728 x 90 Leaderboard

Maqedoni: hajnitë në kohë iftari që çnderuan Çairin shqiptar

Çairi është komuna e njohur e Shkupit, dominuar nga shqiptarë, që ka një rëndësi e peshë simbol, në planin politik e social bashkë. Ndër të tjera, ajo njihet dhe si “Meka e Ballkanit”, për shkak të përqëndrimit aty të jetës fetare të shqiptarëve të Shkupit, ku spikasin emra të njohur klerikësh muslimanë, fjala e të cilëve nganjëherë përcakton dhe fate politike, gjithnjë ndër shqiptarë.

Por së fundi, një kontradiktë vihet re aty; shfaqja e vjedhjeve, aspak e denjë për një bashkësi që mburret se është me fe e atdhe.

Që në fillim Ramazanit, pra më shumë se një muaj më parë, banorë të kësaj komune nëpërmjet facebook-ut dhanë alarmin për vjedhje të rënda dhe të shpeshta nëpër shtëpi të ndryshme, dhënë dhe si një lloj paralajmërimi për t’u quajtur nga ajo që po ndodhte. Tashmë është Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ajo që me kërkesë të  tesheshi.com konfirmon se vetëm brenda 15 ditëshit të parë të muajit të Ramazanit, në Çair kanë ndodhur gjithsej 32 vepra penale të tipit “vjedhje të rënda”.

“Nga ajo që ne kemi evidentuar prej datës 15.05.2018, deri 31.05.2018 në rrethinat e komunës Çair, që mbulohet nga Stacioni policor me kompetenca të përgjithshme “Bit Pazar”, janë regjistruar gjithsej 32 vepra penale të kualifikuara si “Vjedhje të rënda”, u tha nga sektori i MPB-së në Shkup.

Sipas banorëve të kësaj komune, shtëpitë që më së shumti kanë qenë shënjestër e vjedhjeve, janë ato që përgjatë kohës së iftarit kanë qenë bosh; pra me familjarë të ikur gjetiu, te miq a të afërm për ta shijuar së bashku faktin e përfundimit të agjërimit.

Të shqetësuar me këtë fenomen negativ të shoqërisë, faqja më e madhe dhe më e njohur në facebook në kuadër të kësaj komune, ajo e “Duam Çair të Pastërt”, ka hartuar një peticion nga i cili kërkohet prezenca e policisë në vendbanimet e tyre si masë preventive kundër vjedhjeve.

Nga 1 mijë e 900 nënshkruaes, 92 përqind janë deklaruar se dëshirojnë siguri më të lartë për jetën dhe pronën e tyre. /tesheshi.com/

 

Related posts