728 x 90 Leaderboard

Nga Enkel DEMI: Kur lindi fraksioni

Doktor Berisha, e, ma merr mendja, bashkë me të dhe shumica dërrmuese e demokratëve, e pranon humbjen e zgjedhjeve vendore të qershorit. I vetmi që nuk e ka pranuar ende këtë humbje është kryetari i partisë, Lulëzim Basha, por atij duhet t’i njihen merita të tjera, me vlerë shumë më të madhe në jetën e brendshme të kësaj force politike, siç është liberalizimi i fraksioneve.

Në këtë moment të zhvillimit të jetës politike, për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar është lejuar ngjizja e plot tre fraksioneve brenda së njëjtës forcë politike, të kërkuar më parë, por kurrë të zhvilluar e të pranuar.

Fraksioni i parë, i cili gjendet me doza më të larta idealizmi, është ai që kërkon me ngulm aleancë me socialistët, ish-komunistët, e Edi Ramës. Ky fraksion e ka të zhvilluar idealin, sepse e kupton që duhet të kalojë ylberin për të bërë realitet një ëndërr deri dje tabu: aleancën e dy forcave më të mëdha politike në vend. Ky fraksion duhet të ngjizë një pajtim të madh mes shumë vështirësish praktike, por të udhëhequr vetëm nga parimi i lartë i paqes sociale në vend dhe rikthimi me çdo kusht, qoftë edhe me arrnë, i PD-së në pushtet. Në pikëpamjen ideologjike, ky fraksion duhet të kalojë vështirësitë që krijon teoria konspirative e “Katovicës”, apo dasia e dhjetorit ‘90, por që shkollat verore të opozitës po i zhvlerësojnë me mjaft sukses pas çdo konference shtypi apo analize të demokratit Kastriot Islami, ose të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që kanë bërë mea culpa.

Fraksioni i dytë, i cili gjendet me doza më të larta pragmatizmi, mëkon aleancën tradicionale me LSI-në e Ilir Metës. Ideologët e kësaj rruge janë nostalgjikë më të rinj, dhe u ngjajnë më së shumti radiove me muzikë gold. Ata revokojnë katërvjeçarin e bashkëqeverisjes me Ilir Metën, ku pushteti ndahej me 20 për qind. Baza e partisë do ta ketë më të lehtë ta pranojë aleancën në këtë rast, sepse ditët e lumtura të dikurshme, të rrënuara nga 1 prilli 2013, mund të rikthehen pa shumë mund. Një bashkim mekanik numrash rrëzon qeverinë. Puna mbetet tek ndarja e përqindjes, pasi ka gjasa që 20 përqindshi t’u takojë demokratëve; ama rëndësi ka që të bjerë klika Rama-Meta, sepse vetë Meta është bindur ta rrëzojë këtë monstër. Në ndihmë të këtij fraksioni vjen vetë kryetari i partisë, i cili nuk e përmend më me ashpërsi dyshen Rama-Meta, dyshe që me shpresë të Zotit mjaft shpejt do shndërrohet në teke!

Fraksioni i tretë është ai revolucionar, i cili shihet më action. Ky fraksion kërkon përmbysjen demokratike, me revolucion, të pushtetit. Ai karakterizohet nga optimizmi që fal qeverisja e keqe, varfërimi masiv i shqiptarëve, kriminalizimi i pushtetit, ndaj po harton platformën e revolucionit, i cili gjithmonë ka qenë karakteristikë e së djathtës perëndimore. Kudo në historinë politike njihen revolucionet e organizuara nga konservatorët, neokonservatorët, nga e djathta dhe qendra e djathtë. Po kështu, duke i parë një nga një të gjitha figurat që e drejtojnë sot Partinë Demokratike, bindesh që revolucioni ka se ku gjen shkëndijën dhe heroizmin që i duhet një ngjarjeje kaq historike.

Mbi të gjitha këto qëndron kryetari, Lulëzim Basha, i cili i ka dhënë frymëmarrjen dhe oksigjenin e duhur partisë, pas një procesi model të brendshëm zgjedhor, organizuar me zotësi nga zoti Xhuti, që nuk anëtarësoi asnjë rishtar pas ngrirjes së anëtarësisë, e nuk preku asnjë dyshkë nga kuotat. Tash, zoti Basha u jep lirinë e fraksioneve, duke i krijuar vetes përmasën e duhur të një udhëheqësi modern, idealist, pragmatist dhe revolucionar! /tesheshi.com/

Related posts