Nadal humbet dhe braktis Londrën, por mbetet nr. 1

Eshtë përpjekur të bëjë nr. 1 në botë, por “gjunjët nuk e kanë mbajtur”.

Rafael Nadal ka humbur ndeshjen e parë në turneun e më të mirëve në Londër, e më pas ka deklaruar largimin nga turneu, për shkak se ka ndjerë dhembje të forta në gju. Spanjolli ka humbur përballë belgut Gofën, pavarësisht se është përpjekur të qëndrojë në ndeshje për rreth 2 orë e gjysëm.

Për të gjithë ata që ndoqën ndeshjen, nuk ishte Nadali i zakonshëm, por në fund rezistoi sa mundi, edhe pse duke shtrënguar dhëmbët. Pas fundit të ndeshjes, nr. 1 i botës deklaroi se sezoni për të është mbyllur pas kësaj ndeshjeje, duke theksuar se vendimi ishte i njëjtë, edhe nëse do të kishte fituar.

Në këtë mënyrë, Londra vijon të mbetet tabu për spanjollin, ndërkohë që edhe pse ka mbyllur sezonin, ai e ka ditur se artimetikisht, rivali i tij historik Roxher Federer, nuk e arrin dot me pikë për t’i marrë “fronin” e më të mirit për këtë vit kalendarik. Në turneun e Londrës, luajnë të ndarë në 2 grupe, 10 tenistët më të mirë në renditje. Në vend të Nadalit të tërhequr, do të fitojë të drejtën për të luajtur një tjetër spanjoll, Pablo Carreno Busta. /tesheshi.com/