728 x 90 Leaderboard

Lojërat Olimpike 1936: kur Hitleri joshte botën me “fshatin e paqes”

Pak i njohur për pjesën më të madhe të turistëve e madje edhe për vetë gjermanët, në një periferi të Berlinit ndodhen mbetjet e braktisura e trishtuese të atij që njihej si “Fshati Olimpik i Hitlerit”, ndërtuar për të ashtuquajturat Lojëra Naziste të vitit 1936.

Gjermania fitoi mundësinë për të mikpritur Lojërat Olimpike verore të vitit 1936, dy vjet përpara se Partia Naziste të vinte në pushtet, dhe kancelari i Rajhut, Adolf Hitler e pa këtë si një mundësi për të përhapur propagandën naziste dhe për të mbështetur makinerinë ushtarake të Gjermanisë.

Hitleri mbikqyri ndërtimin e Fshatit Olimpik në Wustermark, në periferitë e Berlinit. Në kulmin e vet, kompleksi tashmë në kalbëzim, përmbante fjetore të klasit të parë, menca, zona stërvitjeje, një pishinë dhe mund të akomodonte rreh 4 mijë atletë me të gjitha kushtet e një qëndrimi luksoz që rrallë ishte parë. Në mënyrë ironike, fshati u dizenjua për të portretizuar një imazh idilik e piktoresk të një Gjermanie paqësore ndaj botës (Lojërat Olimpike të vitit 1936 ishin të parat që do transmetoheshin në televizion) dhe Fuhreri e quajti kompleksin “fshati i paqes”. Ndërkohë, qëllimi që prej nisjes ishte që ushtria gjermane ta përdorte kompleksin pasi të përfundonin lojërat.

Hitleri po ashtu u përpoq të impononte politika anti-semite në aktivitet, duke lobuar për të ndaluar hebrenjtë dhe njerëzit me ngjyrë që të merrnin pjesë në Lojëra, edhe pse ky komplot dështoi pasi kombet e tjera kërcënuan me bojkot. Në fakt, pavarësisht kësaj përpjekjeje për të treguar superioritetin e rracës ariane, sprinteri i madh amerikan, Jesse Owens fitoi katër medalje të arta atë vit. (Sipas të dhënave, një fans i shkroi Owens duke i kërkuar të mos e pranonte medaljen, mirëpo letra u kap nga Gestapo).

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kompleksi olimpik u përdor si spital për ushtarët gjermanë, dhe u mor nën kontroll në vitin 1945 dhe u përdor si fjetore nga ushtria sovjetike, që pushtoi kompleksin për pothuajse 50 vjet deri në rënien e komunizmit, duke i riorganizuar pishinën e vjetër dhe zonat e stërvitjes për qëllimet e marrjes në pyetje nga KGB. Aty në fshat ku dikur shfaqej një vizatim i ushtarëve gjermanë në marshim, u shtua një vizatim i ushtrisë së Kuqe, që përshkruante ushtarët sovjetikë duke vendosur flamurin me drapër e çekan mbi parlamentin gjerman.

Pas sovjetikëve, kompleksi qëndroi i braktisur për vite të tëra dhe u rrënua. Fshati i vjetër olimpik ka mbetur pothuajse i paprekur, dhe njihet relativisht pak edhe nga vetë qytetarët në Gjermani, ndërsa historia e tij naziste përbën burim turpërimi për vendin. Së fundmi, sidoqoftë, jnë mbajtur disa turne atletike në këtë vend dhe po bëhen përpjekje për ta restauruar si një muzeum të gjallë. Megjithatë, ka edhe plane të tjera për zhvillimin e kompleksit të rrënuar me blloqe banimi dhe shtëpi, pas rritjes së madhe të popullsisë së Berlinit.

Nga prilli në tetor, në fshat mbahen ture ditore për studentët dhe vizitorët, dhe deri më tani vetëm një mjedis i fshatit ka njohur restaurim të plotë: fjetorja e rikonstruktuar e përdorur nga Jesse Owens, një yll plot ndriçim në historinë përndryshe të errët të Lojërave Olimpike të vitit 1936.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts