Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Ali PAJAZITI: Covid-19 dhe rizbulimi i të shenjtës (I)

                                                               “Shoqëria e konsumit është një kancer, ne duhet t’ia rikthejmë asaj shpirtin.

                                                                                                                                                                Chaban-Delmas

Sentenca e mësipërme është shkëputje nga një libër përkthimin e të cilit e redaktuam këtyre ditëve traumatike: Baudrillard, Konsumerizmi, ku mes tjerash bëhet një analizë briliante e shoqërisë moderne, së revolucionit dhe civilizimit të bollëkut, të kulturës konsumeriste, e cila që nga shekulli i tetëmbëdhjetë, përmes filozofisë sensualiste, empiriste, materialiste “ka mundur fort dhe sistematikisht dogmat spiritualiste tradicionale, ka shkaktuar  copëtimin historik të kësaj vlere themelore të quajtur shpirt, “përreth të cilës më parë organizohej e gjithë skema individuale e shpëtimit dhe sigurisht gjithashtu i gjithë procesi i integrimit shoqëror.” Sipas mendimtarit francez në fjalë kursi i shoqërisë permisive dhe të komunikimeve të çastit ka shkaktuar një  çekuilibër themelor, anomali, depresivitet, me nja fjalë, ka prishur metabolizmin social.  Sot, komuniteti i madh shoqëror është i sëmurë, ndërsa qytetarët konsumatorë janë të brishtë, në mënyrë që kudo te profesionistët, nëpër gazeta dhe te moralistët analistë, mbahet ky diksurs “terapeutik” – shprehet Baudrillard. Kjo shoqëri vazhdimisht ushqehet nga dhuna e konsumuar, nga dhuna “indirekte”, nga lajmet pak të rëndësishme, vrasjet, rebelimet, kërcënimi atomik apo bakteriologjik. (1970: 278) Një gjë interesante që prek Baudrillard para 50 viteve është çështja bakteriologjike apo virologjike që këtë vit na ka goditur fuqishëm si racë humane, që tregon se ka pasur sens të zhvilluar parashikues për të ardhmen.

Të dhënat sociologjike flasin se shoqëria moderne është në një krizë të thellë nga e cila profile të ndryshme kërkojnë rrugëdalje. Pandemia me të cilin po përballemi sot, Covid-19 ka krijuar lëkundje të fuqishme në botën fizike dhe mentale të njeriut, e ka nxitur njeriun të kërkojë strehë, të kërkojë anijen e shpëtimit nga drejtimi i gabuar të cilin e ka marrë, nga filozofia materialiste, hedoniste, utilitariste që janë instaluar kokë e këmbë në civilizimin tonë. Dhe në kohëra krizash, religjioni, feja përbën një prej agjentëve socialë më të rëndësishëm që i del njeriut në ndihmë. Ai shfaqet si një profilaksi morale, si një element shpresëdhënës, rehatifalës. Pra, shënohet një korelacion i drejtë mes rritjes së përmasave të krizës dhe forcimit të religjiozitetit.

Kriza e vë në test besimin, por edhe e fuqizon atë. Homo religiosus është i vetëdijshëm se qiellorja apo Zoti i vë njerëzit në sprovë në mënyrë të ndryshme, mes tjerash edhe me fatkeqësi natyrore, sëmundje, me kataklizma kolektive, pandemi globale etj. Në situata të tilla tek besimtarët shfaqet aktivitetit spiritual i ngjeshur, një lidhshmëri më e afërt me tejfiziken, madje shënohen edhe raste më ekstreme kur edhe agnostikë, mosbesimtarë e ndryshojnë perceptimin e vet për “të vërtetën këtu dhe andej”. Në veçanti kur shkenca, madje edhe më e zhvilluara, më e sofistikuara mbetet pa tekst përpara një virusi që na dridh të gjithëve, që na pallkosur e mbyllur planetarisht.

Faktet empirike na tregojnë se në këtë krizë fetaria kolektivë është lëkundur një çik, por ekzistojnë relata (lidhja) individuale me të Madhërishmen, pra religjioziteti individual, sepse feja nuk realizohet vetëm brenda tempujve, në veçanti n islam që nuk e pranon klerikalizmn dhe formulën extra eclessiam nulla sallus. Në fakt, karantimi ka shkaktuar fenomenin e fetarisë krahëthyer, por ka forcuar një formë tjetër të fetarisë shtëpiake apo familjare. Çdokush mundet që të lutet, të kryejë rituale edhe nga banesa e vet, prej gjithkund sepse Zoti është prezent gjithandej dhe shprehur me gjuhën e teknologjive informatike është gjithherë online. Sociologjia e religjionit shënon një lloj të ri të adhurimit, të atij virtual (virtual worship), të predikimit përmes mediave apo rrjeteve sociale, që përbën një version jokonvencional të përhapjes së përshpirtësisë, në veçanti për brezat më të vjetër, që janë mësuar me fetarinë fizike.  (vazhdon…)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com