Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

LETRA/ Pandjeshmëria e një komunisteje: Nexhmija (Hoxha) i shkruan Nakos (Spiru) për pushkatimin e Ramizesë (Gjebresë)

Nexhmije Hoxha, gjatë viteve të luftës ishte një prej drejtueseve të rinisë bashkë me Nako Spirun, Liri Belishovën, Ramize Gjebrenë, e shumë të tjerë që më vonë spikatën në arenën politike të regjimit komunist, por edhe që u elemininuan në fund të luftës apo në vitet e para të regjimit.

Përveçse një drejtuese e strukturave të rinisë ajo ishte edhe e fejuara e Enver Hoxhës dhe gjatë viteve të luftës kishte influencën e saj tek diktatori. Një prej ngjarjeve gjatë luftës, ku emri i Nexhmije Xhuglinit (Hoxha) përmendet si bashkëpunëtore apo që kishte njohuri në ngjarje por nuk ndërhyri me qëllim, ishte pushkatimi i shoqes së saj të shkollës Ramize Gjebrea.

Nexhmije Xhuglini dhe Ramize Gjebrea njiheshin bashkë që në vitet e shkollës në institutin “Nana Mbretneshë” në Tiranë.

Letrat e shkëmbyera mes tyre dhe anetarëve të tjerë të rinisë komuniste gjatë luftës dëshmonin se kishin miqësi të afërt me njëra-tjetrën.

Ramize Gjebrea kishte spikatur gjatë viteve të luftës në levizjen NacionalÇlirimtare, por ndryshe nga direktivat e dhëna prej Mugoshës dhe Popoviçit, ajo artikulonte hapur se e ardhmja e çështjes së Kosovës, pas Luftës ishte veçse me Shqipërinë. Për këtë arsye, por edhe për shkak se Gjebrea ishte mjaft e zgjuar dhe me influencë në rradhët e të rinjve,  ajo duket se ishte vënë në shenjestër prej çiftit Hoxha-Xhuglini. Në atë kohë Ramize Gjebrea ishte e fejuar me Nako Spirun.

Por në muajt e parë të vitit 1944, ndërsa ishte dërguar me detyrë në Vlorë, ku për shkak të Operacionit të Dimrit ishte izoluar së bashku me Brigadën e 5-të në malësitë e Vlorës për muaj me rradhë, Gjebra do të përjetonte një flirt dashuror me komandantin e Himarës Zaho Koka, një prej njerëzve më me influencë në zonën e Bregut.

Në fund të shkurtit 1944, sipas një varg letërkëmbimesh që ruhen në Arkivin e Shtetit, duket se po përgatitej një gjyq ku do të eleminohej Ramize Gjebrea.

Fillimisht bëhet bujë e madhe për skandalin e dashurisë, duke e lidhur më pas atë me faje politike (kanë dështuar punën dhe luftimet në brigadën e 5-të). Por fillimisht ishte “dashuria skandaloze”.

Në letrat e disa partizanëve dhe drejtuesve të Brigadës së 5-të, drejtuar Nexhmije Hoxhës dhe Hysni Kapos, artikulohet me detaje perverse ky skandal i madh (dashuria mes Zahos dhe Ramizesë).

Në letrën që i dërgohet Nexhmije Xhuglinit që atë kohë mbante pseudonimin “Delegatja”, shoku i përbashkët i dy të rejave nga qarkori i Rinisë, Ramadan Xhangolli, pasi përshkruan në detaje flirtet e çiftit Gjebrea-Koka, shkruan se për këtë çeshtje duhej lajmëruar edhe shoku i tyre i përbahskët, dhe i fejuari i Ramizesë, Nako Spiru. Por Nexhmija preferon ta mbajë të fshehtë nga Nako Spiru këtë ngjarje dhe do t’i tregojë atij se kishte dijeni mbi ngjarjen vetëm pasi ajo të pushkatohet.

Një gjyq i sajuar partizan me akuza absurde (ku kundër saj kishte dëshmuar vetë shoku i Ramizesë dhe i Nexhmijes, Ramadan Xhangolli, do të çonin në një skenë makabre që tronditi gjithë zonën e Vlorës. Ramizë Gjebrea ishte nxjerrë para një toge pushkatimi dhe e kishin lënë të vdekur pas një breshërie plumbash. Ndërkohë, Nako Spiru, i fejuari i saj, nuk ishte njoftuar as për letrat mbi dashurinë e re të të fejuarës së tij, as për gjyqin absurd ku dëshmonte shoku i tyre i qarkorit të Rinisë.

Disa ditë më pas, kur ngjarja kishte marrë dhenë, Nako Spiru i tronditur nga çfarë kishte mësuar, i shkruan një letër Enver Hoxhës ku e dënon ashpër aktin e paprecedentë. E menjëherë pas letrës së tij, veç një letre nga Hoxha, ai merr edhe këtë letër nga Nexhmije Xhuglini.

