728 x 90 Leaderboard

Nga Bled KOMINI: Mbi racizmin skandaloz për “gjelat e zinj”

Sistemi ndërkombëtar në të cilin po jetojmë, ka ngritur disa vlera universale të cilat për fat të mirë respektohen prej pjesës më të madhe të kombeve dhe shteteve në glob. Janë këto vlera që nga ana tjetër i kanë dhënë tiparet dalluese këtij sistemi politik, ekonomik, kuturor, edukativ, sportiv etj.

Afërmendsh që të gjitha përputhjet apo vlerat e pranuara nuk kanë ardhur brenda një dite, por si rezultat i një procesi shumë të gjatë, i cili diku është pranuar gjerësisht dhe pa asnjë kundërshtim, e diku ka hasur përplasje e kundërshtime të ndryshme. Normalisht nuk do doja që të zgjatesha në theksimin e vlerave të sistemit global, të induktuara ndjeshëm në të, prej atij që njihet si Qytetërim Perëndimor, pasi do duhej kohë dhe shumë faqe për të analizuar atë sesi ka evoluar apo si i është imponuar vendeve të ndryshme ky qytetërim.

Në antitezë me këtë gjë, unë do doja të ndalesha tek një fenomen aspak pozitiv, por që me nuancat e tij negative ka dëmtuar e po vijon të dëmtojë shoqërinë njerëzore anekënd botës. Ky fenomen nuk njeh prejardhje, civilizim, qytetërim, fe, dogmë apo kredo. Ai ka ekzistuar në të gjitha qytetërimet, në një formë apo një tjetër, ka hedhur rrënjë në të gjitha shoqëritë, kontinentet dhe e ka shoqëruar njerëzimin në çdo moment të shoqërisë njerëzore.

Ky fenomen është racizmi i lëkurës, i ngjyrës, i prejardhjes!

Ngjarja që më shtyu të shkruaj për këtë temë, ajo që realisht më grishi mendimet, mori hov teksa lexoja komentet e shumta e me ngjyrë të zezë, raciste e ksenofobe, mbi lojtarët e kombëtares fraceze të futbollit, pas ndeshjes në finale e Kupës së Botës, “Rusi 2018”. Një lum komentesh negative, ofenduese, raciste u hodhën mbi lojtarët e kombëtares francese, për ngjyrën e tyre, për faktin se ata nuk ishin “gjela të bardhë” dhe se Franca fitoi pikërisht prej meritës së tyre dhe jo prej lojtarëve të bardhë.

Që Franca ka qenë një shtet kolonizator kjo tashmë është e ditur, dhe nga këtu nis një rrugëtim i gjatë debatesh, pështjellimesh si dhe përplasjesh për rolin e etnive të tjera në ngritjen apo shërbimin ndaj Republikës franceze. Por vende kolonizatore kanë qenë edhe Britania, Belgjika, Hollanda, Spanja, Portugalia, Italia, Gjermania etj. E megjithatë për këto vende nuk u tha asnjë fjalë! Edhe në kombëtaret e këtyre shteteve kishte të nacionalizuar qoftë me ngjyrë apo prej kombësive të tjera. Sërish asnjë fjalë!

Por, sado që ne mundohemi të institucionalizojmë një debat mbi “etninë e kulluar”, pamundësia për t’i dhënë atij kahun “e duhur”, ose atë sipas nesh, është minimale. Sot proceset globalizuese si dhe ekonomia e tregut e kanë deformuar aq shumë konceptin e “etnisë së kulluar” saqë kur lufta e Bosnjes përfundoi me marrëveshjen e Dejtonit në ‘95, Perëndimi kuptoi sesa i vlefshëm ishte integrimi, pranimi i vlerave universale si dhe njohja e tjetrit.

Etnitë e kulluara kanë treguar se janë gjakatare, vrastare, e shkaktojnë gjenocide.

E duke ricikluar një debat të vjetër, të sjellë më shumë prej politikës së ditës sesa të ngritur mbi kulturën e mainstream-it aktual, është e domosdoshme të theksohet se kohët e fundit politika evropiane ka kaluar nga politikat publike me sfond ndihmën e shtresave të ndryshme sociale dhe kulturore, drejt atyre agresive të së djathtës ekstreme, sidomos karshi emigrantëve të ardhur nga Afrika apo Lindja e Mesme.

Ndoshta është ky “incipiti” (fakti/shtysa) që ka nxitur reagime të shumta, ndoku të drejta e ndoku të padrejta për mënyrën sesi përdoren “qytetarët e dorës dytë” në vendet evropiane. Por përpara se ta përdorim këtë term, i cili mund të na duket shumë i bukur, shumë komunitar e solidar njëkohësisht, duhet të shtrojmë disa pyetje të tjera. P.sh. a janë ndjerë vet lojtarët që luajnë me kombëtaren franceze qytetarë të dorës dytë? A janë ndjerë ata të pavlerësuar? A janë ndjerë të përdorur dhe të nëpërkëmbur?

Kuptohet që përgjigja e të tëra këtyre pyetjeve është retorike. Nëse ata do ishin ndjerë, askush prej tyre s’do këndonte himnin francez në fillim të ndeshjes, s’do kishte pranuar të vishte fanellën e “Gjelave”, si dhe do kishte zgjedhur të kthehej e të luante për kombëtaren e vendit të tij të origjinës.

