Me mision në Ballkan, senatorët amerikanë në zyrën e Metës

 

Presidenti Ilir Meta priti dhe bashkëbisedoi sot me një delegacion të Senatit të SHBA-së, të kryesuar nga Senatori Roy Blunt, të cilët po zhvillojnë një vizitë pune faktembledhëse në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

 

“Kreu i Shtetit shqiptar dhe senatorët amerikanë vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, kontributin e Shqipërisë në NATO dhe rolin e saj stabilizues në rajon.

 

Bashkëbiseduesit vlerësuan vizitën në Malin e Zi të Zëvendëspresidentit të SHBA-së Mike Pence dhe mesazhet e tij të qarta mbi çështje të sigurisë rajonale, ato të koordinimit të veprimeve në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”- njofton Presidenca.

Sipas ambasades amerikane, takimet kanë pasur në fokus qëllimin për të biseduar mbi partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çështjet e bashkëpunimit për sigurinë, mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit.

“Një delegacion me katër senatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës vizitoi sot Shqipërinë për të biseduar mbi partneritetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe çështjet e bashkëpunimit për sigurinë, mbrojtjen dhe luftën ndaj terrorizmit. Senatorët Blunt, Cornyn, Cotton, dhe Tillis u takuan me Presidentin Ilir Meta, zyrtarë të Qeverisë, dhe drejtues të Partisë Demokratike, për të nënvizuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë në stabilitetin rajonal, përpjekjet për të luftuar terrorizmin, dhe rëndësinë e zbatimit të reformave kryesore, përfshirë reformën në drejtësi”, thuhet ne njoftimin e ambasades amerikane.

/tesheshi.com/