Nga Ali PAJAZITI: Neofetarizma, teoria e etiketimit, dhe topi i dëborës

Në kohën në të cilën jetojmë, feja dita-ditës po aktualizohet në skenën e jetës sociale me format e saj të ndryshme, “nga revivalizmi, fraksionerizmat, deri te terrorizmi fetar”. Rigjallërimi fetar dhe neofetarizma më vete kanë ngjallur edhe fluksin e interpretimeve dhe shënjimeve të ndryshme për fenë dhe fetarinë, që shpesh shoqërohen edhe me emërtime, pagëzime dhe etiketime të nduarta. Një nga teoritë më gjerësisht të zbatuara në marrëdhëniet ndërnjerëzore, ajo e etiketimit (labeling theory), ndryshe quhet edhe teoria e “reagimit shoqëror”. Kjo është një teori e interaksionistëve simbolikë, sipas të cilëve, etiketa që i ngjitet një njeriu, pa marrë parasysh nëse është e vërtetë ose jo, e shtyn atë të sillet në pajtim me atë rol të përshkruar. Sipas kësaj teorie, etiketuesit dhe fyesit e grupimeve të caktuara e thellojnë sjelljen e të shënjestruarve dhe e përkeqësojnë atë. Kjo mund të ilustrohet me fjalën popullore: nëse një njeriu i thua dyzet ditë i çmendur, vërtet bëhet i çmendur. Sipas kësaj teorie, personi të cilit i ngjitet vula ose etiketa si budalla, agresiv, maniak, hajdut, madje edhe nëse ka sjellje normale, ajo do të vlerësohet si jonormale. Etiketimi ndikon në ndryshimin e sjelljeve të njerëzve. Kjo teori lidhet edhe me kritikën e drejtuar ndaj psikiatrisë bashkëkohore, se sistemet diagnostikuese tradicionale të psikiatrisë perëndimore nuk janë gjë tjetër, pos etiketa të ngjitura ndaj sjelljeve të cilësuara si “jonormale”. Etiketimi vërehet në procesin e shoqërizimit, përmes të cilit identiteti shoqëror ngulitet në unin e individit. Emrat, si mjek, zanatçi, shqiptar, mysliman, “janë rrjedhime të këtij procesi të etiketimit”. Si teoricien i parë i etiketimit është Tannebaum-i (1938), me konceptin e tij për dramatizimin e së keqes, sipas të cilit, etiketimi, përcaktimi, identifikimi, veçimi, përshkrimi dhe theksimi e bëjnë njeriun të sillet sipas përshkrimit që i bëhet. Shumica e konsiderojnë themelues të teorisë së etiketimit Becker-in (1963), i cili ka shpikur termin “sipërmarrësi moral” (moral enterpreneur) për individët që ndërmarrin fushata për eliminimin e sjelljeve të papëlqyeshme, duke i shpallur ato si kriminale. Teoritë e etiketimit që përqendrohen në pushtetin shtetëror mund të konsiderohen si degë të kontrollogjisë.

Këtyre ditëve në Maqedoni ndodhi rasti i arrestimit të nëntë personave nën akuzën për terrorizëm islamik, të shndërruar në një sintagmë të përdorur gjerësisht nga qarqe të ndryshme, si në rrafshin global, ashtu edhe në atë vendor. Aksionet ndodhën në Shqipëri, Kosovë, dhe radha ishte që arrestimet spektakolare të ndodhnin edhe në Maqedoni. Etiketat janë gati. Ato përgatiten pandërprerë! Një kohë muslimanët ishin fondamentalistë, më pas talebanë, sot janë “terroristë”! Sot është shumë e lehtë ta eliminosh një Ahmed a Mehmed. Të gjitha elementet janë gati; bëre zum, numëroja negativitetet, duke filluar nga pamja, dhe ja “kurbani”. Terroristi potencial është piketuar. Kur gjahtarët e mëdhenj e bëjnë hapin në luftën kundër terrorizmit, të vegjlit bëhen gati për të imituar. Edhe ata i ndërmarrin masat për t’u bërë pjesë e karvanit të luftës antiterror. I tillë është edhe shembulli i  Maqedonisë. UÇK-ja terroriste, afganistanasit terroristë, liqeni i Smillkovcit, terroristë. Njëra anë e medaljes. Ata që etiketojnë dhe dalin në aksion. Tjetra anë e medaljes: një pjesë e teologëve dhe rinistëve myslimanë që aparencën dhe diskursin e tyre fetar e kanë puritanizuar, dhe duke propaganduar një Islam tjetërfare i bëjnë dëm dhe vetes, po edhe komunitetit islam, gjegjësisht besimtarëve myslimanë në përgjithësi. Ky tabor që ka një histori të re, rreth 25-vjeçare, duke kultivuar vlera rebeliste fetare mundohet që të afirmojë një frymë fetare të veçantë, e cila bie ndesh me të zakonshmen, me vijën kryesore të fetarizmës (mainstream religiosity). Kalibri i të riut që kujton se ka zbuluar ujin e ngrohtë të Islamit, se ka kapur litarin e vërtetësisë, të cilën rioshët fetarë e monopolizojnë (“Kjo është feja e vërtetë”, “Ky është grupi i shpëtuar!”, “Kjo është rruga e të parëve tanë besimdrejtë!), krijon hendek brendaislam, por edhe me taboret e feve të tjera, të cilët qartë vërejnë ndryshimin në ekspozimin e fetarësisë. Këtë grup nga një anë e sulmon xhemati, e nga ana tjetër qarqet shekullariste, laike, agnostike-ateiste, dhe e vatërzon shteti, pra, organet e sigurisë, policia, etj. Sa më shumë që kjo punë diskutohet e debatohet, aq më shumë grupi forcohet, si në vend ashtu edhe në diasporë. S’janë të rralla rastet kur fëmijët e kurtbetqarëve tanë fetarizohen, më pas radikalizohen, e vijnë dhe bëhen “daij” (thirrës në fe) në vendlindje, pa u fjetur mirë godina fetare, pa i mësuar mirë të trija dimensionet e fesë. Mësojnë pak doktrinën, kapen fort pas saj, fillojnë zbatimin e detyrimeve (ritualet), pa njohur hiç dimensionin sociologjik apo shoqëror të saj. Ky vëzhgim vlen plotësisht edhe për fetarët tanë “të ndryshëm”. Dhe reaksionet nga mjedisi dhe fushatat mediale i forcojnë edhe më shumë këta njerëz, madje u krijojnë bashkëmendimtarë edhe në mënyrë aksidentale, duke provokuar kërshërinë e lexuesve apo shikuesve të lajmeve dhe të regjistrimeve të ndryshme audio-vizuale.

