Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

/LEXO!”/ Metamorfozë përmes dashurisë

Shënime për romanin “Prilli i thyer” të Ismail Kadaresë

Nga Agim Baçi

A duhet ne dhe a mund të mendojmë se në cilin moment i kemi dhënë vetes tonë jetë me kuptim? A mundemi ne të mendojmë, qoftë edhe për një çast, se kur u ndjemë “Njeri”? Diana dhe Gjorgu, personazhet që vijnë e marrin jetë në romanin “Prilli i thyer” të Ismail Kadaresë nuk janë veçse heqja dorë nga jeta pa kuptim dhe mbushja e saj me atë që duhet, me atë që na bën të ndihemi “njeri”.

1-prilli

Në ballafaqimin e tyre të parë ata janë dy persona që nisen nga dy botë krejt të ndryshme drejt së njëjtës Kullë- Diana është në muajin e mjaltit me të shoqin Besianin, ndërsa Gjorgu është në “muajin e vdekjes”, sepse është pikërisht në lejen e vogël njëmujore nga gjakësi. Por pikërisht, në rrugëtimin drejt Kullës ku paguhet “tagri i gjakut”, ndodh metamorfoza, e cila ndizet në çastin kur Diana e Gjorgu shihen veçse për një çast, nga xhami i karrocës.

Atëherë, çfarë ndodh, pasi “dy vështrime përplasen”? Gjorgu, nga një fshatar i thjeshtë, pa shumë dije jashtë Kullës dhe Kanunit, kthehet në një Hamlet malesh, në Princ. Kur i ndodhi vallë ky ndryshim? Në kryqëzim. Pra, atje ku udhët ndërthuren, atje ku ti nuk mund të vendosësh i vetëm për veten tënde, ku nuk mund të vendosësh vetëm brenda botëkuptimit tënd, brenda fuqisë tënde. Duhet diçka më shumë, diçka që e lëviz gjakun me shpejtësi tjetër. Kështu Fati dhe Shpirti përqafohen përmes një vështrimi. Më pas, Gjorgu s’është më njeriu me gjakun e humbur. Ai ka ndjerë lëvizjen tjetër brenda vetes. Ndërkaq, Diana thyen kufijtë, që deri në mbërritjen e saj në “Rrafsh” dukeshin si të pamundur për të bashkëjetuar. Ajo del si një personazh nga libri i të shoqit, Besianit, për të provuar fantazinë dhe merr më pas në librin e saj edhe Gjorgun. Diana lidh botën e padukshme me të dukshmen – vdekjen me jetën.

Diana është heroina e romanit; kuptohet, jo një heroinë e thjeshtë dhe skematike  e social-realizmit – ajo është një heroinë që do t’i shkonte më tepër për shtat galerisë së personazheve të letërsisë ekzistencialiste, ku njeriu merr në dorë fatin e tij, për të vendosur se ç’do të bëjë me të.

Përballë saj qëndron Gjorgu, i cili vjen nga fataliteti – rruga e tij është e përcaktuar më parë. Ndërsa Diana niset nga përjetimi – rruga e saj është fat. Por në derën e vdekjes pak rëndësi ka se nga cila anë vjen – ajo është hyjni. Në pasqyrën e vdekjes qëndron vetë jeta, sepse sfida e vdekjes është sfida për jetën. Kundruall kësaj pasqyre nuk ka asgjë përveç asaj që mund të shfaqësh – përballë asaj pasqyre është vepra e njeriut. Por nëse nuk kemi ç’të shfaqim, ç’fytyrë mund të kemi përballë kësaj pasqyre?  E vetmja gjë që mbetet nga një i vdekur është vepra – nëse në përballjen me atë pasqyrë s’kemi vepër, nuk kemi as fytyrë.

Pra, vijmë në pyetjen e vjetër sa bota: përse jetuam? Të mbajmë fjalën, të nderojnë veten, janë të vetmet gjëra që mund t’ia kujtosh kujtdo, sepse nuk kanë të bëjnë me investimin jashtë vetes. Atje ku mund të jesh mit, ka një kuptim – atje brenda një kulle – brenda një bese- brenda një vdekjeje. Nëse të trajtojnë si njeri qoftë edhe për 24 orë nën besë, ose edhe më mirë, 30 ditë nën shiritin e besës së madhe, a mos është kjo më vlefshme se sa e gjithë jeta diku më tutje?

Ngujimi i Dianës në Kullën ku beson se është ngujuar Gjorgu, është ngujim për jetën. Atje është hija e “Princit të zi”, rrahja ndryshe e zemrës, garancia e të respektuarit, e fjalës me kuptim- e vdekjes me kuptim. Ka një motiv pas çdo lëvizje. Përballë Gjorgut dhe Dianës, përballë fatalitetit dhe fatit, qëndron Besiani-fjala. Në një kuptim Besiani është një alter ego e Kadaresë, jo vetëm për faktin se është shkrimtar.

