728 x 90 Leaderboard

Ku është trupi i Khashoggi-t? Al Jazeera: gjurmë acidi dhe kimikatesh në shtëpinë e konsullit saudit në Stamboll

Jamal Khashoggi humbi jetën tragjikisht në konsullatën e vendit të tij në Stamboll më tepër se një muaj më parë, në një eliminim të pastër dhe të paramenduar, por ende mbetet mister se ku ka përfunduar trupi i tij.

Teori të shumta ka patur për fatin e trupit të gazetarit të ndjerë, ndërsa Al Jazeera njofton sot se në shtëpinë e konsullit të Arabisë Saudite janë gjetur gjurmë acidi dhe lëndësh të tjera kimike.

Al Jazeera pretendon se një burim në zyrën e prokurorit të përgjithshëm të Turqisë i ka deklaruar se autoritetet saudite kanë përdorur acid dhe kimikate për zhdukjen e trupit të gazetarit të vrarë.

Nga ky burim është pohuar se në një mur të shtëpisë së konsullit të përgjithshëm saudit, Mohammed al-Otaibi, në Stamboll janë gjetur gjurmë të acidit hidroflorik dhe të kimikateve të tjera.

Sipas raportuesit të Al Jazeera-s nga Stambolli, gjurmët janë gjetur në mostrat që hetuesit turq patën marrë gjatë kontrollit mesin e tetorit në shtëpinë e konsullit saudit.

Mjetet turke të informimit e përcjellin sot të njëjtin lajm, por duke iu referuar Al Jazeera-s.

Kjo e fundit risjell në vëmendje dhe një deklaratë të bërë më 2 nëntor të Yasin Aktay-it, një ndihmës i presidentit turk dhe ndjekës nga afër i çështjes Khashoggi: “Arsyeja pse e copëtuan trupin e Khashoggi-t ishte që të shkriheshin më lehtë mbetjet e tij.”

Provat e zbuluara ditë pas dite po e bëjnë gjithnjë e më të plotë tablonë e vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi. Gjetja e trupit të tij mund të rezultojë sipas të gjitha gjasave një mision i pamundur. /tesheshi.com/  

 

Related posts