728 x 90 Leaderboard

Nga Ermir HOXHA: Mbi lidhjen Parti – Popull, sot e në çdo kohë

I përshkruar nga filli idelogjik, dukej se dikotomia Parti – Popull e kohës së komunizmit ngjante dhe si një qasje dogmatike naive, por në fakt kishte dhe ka një të vërtetë të madhe brenda saj. Lidhja Parti – Popull ekziston, në çdo kohë, ku njëra është shprehje e tjetrës, me një ndërthurje sociolgjike të ngjizur në rrafshin kulturor, e cila e rrëzon poshtë pretendimin se ato ndahen me thikë, me popullin nga njëra anë që është – si në artin e Realizmit Socialist – i “miri”, e në anën tjetër qëndron përballë ajo, partia, e “keqja”.

E tillë paraqitet tabloja shqiptare, sot e përherë, në aktualitet e në të shkuar, ku nga populli buron një urrejtje për kastën e njerëzve që e kanë drejtuar, a thua se ajo nuk ka buruar, në qindra mënyra e rrugë, mu prej tij, e është po ashtu pasqyrim i tij. Mjafton të thuhet se të kasta e urryer politike, ka po ashtu njerëz të gjallë, prej mishi e gjaku, që janë “bij populli” në të gjithë kuptimin e plotë të fjalës, produkt i natyrshëm sociologjik. Ata, kasta politike, nuk janë abstraktë, apo meteorikë të rënë një çast nga qielli, ndodhur mes të tjera qenieve me të cilët nuk i lidh asgjë. Ky është një gjykim i shtrembër i njerëzve, masës së popullit, me prirjen për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi për atë që ndodh. Eshtë e shprehur kjo te sindromi që në Shqipëri të gjithë qahen se përse ky vend nuk bëhet, e në të njëjtën kohë çdokush, e shumë më tepër ata që qahen, bëjnë çmos që vendi realisht të mos bëhet.

Pasqyrë e kësaj është dhe sjellja politike e atyre që janë në kushte opozite. Në ligjërimin ekstrem teksa akuzojnë pushtetin, të ngjajnë si qëniet më të pafajshme, e ndërkohë kanë ushtruar pushtet me vite, duke qenë ndër investuesit më të fuqishëm të së keqes së shtresëzuar. Megjithatë, paskrupullsisht, ata e përjashtojnë veten nga kjo. Edhe në nivel më të gjerë shoqëror, nuk ka kurrë mundësi që një klasë e korruptuar politikanësh e drejtuesish, të vijnë nga një terren i qelibartë social.

Në Shqipëri, duhet pranuar se çdo instancë shoqërore, çdo segment social, është investuar në forma të ndryshme në të keqen e përgjithshme.

Mjafton të thuhet se nuk ka mundësi që të jetë vetëm politika ajo e cila të ushqejë fenomenin unik ku gjysma e popullsisë i ka vjedhur pronën gjysmës tjetër. Nëse do ekziston një moralitet shoqëor, i pandikueshëm nga politika, kjo kurrë nuk kishte për të ndodhur. Kur dy palë shkojnë në gjyq për çështje prone, patjetër që njëra prej tyre është e ndërgjegjshme në vetvete që prona nuk është e saj. Ndaj dhe ka raste kur individë me moral nuk kanë pranuar të marrin tokën e dhënë nga shteti me ligjin 7501, thjesht për faktin se nuk e konsiderojnë të tyren.

Në Shqipëri, njerëzve u duhet të ndërgjegjësohen se ata për të cilët shprehen me mllef çdo ditë, janë në fakt vetja e tyre pasyruar te tjetri, pushtetari në këtë rast.

Eshtë thjesht një ligj sociologjik që nuk ndryshohet, e që gjejnë shprehje te thënia kuranore se “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, pa ndryshuar ata veten”. /tesheshi.com/           

 

 

 

Related posts