Nga Edmond ARIZAJ: Brutaliteti i pushtetit që hedh në tokë një dorë lakra

Shqipëria dhe shqiptarët kanë jo pak sjellje për t’u turpëruar. Jo vetëm ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndaj asaj bote në dyert e së cilës po trokasim, madje ndonjëherë edhe shqelmojmë, njësoj si ai lypsi kur nuk i jep gjë e të gjuan me gurë.

Por sipas mendjes sime, guri i kurorës është sjellja krejt e pavend, harbute jo pak herë, e ashpër herë-herë, deri në e dhunshme në disa raste, e policisë bashkiake me njerëz të ndryshëm që shesin prodhimet e tyre buzë trotuareve, apo në vende me lëvizje.

I kam parë edhe vetë këto sjellje, ndaj nuk po nisem nga fotot dhe lajmet e rrjeteve e portaleve, që pavarësisht tendencave, u besoj. Policët bashkiakë sillen keq, dhe po flas me delikatesë. Është fyese për një njeri me intelekt, madje poshtëruese, të shohë fuqinë e shtetit, të ushtrojë presion e dhunë mbi të dobëtin, mbi të pambrojturin, mbi të uriturin dhe të mos jetë në gjendje ta ndihmojë. Pse ndodh e gjitha kjo? Në emër të kujt? Të pastërtisë vizuale? A mos vallë me zhdukjen e atyre njerëzve nga qarkullimi, zhduket problemi? Sepse një grua plakë, një invalid, apo dy fëmijë, që shesin prodhimet e bahçesë, apo tokës, për aq pak lekë sa shumë prej nesh i lënë bakshish, nuk kanë mundësi ndoshta të shkojnë në treg. E tek e fundit nuk janë ata që e shëmtojnë Tiranën. O jo, jo. Madje ata e zbukurojnë. Ata punojnë. Rrinë urtë. Fitojnë pak lekë dhe shkojnë blejnë po pak gjëra. Mos vallë do të preferonim që të bëheshin kontigjent për policinë e rendit? Mua më duket krejt e pavend, absurde dhe një tregues muskujsh e ligji krejt absurd. Çfarë po fshehim?

Ne jemi një vend rural dhe do sillemi ashtu. Po përpiqemi të qytetërohemi, por s’mund të ndodhë brenda 44 muajsh, apo jo. Ashtu si nuk mund të bëheshin brenda 44 muajsh plot e plot premtime, po ashtu nuk mund të bëhet Tirana-Romë, Berlin a Paris brenda pak muajsh e tiransit-berlinezë, romanë e parizienë. Është një proçes aq i ngadaltë, sa duket sikur nuk lëviz, dhe e sigurtë është se nuk vjen me forcë, as me urdhër të peshkut. Aq më pak vjen në një popull me pak kulturë, me pak arsim dhe me pak dashuri për tjetrin e për pronën publike. Por dhuna nuk hyn fare.

Ato skenat, kur policët rrethojnë ndonjë nga këta që shesin qepë e manaferra dhe sillen si SS, me gjuhën plot sarkazëm e pushtet që ia jep rroba e shtetit, janë gati të njëjtat e përshkruara për xhandarët e Zogut. Nuk më pëlqen aspak të merrem me uniformat që përfaqësojnë shtetin, por kur dëgjoj “futi brenda dhe mos u duk më këtu!”, “apo zhduku shpejt!” etj., shoqëruar edhe me prekje me dorë, ata nuk janë më përfaqësues të shtetit, madje dhe të atyre fakirëve që shesin në rrugë, por një bandë që paguhen edhe nga unë edhe nga ti.

E di që kanë urdhër, por nuk e kanë urdhërin, besoj, të sillen harbutërisht. Nëse po, është detyra e tyre qytetare, përtej “bukës së kalamajve” ta denoncojnë publikisht. Kjo s’ka të bëjë me preferenca partiake, as me një rrogë, është pikërisht ajo që ndan xhunglën nga qytetërimi. Është e lehtë, të tregosh forcë, madje edhe ta ushtrosh forcën me të dobëtin, por ky nuk është shteti që duam, të paktën jo ai që dua unë. Shteti dhe muskujt e tij, mund të jenë edhe tolerantë, mund të tregojnë edhe dashamirësinë ndonjëherë. Shembujt nuk vlejnë veç kur i bën mbi kurrizin e të pafuqishmit, të pambrojturit e nevojtarit. Kjo është një marrëzi që po bëhet ngjitëse dhe në shumë bashki të tjera, servile dhe kopjace sigurisht.

Jam i sigurtë, se ata që i tregojnë takën e këpucës të dobëtit, janë sholla e këpucës së “të fortit”. Dhe këtu pastaj nuk flitet më për shtet. Këto pamje, gati makabre, të barabarta me plagosje, duhet të marrin fund. Jo nëpërmjet dhunës në emër të ligjit, por në emër të së drejtës për të jetuar. Ka dhjetra detyra që policia bashkiake duhet të kryejë para se të bëhet “mall videosh” për portalet dhe rrjetet sociale duke shkelmuar lakrat dhe kumbullat e fshatarëve. Dikush duhet t’i sqarojë: Ata janë për të ulur streset e qytetarëve, për t’ua bërë ditën të qetë e të rrjedhshme. Le ta nisin nga makinat që bllokojne hyrjet e pallatave, stresi i parë sapo nis dita për qytetarët…/tesheshi.com/