Ligji i plehrave: koordinimi PD-LSI për të zënë në kurth Ramën

Importi i mbetjeve, çështje për të cilën vetë kryeministri Rama u investua publikisht duke e mbrojtur si një mënyrë për të mbajtur gjalë industrinë e riciklimit, duket se është “patatja e nxehtë” në duart e mazhorancës. Ajo kërkon të fitojë simpatinë e publikut me një çështje kaq sensitive, ndërkohë që opozita dy-ngjyrëshe për herë të parë është e bashkuar kundër kësaj nisme, Edhe pse të dyja palët, PD e LSI, janë përlyer më parë në këtë çështje.

I pari ishte Berisha që tentoi të miratonte, por nisma mbeti pezull pas protestave të forta të ambIentalistëve dhe kundërshtimit të opozitës së atëhershme, që është sot në pushtet.

Rama, i cili vetë ishte shprehur se importi i plehrave nuk mund të bëhej, në mandatin e tij të parë bashkë me votat e aleates  LSI, miratoi një variant më të zbutur të ligjit të Berishës për lejimin e importit të disa lloje mbetjesh për riciklim.

Por përsëri debati krijoi efektin e tij, kundërshtia ishte e madhe, madje deri tek “pendesa” e LSI për votën e dhënë.

Presidenti Bujar Nishani e ktheu këtë ligj në Kuvend për rishikim me argumentin se “bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe konventën ndërkombëtare të ratifikuar nga vendi ynë”, por dekreti i tij ka mbetur pezull pa u hedhur në shqyrtim.

Këtu nis loja ligjore dhe politike që sapo ka rihapur debatin për këtë çështje.

Dekreti i Nishanit u fut fillimisht në kalendarin e punimeve 3-javore të Kuvendit, që do të thoshtë ose rrëzim i dekretit nga mazhoranca dhe lënia në fuqi e ligjit të miratuar më parë, ose pranim i dekretit dhe rikthimi për rishikim i ligjit.

Por mazhoranca vendosi të gjejë një gjuhë ekstra-ligjore, duke e hedhur ligjin në një diskutim popullor, të stilit të “dëgjesave me popullin”, që kryeministri zhvilloi pak javë pas zgjedhjeve.

“Nuk ka më projekt-ligj për dekoratat apo për mbetjet. Grupi Parlamentar Socialist do t’i rikthejë në publik për një debat shterrues, bazuar në argumenta jo në akuza dhe në arsye jo në mllef. Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm ka filluar”, deklaroi kryetari i grupit socialist Taulan Balla.

Siç duket hapur, “diskutimi me popullin” kërkohet për të legjitimuar këtë nisëm kaq të ndjeshme, por në vetvete “dëgjesat” nuk kanë asnjë vlerë ligjore sepse nuk mund të zëvendësojnë një referendum bie fjala, apo votën në Kuvend.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të dyja në opozitë, kanë nisur sot një sulm të koordinuar kundër PS-së për ligjin e mbetjeve.

Së pari Petrit Vasili i LSI-së, vuri në dukje se “tërheqja e ligjit për ta çuar në diskutim me popullin” nga ana ligjore nuk mund të bëhet.  “Nuk kemi të bëjmë me pr/ligj për mbetjet, por kemi të bëjmë me ligj. Pra Kuvendi i Shqipërisë për këtë çështje është shprehur me votë. Që nga ky moment po themi pronësia politike e propozuesve qofshin deputetë apo qeveri, ka rënë”- tha ai.

Këtë ngërç ligjor e pranon dhe vetë nismëtari i këtij ligji, deputeti socialist Eduart Shalsi. “Nuk di si do ta tërheqim në aspektin ligjor, por do të ketë diskutim të gjatë. Ka pasur abuzime dhe manipulime të opinionit publik për këtë nismë”– deklaroi sot ai.

Në sulm është hedhur dhe PD-ja e cila kërkon votimin e dekretit të Nishanit dhe referendum popullor.

Deputeti i PD-Së, Florion Mima u propozoi socialistëve dy rrugë për të dalë nga ngërçi: “Dekreti i Presidentit për pezullimin, për mosfutjen në fuqi të ligjit të mbetjeve, duhet validizuar, duhet sjellë në fuqi, dhe e vetmja rrugë për ta bërë këtë, është që ligji të bjerë, të rrëzohet me votim në Parlamentin e Republikës. Kjo nuk është shaka, ju jeni një nga iniciatorët e atij projektligji. Do të ishte nderin tuaj dhe të forcës politike që ju përfaqësoni ta sillni për votim dhe të gjithë deputetët e Parlamentit ta rrëzojnë me votën e tyre të lirë, të bindur se kështu i shërbejnë interesit publik.  Së dyti , keni një kërkesë të opozitës, të legjislaturës së kaluar, e cila thotë se kjo cështje kaq madhore duhet ti drejtohet shqiptarëve, me anë të një referendumi . Sillni të validizuar kërkesën e opozitës për referendumin, lidhur me këtë cështje tejet të ndjeshme, dhe ta votojmë e ti hapim rrugë referendumit”.

Në mandatin e dytë PS-ja ka ndryshuar strategji për importin e plehrave duke e hedhur për diskutim në publik, por LSI dhe PD me anë të mekanizmave ligjore po tentojnë t’a bllokojnë këtë veprim dhe t’a mbyllin një herë e mirë debatin me anë të një votimi në Kuvend. /tesheshi.com/