Nëse dikush arrin të pyesë se përse i duhet ballafaqimi me një të vërtetë, atëherë ai ka nisur rrugëtimin drejt një jete me kuptim. Ndaj, pyetjet që na vlejnë më shumë janë ata  mbi jetën- mbi  jetën e pavdekur, asaj jete ku ka gjithmonë një përpjekje për të dashuruar – për të dashuruar edhe në momentin e fundit, edhe për një sekondë- sepse nëse ka kuptim ta duash këtë jetë, është pikërisht jeta me dashuri. Të mos duash do të thotë të jetosh i vdekur.

A mund t’i besojmë një njeriu që s’ka menduar kurrë në jetën e tij vdekjen? A mund të mbështetemi ne te një njeri që ka frikë nga vdekja, që kërkon t’i shmanget asaj me çdo kusht? Një njeri që s’ka menduar vdekjen mund të bëjë gjithçka në kurriz të dëshirës për të jetuar. Dhe cili është fundi? Një vdekje pa ditur të mbetesh njeri. Dhe cili është rreziku? Një largim nga vetvetja, nga e vërteta, nga mundësia për të ditur kufirin. E nëse je larguar nga ky kufi, cili mund të jetë motivi për të jetuar?

Pra, të mbetesh me sytë nga vdekja nuk do të thotë të kesh frikë, as të ndalesh, përkundrazi, ajo të bën të ndihesh me këmbë në tokë, për fuqinë tënde, e njëkohësisht, për përkohësinë tënde.

Të gjitha këto pikëpyetje, ky rrugëtim dashurie që ndodh në udhëtimin drejt “Kullës së vdekjes” është një sfidë për “lëvizjet e gjakut”, të cilat duhet të jenë lëvizje që udhëhiqen nga dëshira për jetën, sado qoftë ajo – e shkurtër apo e gjatë. Dhe Ismail Kadare, përmes stilit të tij “as ashtu, as kështu – edhe ashtu, edhe kështu” ka mundur të lërë hapur një dritare për imagjinatën. E jo vetëm për kohën kur u shkrua, kur letërsia ishte thuajse dritarja e vetme për të fluturuar, por edhe për më pas, kur duhet ende të gjesh përgjigjet e duhura për t’i dhënë kuptim ditëve.

Diana niset për në Kullën e Vdekjes, por kthehet nga andej si një udhëtare në Kullën e Jetës. Ajo niset drejt Kullës për të parë me sytë e saj “madhështinë e tmerrshme të vdekjes”, ndërsa kthehet me “drithërimën e ëmbël të jetës”. Kjo fitore e Dianës është përgjigja për pyetjen që qëndron pezull mbi romanin: Cila jetë vlen, ajo e gjata apo ajo me kuptim? Diana që vjen si hije, që niset si spektatore, i nxjerr të gjithë nga skena. Të gjithë dilemën ajo e fut në një prej kullave të ngujimit, e del prej andej e vendosur për t’i dhënë kuptim ndjenjës, jetës. Diana është e vetmja që kalon rrathët – rrathët e jetës së mbyllur brenda “tregimeve kryeqytetase” dhe rrethin e “jetës brenda gjakut”. Ajo i lidh të dy këta rrathë të ekzistencës, për t’i dhënë zgjidhje asaj që duhet të bëjë kushdo – të guxojë të jetojë kudo, sepse vetëm të guxosh të jetosh përmes dashurisë, ia vlen.

Ndërkaq, gjaku borxh për hasmin i Gjorgut zhvendoset në gjak borxh për dashurinë. Ai nuk e di se kush mund ta vrasë, aq sa edhe nuk e di se cila është zonja në atë karrocë. Por ai e di që mund të vritet, siç e di se pas atij xhami ishte jeta tjetër. Një gjendje e qelqtë e ndan, si vetë xhami. Por ai vendos t’i kthejë shpinën frikës e të nxitojë ta takojë sërish atë vështrim. Dhe rikthehet të kalojë nga ajo rrugë edhe pse e dinte se “ishte jashtë bese”. Por ai kishte tashmë Besën ndaj Vetes. Dhe kjo ishte e mjaftueshme që ai “të nxitonte”. Në fund, Gjorgu arrin t’i kthejë tridhjetë ditët e vdekjes së sigurt në ditë jete. Ai arrin të takojë atë që i kish munguar dhe në fund, në peshore, tridhjetë ditë rezultojnë  më të gjalla se e gjithë jeta e mëparshme. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts