Miratohet ligji për Prishtinën, Prizreni kryeqytet historik

Kuvendi i Kosovës me 66 vota pro, ka miratuar projektligjin për kryeqytetin. Dy amendamentet më të diskutuara, para votimit kanë qenë ai për caktimin e Prizrenit si kryeqytet historik, që u miratua me gjithë kundërshtimet, ndërsa amandamenti tjetër që i jepte të drejtë Kuvendit Komunal të Prishtinës që të themelojë Drejtorinë për policinë komunale nuk kaloi dhe kjo mbeti në duart e vet  policisë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar menjëherë pas miratimit të ligjit për kryeqytetin duke thënë se Prishtina u bë me ligj të vet edhe pse jo sipas të gjitha kërkesave të tyre.

“Sot, pas shumë viteve, Prishtina u bë me ligj. Edhe pse jo sipas të gjitha kërkesave tona, Ligji e bën qytetin tonë zyrtarisht Kryeqytet me status të veçantë e me kompetenca shtesë. Falënderoj të gjithë deputetët që e votuan ligjin. Urime Prishtinë!”, shkruan Ahmeti në Facebook.

Edhe kryekuvendari Kadri Veseli ka shprehur gëzimin për miratimin e ligjit në fjalë.

“Jam i lumtur që Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Kryeqytetin, i cili e ndihmon zhvillimin e Prishtinës, me më shumë buxhet dhe kompetenca. Po ashtu, me këtë Ligj, Prizreni njihet si Kryeqytet Historik i Kosovës”, shkruan Veseli në Facebook.

Edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky ligj i shton Prishtinës nga 4 milionë euro në vit.

“Prishtina u bë me ligj. Kuvendi votoj edhe amendamentin tim që i shton kryeqytetit nga 4 milionë euro në vit – secilin vit – me mundësi rritjeje për aq sa rritet Buxheti i Kosovës. Për 4 vitet e ardhshme kjo shumë shtesë pritet të kalojë mbi 20 milionë euro. Mjaftueshëm për të ndërtuar disa shkolla, çerdhe e qendra mjekësore nëpër Kryeqytet. Në emër të qytetarëve të Prishtinës i falënderoj të 64 deputetët që votuan propozimin tim. Urime Prishtinë”, shkruan Abdixhiku në Facebook. /tesheshi.com/

Related posts