Shumë të tillë e kanë bërë! Përse të mos e bënin edhe Pogba, Umtiti, Matuidi, Mbappe…

Ndikimi i politikës së ditës dhe vështirësitë që po kalon Bashkimi Evropian, situatë ku nuk kanë munguar reagimet e shumta sidomos për valën e re të emigracionit prej Afrikës dhe Lindjes Mesme drejt Evropës, i fryn edhe më shumë zjarrit të ndezur gjatë Botërorit “Rusi 2018”. Më herët, vet FIFA ishte përpjekur që moto e saj të ishte “Thuaj Jo Racizmit!”, në të cilën shfaqeshin lojtarët të njohur si Mesi, Ronaldo, Pogba, Benzema, Ribery, Ozil etj., që në videon e shkurtër disasekondëshe, të kërkonin prej sportdashësve dhe jo vetëm, të respektohej kjo moto e çdokush të ndjehej pjesë e show-t sportiv.

Tek shikoja sesi të mëdhenj e të vegjël, shqiptarë e jo shqiptarë merreshin me ngjyrën e lojtarëve e aspak me vlerat që përcjell futbolli, u ndjeva i gozhduar brenda një frustrimi që niste pikërisht nga vet qënia ime shqiptar. Fillova të ndërmend të gjithë emigrantët shqiptarë që dikur morën rrugën drejt Evropës, për të pasur një jetë më të mirë. M’u kujtuan të tëra skenat e dëshmuara, ato në foto si dhe në xhirime të ndryshme sesi ata largoheshin prej këtij vendi, kampet ku ata qëndronin, varfërinë e madhe që përcillnin; lotët, dhimbjen e përcjellë kur zemra largohet prej brigjeve të vendit të vet.

Ne shqiptarët, nuk kemi qenë komb racist. Nuk kemi shfaqur shenja racizmi. Në historinë tonë kemi ndihmuar popuj e kombe të ngrihen, kemi ngritur perandori. Kemi qenë popull që ka dëshmuar se di të bashkëpunojë, të pranoj të ndryshmen, të “shkrihet” pa humbur identitetin, të jetojë mes të tjerëve si dhe të ruaj vetveten kur kanë dashur ta eleminojnë.

A nuk na tregon e kaluara se kemi qenë një popull që ka shërbyer në ushtritë greke e romake në antikitet?! A nuk i kemi dhënë Romës perandorë; Bizantit po ashtu përfshirwë dhe artistë e familje të mëdha; Perandorisë Osmane a nuk i kemi dhënë mbi 30 kryeministra, e dhjetra ministra, arkitektë, piktorë, klerikë e njërëz me famë?

A nuk i kemi dhënë e po i japim Evropës dhe Botës figura të tilla si ajo e Ferid Muratit (nobelist), Stan Dragotit (regjizor), Joseph Dioguardit (kongresmen, ShBA), Alan Shepard (kozmonaut), Tedi Papavramit (violinist), Saimir Pirgut (tenor), James Belushit (aktor), Fadil Berishës (fotograf), Karl Gegës (arkitekt), Aleksandër Moisiut (aktor teatri), Laura Mersini Hugton (shkencëtare), Sami Frashërit, Mehmet Ali Pashës, Nënë Terezës etj.

Të gjitha këto figura, nga dolën? A nuk spikatën nga talenti i tyre dhe mundësia që ju dha për ta shprehur atë talent apo pundësi në një vend të huaj? Nëse racizmi do ishte baza e ndërtimit të marrëdhënieve ndërmjet kombeve, a do e kishin pasur ata këtë fat? Jo! Sigurisht që jo.

Atëherë nga buron ky racizëm?

Nuk kam formulë zbulimi, as statistika shkencore, as të dhëna empirike. Por po e them ashtu siç më vjen natyrshëm. I tërë ky racizëm vjen nga mospërmbushja jonë; nga mungesat e theksuara që kemi në jetën tonë, në qeverisjen tone; nga të tëra ato gjëra që nuk i kemi arritur dot në këto tri dekada demokraci; nga kultura jonë që ka stopuar e nuk po zhvillohet; nga një shoqëri e cila e ka humbur busullën e vlerave, që s’po e gjen dot orientimin nga të shkojë e si të ndryshojë. Për këtë arsye i drejtohemi të tjerëve dhe gjejmë edhe tek ata “njollën e zezë”, krijojmë “gjelat e zinj”.

Por, racizmin nuk e shpikëm ne! Është një plagë që ne nuk e ushqejmë aspak. Ne jemi thjesht viktima të tij! Jemi viktima të diçkaje që na serviret. Nuk meritojmë të përdoremi e të biem pre e një fenomeni, të cilit ne nuk i jemi përulur kurrë. Nuk ju përulëm as kur pritëm me qindra hebrenj që u strehuan në Shqipëri ndërsa vriteshin dhe dhunoheshin kudo gjatë Luftës së Dytë Botërore; kur pritëm grekët që u largoheshin masakrave të luftës civile në vendin e tyre dhe erdhën e u strahuan në mes të viteve ’40 në jug të Shqipërisë. Nuk e kemi treguar as me strehimin dhe mbrojtjen që u bëmë italianëve që mbetën në Shqipëri kur fashizmi u shkërrmoq në 1943 dhe ata përndiqeshin prej trupave naziste. Nuk e kemi treguar asnjëherë, as me hasmin që na zinte derën; as me minoritetet e ndryshme që gjenden brenda këtij shteti të cunguar, edhe pse vendet e tyre ishin shkaktarët që na e bënë këtë gjëmë.

Vet isha me kroatët. Doja që kupa të vinte në Ballkan. Do ishte diçka e mrekullueshme për ata kroatë që ne na quajnë “vëllezër të tyre ilirë”. Do doja shumë…

Por në futboll nuk fitojnë çdoherë ata që duam ne! Zakonisht fitojnë më të përgatiturit, më të mirët, ata që kanë vullnet dhe dëshirë. Ndonjëherë ndodh që të fitojnë edhe më të dobëtit, por ndodh që të fitojnë edhe më cinikët, apo pragmatistët. E kështu ndodhi! /tesheshi.com/

 

Related posts