I dashur shok,

Me pak vështirësi munda të arrinj në vendin e  caktuar. Kam një javë e ca që jam këtu, po akoma s’jam shtruar mirë të jap e të marr për sa jam ngarkuar, pse këta kanë qenë shumë t’okupuar. Me gjithë atë kam përfituar mjaft pse kam takuar shumë shokë që kishin ardhë për kursin; po të kisha ardhë ca më parë do të arrija dhe kursin. Jemi këtu me Shpuzën. Përveç të tjerave ne kemi biseduar, veçanërisht si antarë të K.Q. të R. për çështjen e hidhur të Interesantit (Ramize Gjebrea). Që të dy nuk jemi aspak d’akord për pushkatimin e saj, e gjejmë si dënim të ashpër dhe të pa peshuar. Duhet të të them, shoku Nako se me letrat që erdhën nga Vlora kur isha atje, kisha një letër nga Xhakoja (Ramadan Xhangolli) ku më komunikonte ngjarjen e Interesantit dhe më thoshte që të t’a komunikoja ty. Por un nuk pata guzimin të t’a them, tue dijtë se ti kishte mjaft preokupacione për punën e Partis, ishte nervoz dhe i dobët dhe se aj komunikim do të të shkaktonte nji tronditje shpirtrore. Un mendonja që do t’isha un që do t’i raportonja K.Q. të P. këtë gjë dhe as për nji për qind nuk më shkonte në mend për nji vendim të tillë. Sigurisht kjo më dëshpëroi mjaft, por ish punë e mbaruar.

Un jam e bindur që ti do të qëndrosh i fortë përpara kësaj ngjarje të hidhur e që ti do të punosh më me vullnet, të jesh këshilltari i palodhur i Komitetit t’onë dhe drejtuesi i rinis. Ti e sheh se sa punë e sa edukatë duhet për shokët e partis, për udhëheqësit e saj e jo më sa punë duhet për brumosjen e mirë të rinis s’onë, me nji frymë e edukatë vërtet komuniste. Ne komunistat në çdo situatë e moment jemi të lumtur pse kemi gjithnjë një gjë të lartë e të dashur që mund t’i a konsakrojmë jetën t’onë, kemi Partinë t’onë që pret shumë nga ne. E sigurisht ti në këto momente do t’a duash Partinë më shumë se kurrë dhe do të mendosh për të më shumë se më parë.

Kam mjaft për të shkruar, por kurieri nuk pret shumë dhe ne u vonuam që të shkruanim qarkoren që po të dërgojmë. Për gjith sa shtrohet aty kemi biseduar me K.Q. dhe na u këshillua nga ay. Shikoje dhe ti, shumzoje dhe dërgoja Shkodrës, Elbasanit, shokëve të Durrsit, sa për të tjerat i nisim ne këndej. Po të kesh ndonji vërejtje që ne nuk e kemi vënë në duk lajmërona sa më parë.

Duhet t’organizojmë Kongresin e Rinis Antifashiste, ne po mendojmë Kongresin e Rinis Antifashiste, ne po mendojmë për këndej ti për në Veri. Lajmëro të pregatiten e të caktojnë delegatët. Për referatet do merremi vesht më vonë. Bashkë me qarkoren shkruaju nga një letër. Rinija vete mjaft mirë e sidomos në Brigada.

Për çështjen e delegatëve në Kongresin e Rinis Antif. Jugosllave të ka shkrue Tarasi. Un u mpreha mjaft, por s’fitova gjë. Mendo dhe ti për delegatët dhe para se të nisen udhëzoi mirë e mirë. Ti e din vetë ma, mos na turpërojnë…

Un nuk e di kur do ë kthehem atje, por sa ma parë, por tashti që po ikën Shpuza mund t vonohem ca. Me 8 të këtij m. kam lënë një pjekje me Xhakon në Përmet. Atje ësht dhe Alimi.

Po të shkruej copa copa pse po nxitohem. Me Shpuzën mund të dërgoj fjalë mbi sa kam marrë shënime e raporte. Më shkruaj dhe mua. Si jeni andej? Si vete rinija, gratë? Shif se mos bëjnë gratë ndonji trakt për 7 Prill se kur ika kishin propozuar dhe un nuk ju përgjegja.

Thuaj dhe Hysenit për nxjerrjen e shokëve që kërkojnë se na bënë qepaze.

Të fala të gjithëve, Lames, Hysenit e të tjerëve të rinis. Gjithashtu dhe familjes ku rrini dhe nga shtëpija t’ime po të mundeni.

Të fala shoqnore

Delegat

4/IV/44

ARKIVI QENDROR I P.P.SH.

Nr. 88 dat. 3.12.1962

I gjithë teksti i letrës dëshmon ndjeshmëri zero nga Nexhmije Hoxha për ekzekutimin e shoqes së saj të ngushtë, por kjo letër dhe i gjithë dokumentacioni mbi këtë ngjarje dëshmojnë se nëse nuk ka qenë vetë Nexhmije Xhunglini e Ramadan Xhangolli iniciatorët e kësaj ngjarjeje me bekimin e Enver Hoxhës, të dy ata kishin në dorë ta pengonin ekzekutimin, duke i shkruar Nako Spirut, i cili njihej si person mendjehapur.

Me shumë gjasa Spiru do ta dënonte aktin e “tradhëtisë” ndaj tij si i fejuar, por nuk do të lejonte kurrësesi ta pushkatonin të fejuarën e tij,  gjë që e dënon ashpër në letrën që i shkruan Enver Hoxhës pasi ka marr vesh lajmin e pushkatimit. /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts