Kriza raketore, Rusia: Shpresojmë që SHBA të përmbahet nga provokimi i Koresë së Veriut

“Rusia shpreson se Shtetet e Bashkuara do të përmbahen nga provokimi i Koresë së Veriut”, tha para gazetarëve përfaqësuesi i përhershëm i Moskws në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzja.

Në lidhje me deklaratat e ashpra të presidentit Trump, Nebenzja u përgjigj: “Ne kemi marrë në konsideratë fjalët e tij. Ne me të vërtetë duam që Shtetet e Bashkuara të përmbahen nga çfarëdo veprimi që mund të provokojë anën tjetër të ndërmarrë veprime të rrezikshme”, njofton Sputnik.

Ai tha se vendosja e sistemit të mbrojtjes raketore nga SHBA në rajon, nuk e zgjidh problemin e mbrojtjes kundër raketave balistike.  Ai shtoi se Rusia është e gatshme që të ndihmojë në çdo mënyrë dialogun mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Të martën, presidenti premtoi se do t’i përgjigjet Koresë së Veriut me “zjarr dhe me tërbim” ndaj provokimeve të mundshme, ndërkaq si përgjigje Penhiani kërcënoi me sulme raketore në Guam.

Një zëdhënës i ushtrisë së Koresë Veriore, në një deklaratë të cilën e transmetoi agjencia e lajmeve KCNA, tha se sulmi mund të kryhet në cilëndo kohë që lideri Kim Jong-un të marrë vendim.

Koreja e Veriut nuk mban asnjë sekret mbi planet e saj për të zhvilluar raketa bërthamore të afta për të arritur në Shtetet e Bashkuara dhe po injoron sistematikisht thirrjet ndërkombëtare për të ndaluar programet bërthamore dhe ato raketore. /tesheshi.com/

 

Related posts