728 x 90 Leaderboard

“Lufta e çokollatës”: pse europiano-lindorët besojnë se furnizohen me ushqime të cilësisë së dytë nga Perëndimi

Europiano-lindorët mendojnë se markat ushqimore të Perëndimit u shesin atyre mbeturina. Buja e “standardeve të dyfishta ushqimore” vë në dukje mosbesimin e lindorëve ndaj perëndimit.

Për disa është djathi dhe kosi, për të tjerë lëngu i frutave. Por për Tibor Ferko, një kasap në moshë të re nga Usti nad Labem, qytet në veri të Republikës Çeke është çokollata. Ferko bën shenjën e famshme italiane për ushqimin e shijshëm, ndërsa risjell në rrëfim përbërjen “kremoze” të çokollatave Milka në shitje sapo kalon kufirin me Gjermaninë, por që i mohohen atij nga prodhimet inferiore në vend. Pak milje më tutje, në një supermarket në autostradë, Zdenek Kuklik betohet se nuk do të hyjë më kurrë në dyqanet çeke për të marrë ushqimin e fëmijëve Hipp me të cilin ai ushqen foshnjen që mban të varur në kraharor. Përse? Për shkak se në një rast, familja kishte blerë ushqimin Hipp që shitet në zonë dhe foshnja e kishte nxjerrë menjëherë nga goja. Prej tani e më pas, ai do të blejë pa përjashtim prodhime superior nga përtej kufirit.

Dyshimet që kompanitë shumëkombëshe zbrazin versionet e tyre të cilësisë së dytë të markave që u shesin perëndimorëve, ka një histori të gjatë në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës. Një mini-industri konsumatorësh të zemëruar ka marrë jetë ndërsa sipërmarrjet e blerjeve përtej kufirit përfitojnë nga frustrimi i tyre. Me mijëra njerëz që jetojnë përgjatë kufijve kanë shtëpinë në një vend, dhe supermarketin në vendin tjetër. Çekët që vizitojnë qytetet gjermane si Altenberg apo Heidenau, ku supermarketet kanë tabela në dy gjuhë, thonë se mund të gjejnë aty cilësi më të mirë, më shumë zgjedhje dhe çmime më të ulta.

Nuk është e habitshme që politikanët kanë dalluar mundësinë e tyre. Në shkurt, një ministër çek u tha votuesve të tij se ishin të lodhur duke qenë “koshi i mbeturinave të Europës”, një metaforë që mjaft njerëz e përdorin kur japin mendimin e tyre për cilësinë ushqimore.

Kryeministri i Bullgarisë, e krahasoi trajtimin e konsumatorëve europiano-lindorë nga ana e prodhuesve të ushqimeve si apartejd. Në mars, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e solli këtë çështje në një takim të Bashkimit Europian. Nëse Angela Merkel dhe Theresa May nuk po e besonin dot kur e gjetën veten duke diskutuar dendësinë e krahasuar të Nutellas në Austri dhe në Sllovaki, ato ishin aq të sjellshme sa ta lejonin të vazhdonte debati. 28 liderët e BE-së e pranuan turbull çështjen e “cilësisë me dy standard të sendeve ushqimore” në deklaratën e tyre të përbashkët. Tani qeveritë lindore po porositin studime që të rrisin presionin mbi Brukselin që ai të ndërmarrë veprime.

Në fakt, ligji europian tashmë ndalon reklamimin apo paketimin që keqdrejton konsumatorët. Por disa qeveri lindore dëshirojnë rregulla që do të harmonizojnë efeketivisht produktet në të gjithë tregun e përbashkët, dhe kërcënojnë të shkojnë deri në bojkot, nëse nuk ia arrijnë këtij qëllimi. Një ligj në Hungari do të detyrojë prodhuesit të heqin etiketat nga sendet ushqimore që kanë ndryshime në përmbajtje nga gjërat e së njëjtës markë gjetkë. Prodhuesit e ushqimeve shpresojnë të lehtësojnë ankthin e lindorëve duke përcjellë më shumë transparencë, duke premtuar dialog, mbështetje për studime të mëtejshme të tregut dhe hapjen e fabrikave të tyre për t’u vizituar nga publiku. Në Bruksel po përgaitet një metodologji që do të standardizonte testimet e do të ndihmonte agjencitë në BE të verifikonin problemet.

Komisioni Europian thotë se nuk ka parë ende prova të anomalive serioze në treg. Firmat ushqimore thonë se variacioni në produktet e tyre rezulton nga vendimet e fabrikave për lëndën e parë apo ndryshimet në shijen rajonale të produkteve. Ata e mohojnë se furnizojnë me produkte inferior gjysmën më të varfër të kontinetit.

Perëndimi është më i mirë?

Por nëse shqetësimet ushqimore të Lindjes janë të tepruara, atom und të tradhtojnë një lloj tjetër më të thellë shqetësimi. Sot, Europa Perëndimore po përjeton një moment të rrallë magjik bollëku, por pjesë të Lindjes e kanë të vështirë të zhvishen nga neuroza të vjetra. Rrogat reale nuk janë përafuar me ato të perëndimit aq shpejt sa shpresohej, dhe emigracioni masiv ka thelluar problemet demografike e ka shkurtuar forcën e punës.

Duke shprehur mbështetjen për një grevë së fundmi në një fabrikë sllovake të Volksvagenit, kryeministri Fico hapi një temë të përbashkët për gjithë Lindjen: “Miqtë tanë perëndimorë nuk e kuptojnë kur ne i pyesim përse një punëtor në Bratislavë …e ka rrogën sa gjysma apo dy të tretat e rrogës së një punëtori të së njëjtës kompai 200 kilometra më në perëndim”.

Rrogat apo ushqimi, shqetësimi është i njëjtë: kompanitë shumëkombëshe po tallen me europiano-lindorët.

Nuk ka për të qenë surprizë nëse keqkuptime të tilla dalin edhe brenda BE-së. Axhenda që po merr formë në Bruksel, për një integrim më të madh të eurozonës e deri tek ligjet për mirëqënien sociale, duket se do të kërkojë shumë debat. Presidenti francez, Makron mund të jetë njeriu i ditës në Bruksel apo Berlin, mirëpo sulmet e tij mbi “punonjësit përfitues” të Lindjes që punojnë përkohësisht në perëndim për rroga më të ulëta, ia kanë nxirë reputacionin në gjysmën e kontinetit.

Nga ana tjetër, Europa Lindore, disa vende të së cilës refuzojnë të dorëzohen para Brukselit për problemet me gjyqësorin apo median e lirë, nuk mund të presin shumë simpati për një problem që po e ekzagjerojë me ëndje të madhe si standardet ushqimore. E megjithatë, liderët perëndimorë nuk mund t’ia lejojnë vetes të mos i dëgjojnë shqetësimet e vendeve që u bashkuan me klubin në mënyrë entuziaste rreth një dekadë më parë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts