Loja me datat për Kryeprokurorin, një cirk i politikës: ja si është vepruar për 25 vjet

Nga Ylli Pata

Zëvendësimi i Adriatik Llallës po bëhet në një procedurë të nxituar dhe me data apo termine ende të paqarta, ndërkohë që bëhet fjalë për një gjë të përcaktuar qartë.

Prokurori i Përgjithshëm u zgjodh pesë vjet më parë nga Kuvendi, pas një propozimi apo dekretimi nga Presidenti i atëhershëm i Republikës, Bujar Nishani. Palët po zihen nëse është datë zyrtare e skadimit të afatit koha kur Adriatik Llalla ka marrë detyrën nga parardhësja Ina Rama, apo ajo e miratimit në Parlament. Por i gjithë ky debat është i kotë, pasi hapësira ndërmjet ditës së zgjedhjes dhe asaj të nisjes së punës, janë protokoll për të krijuar ceremonialitet në zgjedhjen e një institucioni kaq të rëndësishëm siç është Kryeprokurori i Republikës.

Ndërkohë, procedurialisht kushtetutat dhe ligjet gjithmonë parashikojnë zgjedhjen e një institucioni në një kohë të caktuar, ende pa u larguar drejtuesi mbajtës i detyrës, në mënyrë që të mos lihet vendi vakant dhe për të mos e destabilizuar situatën.

Por ç’ndodh? Që prej vitit 1990 në republikën postkomuniste shqiptare, të vetmet institucione që nuk të falin qindin për afate janë ato politike; kurse për organe thelbësore të shtetit, siç janë ato të drejtësisë, jo vetëm që nuk pyetet për afate, por janë lënë në një derexhe ku u katandisën si një mall pa zot.

Doni dëshmi? Sot Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionojnë, sepse kanë mungesë anëtarësh. Presidenti nuk ka propozuar dhe Parlamenti as e ka çarë kokën për ta.

Tjetër? Ja, sot KLD është jashtë mandatit kurse drejtësia qeveriset nga askush. Kemi vetëm organet e vettingut që po kalojnë emrat me një procedurë breshke.

Kryprokurori nuk është zgjedhur ende, por nuk është hera e parë që Shqipëria e lë për ditën e fundit këtë institucion kaq të rëndësishëm, si të jetë pagesa e një fature nga më banalet.

Në vitin 1992, Sali Berisha, me t’u zgjidhur President i Republikës, një nga institucionet e para që ndryshoi ishte Kryeprokurori.

Berisha dekretoi Maksim Haxhiajn, një jurist që vinte nga Katedra e Drejtësisë, një i ri për kohën dhe që ishte propozuar nga një grup drejtuesish të PD-së. Ishte urgjencë në atë kohë pasi drejtësia ishte ajo që kishte emëruar Ramiz Alia kur ishte Sekretar i Parë i PPSH-së.

Por pas një viti ishte vetë Sali Berisha që kërkoi shkarkimin e Kryprokurorit, pasi ky i fundit nuk pranoi të firmosë arrestimin e Fatos Nanos, në atë kohë lider i opozitës. Pra nuk u respektua as afat e as parim, por një sentiment i politikës ndaj një sjellje të Kryeprokurorit. Dhe kështu me urgjencë Haxhiaj u shkarkua dhe në vendin e tij u emërua zëvendësi i tij, Alush Dragoshi , i cili qëndroi në detyrë deri në vitin 1997.

Me të ardhur PS-ja në vitin 1997, një nga të parët që ndërruan ishte Kryeprokurori i Republikës. Emëruan Arben Rakipin, një jurist në Ministrinë e Drejtësisë, i cili ishte marrë kryesisht me ndërmjetësimin e pajtimit të gjaqeve.

Rakipit nuk iu kërkua asgjë, nuk ju vu afat, si dhe as  objektiva. Mazhoranca e përkrahte dhe opozita e akuzonte si njeri të lidhur me pushtetin. Kjo sidomos kur Arben Rakipi akuzoi 5 ish-ministra të PD-së për sulm ndaj popullsisë së jugut në marsin e vitit 1997. Kjo akuzë minoi dhe situatën e besimit si dhe tronditi për mbi 3 vjet politikën e brendshme. Megjithatë Rakipi nuk u ndal me kaq. Pas 14 shtatorit 1998, kërkoi heqjen e imunitetit ndaj Sali Berishës, lider i opozitës dhe ish-President në atë kohë.

Por një vit më pas, Prokurori i Përgjithshëm mbylli hetimet ndaj Berishës, kur ky i fundit pranoi të dëshmojë për vrasjen e Azem Hajdarit dhe në mes u fut politika.

Lufta e Kosovës në vitin 1999-s sikur e qetësoi politikën dhe u harrua disi Kryeprokurori. Ama vetëm për pak, pasi politika nuk mund ta linte një Prokuror që kishte arritur 4 vite në detyrë duke u fuqizuar vit pas viti.

Natyrisht në atë kohë Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte mandat e afat, por Sali Berisha, Ilir Meta dhe Rexhep Meidani, njëri ish-president dhe lider opozite, tjetri Kryeministër, e i treti kryetar i Shtetit shqiptar u bënë bashkë për ta shkarkuar Kryeprokurorin dhe zgjodhën në këtë post një kandidaturë që bashkonte të dy epoka, një këshilltar që kishte punuar si me Berishën ashtu edhe me Meidanin.

Bëhej fjalë për Theodhori Sollakun, i cili u zgjodh Kryeprokuror pa asnjë process konsultimi, pa asnjë diskutim me palët apo me shoqërinë. Nuk kishte një urgjencë, apo kërkesë prej partive, deputetëve, apo nga organet e drejtësisë, pra gjykatat e vetë prokuroria. Thjesht një ditë të bukur, Ilir Meta për të mos i lënë në dorë Fatos Nanos një armë që mund ta përdorte kundër tij, takoi Berishën, ra dakord dhe me Meidanin dhe ndryshuan Prokurorin e Përgjithshëm.

Dhe tre vjet më pas, Sali Berisha që kishte ardhur në pushtet e ishte bërë kryeministër, Kryeprokurorin që e zgjidhi vetë e cilësoi të “korruptuar” dhe donte ta shkarkonte. Deri në vitin 2007 ç’nuk bëri për ta realizuar këtë qëllim, u përplas me media, opozitë e Presidentin e atëhershëm, Alfred Moisiu. Ndërtoi komisione hetimore dhe harxhoi energji politike pa fund.

Qëllimin e realizoi megjithatë vetëm kur zgjodhi President nënkryetarin e Partisë Demokratike, Bamir Topin. I cili, sapo nisi punën nuk priti fare; pa nisur asnjë proces apo respektuar ndonjë skadencë kushtetuese, shkarkoi Theodhori Sollakun dhe emëroi Ina Ramën si Prokurore të Përgjithshme.

Historia dihet. Pas një viti Berisha dhe mazhoranca u mërzit me Ina Ramën dhe në vitin 2009, në bashkëpunim me Edi Ramën, i vuri afat 5-vjeçar Prokurorit të Përgjithshëm.

Dhe sapo President u zgjodh një drejtues tjetër i PD-së, Bujar Nishani, ai sërish shkarkon Kryeprokuroren. Megjithëse juristët ishin ndarë në dy pjesë në atë që mandati 5-vjeçar i takon Kryeprokurorit të ri, jo atij që është zgjedhur pa pasur mandat. Dhe kështu u zgjodh Adriatik Llalla në krye të organit të akuzës.

Të gjithë e dinin që zoti Llalla është i vetmi Kryeprokuror që është zgjedhur pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese që përcaktojnë mandatin 5-vjeçar. Por sot ka deputetë, madje dhe jurist, Lulzim Basha i pari, që thotë: Më mirë ta shtymë edhe pak mandatin e Llallës. Kurse Balla ka kompetencën kushtetuese që të vulosë së kur është skadenca ligjore e një institucioni Kushtetues.

Pse nuk e dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese? Nuk mblidhet dot se ka mungesë anëtarësh. Pse nuk e bënë një vit më parë? Atëherë Kushtetuesja u bombardua me 20 paditë mbi vetingun…

Prokurori i Përgjithshëm nuk ka qenë asnjëherë në këto 25 vjet një institucion, por një instrument i një apo disa politikanëve kundër të tjerëve. Ndryshimet kushtetuese i japin një mundësi të ndryshme funksionimi me Këshillin e Prokurorisë, por siç duket qëllimisht po zvarritet. /tesheshi.com/