Aksioni i 6 gushtit për arrestimin e disa individëve të cilët konsiderohen të jenë të lidhur me rrjetet e ndryshme që punojnë për “neofetarizmën islame” të radikalizuar, që përmes formave të ndryshme çojnë njerëz në vatrat luftarake të Lindjes së Mesme, që “përmes diskursit të tyre vënë në pikëpyetje sigurinë e vendit,” është një ndodhi në proces. Spektakolariteti i temës rrit kërshërinë e mediave dhe popullatës për këta njerëz që janë objekt trajtimi policor dhe juridik. Dhe sa më shumë që i mëshohet kësaj rryme, aq më tepër ithtarët e saj shtohen. Shikuar në aspektin sociologjik, ky fenomen duhet analizuar mirë, me gjithë gjenezën-historinë dhe aktualitetin. Këtu duhet të përfshihen ekspertët e teologjisë, Bashkësia Fetare, shkencëtarët e disiplinave sociale, që do të duhej të gjeneronin një hartë të mirëfilltë të kësaj forme të re të religjiozitetit, e cila sjell novitet në hartën fetare të Ballkanit dhe dita-ditës vjen duke u zgjeruar. Ndër pyetjet kërkimore që duhen shtruar janë: Pse grupimet e kësaj rryme janë më dinamiket në prozelitizmin e tyre fetar, duke ua kaluar institucioneve zyrtare religjioze? Si i bëjnë për vete kategoritë dhe shtresat e ndryshme sociale? Me çka i joshin? A janë vetëm shtresat e ulëta shoqërore pasuese të kësaj doktrine?

Stereotipat etiketues të komuniteteve zyrtare fetare nuk shpien askund, e ekskomunikimi përmes altoparlantëve të hoxhallarëve gjithashtu. Shkrimet, esetë tendencioze të gazetarisë dhe të gjysmëintelektualëve, që e kanë gojën plot urrejtje ndaj fesë, s’gjenerojnë gjë pozitive. Kjo çështje do qasje shumë më serioze sesa aksionet policore dhe sulmet sipërfaqësore “intelektuale”. Do intelektualizëm dhe shkollarizëm të vërtetë, do qasje empirike, duke u bazuar në parametrat kulturologjikë. Një gjë është e qartë, Ballkani dhe shqiptarët myslimanë po reislamizohen: në këtë ose në atë mënyrë po kalojnë në një Islam ndryshe. Trendi është minor, por me tendenca të rritjes së “grupimit që ndjek gjurmët e të parëve tanë të mirë”. Në këtë drejtim ndikojnë edhe pamjet nga Siria dhe Iraku, skenat trishtuese të palëve në luftë, “viktimat dhe trimëritë, heroizmat”, kalifët dhe xhihadistët e postmodernes që bëhen fli për ideale që vështirë se dikush mund t’i kristalizojë, duke pasur parasysh faktin se telat janë koklavitur aq keq, saqë lirisht mund të thuhet se “vërtet është shfaqur ngatërresa në tokë e në det”. Tekfirizmi është një rrymë e rrezikshme për vetë myslimanët. Krijon fraksionerizma brendaislamë, dhe jep një përshtypje të tejmesetarizmit konvencional, të ultrakonservatorizmit fetar te të tjerët, te jomuslimanët. Krijon psikozë negative. Të gjithë muslimanët janë në krizë të konceptit fetar, janë në agoni të vetëperceptimit. Njerëzit e mençur marrin mësim nga gabimet e të tjerëve. Kriza e Lindjes së Mesme duhet t’i bëjë të gjithë myslimanët të vënë gishtin në kokë, përfshirë ne shqiptarët. Ne muslimanët i kemi fituar vetë një pjesë të etiketave. Edhe fushatat antiislame i kemi ngjallur vetë në këtë apo atë mënyrë. Me disa bëma tonat të pamatura! Gishti, para së gjithash, duhet kthyer kah vetvetja. “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë!” (Kur’ani, 42:30) /tesheshi.com/

Related posts