Loja e Bashës me Astrit Veliajn: biznesmeni nuk ngjan me Arben Ndokën, por Berati me Lezhën po

Nga Ylli Pata

Shkartisja e listës së deputetëve të PD-së së Beratit deri tani është komentuar vetëm nga qarqe kritike me Partinë Demokratike. Vetë selia blu vetëm këtë të hënë foli, Basha dora vetë, duke u nervozuar nga krahasimi Veliaj-Ndoka.

Ç’farë ka ndodhur?

Eduard Halimi, deputet i Partisë Demoratike, pjesëtar i listës së Beratit ka dhënë dorëheqjen nga Kuvendi për të punuar diku tjetër në një nismë private.

Sipas Kodit Zgjedhor, nëse në një qark të caktuar partia nuk ka respektuar renditjen gjinore, do të duhet ta respektojë atë nëse një deputet jep dorëheqjen, që do të thotë se në vend të Halimit, precedencë për t’u bërë deputetë e kanë kandidaturat nga radhët e grave.

Por dy pjesëtare të listës, Juvina Jani dhe Monika Qosja nuk pranuan të bëhen deputete, edhe pse kanë kandiduar më 25 qershor për t’u bërë të tilla.

Ata kanë dhënë arsyet e tyre personale, pra kanë shprehur një zgjedhje të lirë.

Dhe me ikjen e dy kandidatëve, radha për t’u zgjedhur i bie Astrit Veliajt, një biznesmen, që në legjislaturën e shkuar ka qenë gjithashtu deputet i PD-së së Beratit.

Qarqet kritike të PD-së i kanë kujtuar Lulzim Bashës se po ndjek pikë për pikë skenarin që ndodhi gati 4 vjet më parë në qarkun Lezhë nga ana e PS-së, për të bërë deputet Arben Nokën, ku dy gra të listës së PS-së në Lezhë dhanë dorëheqjen që “i forti i qytetit” më pas i larguar nga dekriminalizimi të shkojë në Parlament.

Në fakt para Nokës, e njëjta gjë ndodhi me listën e PD-së në Lezhë ku dha dorëheqjen Vasil Bici dhe dy gra, për t’u bërë deputet Mhill Fufi.

Por kjo manovër u shpall jo e moralshme nga Lulzim Basha, kur bëri flamur politik “dekriminalizimin” dhe në fushatën e 25 qershorit doli me përfaqësuesit e “Republikës së Re” që ishin zgjedhur nga baza për të qenë në listë.

Hyrja e Astrit Veliajt në Parlament po trajtohet nga ana e kritikëve të Bashës si një tjetër manovër për të afruar biznesmenët që janë në gjendje të vetëfinancojnë fushatat dhe të kontribuojnë për partinë.

Por në fakt, hyrja e Astrit Veliajt në Kuvend si përfaqësues i PD-së së Beratit është diçka dialektike. Veliaj ka qenë për dy mandate deputet, në vitin 2009 i zgjedhur nga lista e Partisë Republikane dhe në vitin 2013 i zgjedhur nga lista e PD-së.

I njohur si një biznesmen që ka ngritur institucione arsimore; shkolla profesionale dhe universitete, por edhe ndërtim dhe televizion, Veliaj ka një veprimtari të gjerë në Berat.

Ai është ndoshta njeriu kryesor nga Partia Demokratike që mbledh vota në qarkun e “kuq” të Beratit, sidomos pas ikjes majtas të Lefter Maliqit, ish-deputetit tjetër të PD-së.

Por mënyra sesi Lulzim Basha dhe PD-ja po e menaxhojnë këtë lëvizje po e kompromenton rëndë moralisht, ngaqë të kujton rastin e Lezhës dhe kërkon të mbajë edhe standardin parimor por edhe të lëvizë parimisht.

Hyrja e Astrit Velisë në Kuvend nuk është një lëvizje parimore, pasi kemi një tronditje të listës dhe shkelje të ligjit. Megjithatë, dorëheqja e dy grave dhe dalja “mbi ujë” e Velisë nuk është antiligjore. Është thjesht jo-parimore dhe kërkon një shpjegim të hapur dhe të sinqertë nga ana e Lulzim Bashës.

Ta thotë në publik, se pavarësisht që ligji kërkon që një grua duhet të jetë deputete, Astrit Veliaj është njeriu që ka tërhequr më shumë vota për PD-në dhe i takon mandati.

Kjo mund të bëhet, duke folur njëohësisht edhe dy gratë në listë, të cilët publikisht mund ta thonë të njëjtën gjë: “Astrit Veliajt i takon të jetë deputet”, dhe jo gjejnë raporte mjeksore apo justifikime të tjera të cilat nuk përputhen me realitetin.

Basha tha se Veliaj nuk ka asnjë lidhje me Ndokën, me arsyetimin se ky i fundit ishte i kriminalizuar. E vërtetë kjo. Por në planin e standartit, Berati po ngjan si dy pika uji me Lezhën. /tesheshi.com/  

 

Related posts