sektorit publik zënë një peshë të konsiderueshme në strukturën e punësimit, dhe duke qenë se kanë të ardhura fikse, në përgjithësi janë të prirur të konsumojnë më shumë se të punësuarit në sektorin privat, prandaj është e rekomandueshme një rritje e nivelit të përgjithshëm të pagave për këtë kategori punësimi. Rritja e konsumit sjell rritje të prodhimit, dhe kjo e fundit kërkon më shumë punëtorë, e si rrjedhim do të kemi më shumë të ardhura që qarkullojnë dhe më shumë familje mirëqenia e të cilave është në rritje.

Suksesi i një qeverie duket në cilësinë e jetesës së popullit të vet, në shërbimet publike që ofron, në punësimin dhe “ekonominë” e tyre, sepse ekonomia është shumë e rëndësishme për lumturinë, dhe kjo është ajo që ju mungon shumicës së shqiptarëve! /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com