Auto Dak
Auto Dak

Kristaq Kume: Pozita delikate e KQZ-së për certifikimin e kryebashkiakëve të rinj

Eva Gjura

 

Ish-kreu i KQZ një ekspert I njohur i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume në një intervistë për ‘tesheshi.com’ komenton situatën para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore. Ai shpreson që politika të lërë të punojë të qetë Komisionin Qëndro të Zgjedhjeve, tashmë që u plotësua me shtatë anëtarë. Z. Kume thekson se ne kemi një infrastrukturë ligjore mjaft të mirë për të zhvilluar zgjedhje sipas standardeve Europiane, mjafton që klasa politike, zgjedhësit, administrata zgjedhore ta zbatojnë këtë ligj. Duke u ndalur tek problemi sesi mund të administrojë KQZ personat me rekorde kriminale duke mos i lejuar të bëhen pjesë e këtij procesi zgjedhor, z. Kume shprehet me këtë ligj zgjedhor që kemi, administrata zgjedhor,  KQZ-ja,  i ka pothuaj zero mundësitë për të kontribuar në mos regjistrimin apo mos futjen në garë të personave më të kaluar me rekorde kriminale.

-Zoti Kume tashmë  janë plotësuar vendet vakante në KQZ dhe për herë të parë në historinë e këtij institucioni shumicën e komisioni e ka opozita. Mendoni se ky institucion tashmë mund të vijojë punën e tij pa probleme?

Fakti që Komisioni Qendror i zgjedhjeve sot është në punë me 7 anëtarë ashtu  siç e parashikon ligji, për mendimin tim nuk përbën asnjë risi është një gjë fare normale, por referuar asaj çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara të tërheq vëmendjen dhe bëhet edhe pyetje për të. E gjitha kjo flet për faktin, që ndaj këtij institucioni, në përgjithësi  qëndrimi nuk ka qenë në përpurthje sipas interesave të ligjit, qëndrimi i partive politike dhe i subjekteve politike është një qëndrim që mbi të gjitha ka qenë i formuar si i tillë, nga interesi i këtyre partive për të gjetur  të gjitha mundësitë për ta përdoruar këtë institucion. Fakti që aktualisht KQZ sipas pyetjes nuk është më i mazhorancës, por është i opozitës, po t’i referohemi  kërkesës formale të ligjit unë do të thosha se është një pyetje që nuk i përgjigjet realitetit ligjor. KQZ sipas asaj çka kërkohet në kodin zgjedhor është i ndërtuar në bazë të parimit dhe përfaqësimit dhe balancimit të plotë politik. Dy krahët e mëdhenj të politikës shqiptare, pozita dhe opozita janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në këtë komision. Tre anëtarë i ka mazhoranca dhe tre opozita, në kuptimin që i kanë propozuar mazhoranca dhe opozita, kurse anëtari i katërt ose kryetari i KQZ, nuk ka ardhur në këtë komision si rezultat i propozimit të ndonjë krahu politik, por si rezultat i një procesi konkurrimi , në të cilin u ftuan në atë kohë të gjithë shqiptarët që plotësonin kushtet për të marrë përsipër këtë detyrë dhe që dëshironin ta merrnin këtë detyrë. Në fund të atij procesi ishte Lefteri Luzi, e cila fitoi dhe u mandatua si kryetare e KQZ.  Natyrisht që pyetja juaj vjen nga fakti që në fund të fundit, megjithëse ligji kishte këtë risi, vendimi fundor ishte produkt i vullnetit të mazhorancës sepse në ligjin zgjedhor parashikohet që në fund kryetari i KQZ zgjidhet më shumicën e thjeshtë. Fakti që sot siç ka deklaruar mazhoranca aktuale, konkretisht z. Meta , që ne kemi vullnetin që ta lejojmë këtë institucion  të punojë kështu siç është, pra të mos bëjmë ndërhyrje  siç është realizuar në zgjedhjet e mëparshme, për të pasur të qartë mazhorancës në të, pra katër anëtarë, qartësisht ne lidhur me ne, për mendimin tim duhet lexuar si shprehje e një vullneti pozitiv për një pozicion të ri, të ndryshëm, të klasës politike,  ndaj këtij institucioni. Le te vazhdojmë të shpresojmë se kjo është  e tillë dhe jo pjesë e propagandës.

Zoti Kume në këto zgjedhje do të kemi  61 njësi bashkiake, mendoni se KQZ do ta administrojë më me sukses këtë proces?

Administrimi i zgjedhjeve për Pushtetin Vendor nuk është vetëm detyrë dhe përgjegjësi e KQZ.  KQZ, po është institucioni kryesor, por një pjesë të mirë të peshës së punës për administrimin e procesit e mbajnë komisionet e nivelit të dytë, komisionet zonale.  Fakti që zgjedhjet nuk zhvillohen më në 380 e ca njësi, por zhvillohen në 61 njësi vendore, nuk përbën në parim, për mendimin tim lindje vështirësish ose lehtësira për të administruar procesin zgjedhor. Në fund të fundit asgjë nuk ka ndryshuar  në parim dhe në detyrimin që kanë pjesë të administratës zgjedhore për të administruar procesin. E rëndësishme është që secili dhe për çdo gjë të zbatohet ajo çka parashikon kodi zgjedhor. Këtu mund të hapet një parantezë, nëse kodi zgjedhor aktual  arriti me  amendimet që iu bënë këtij kodi të  pasqyrojë  një realitet të ri, pra fakti që zgjedhjet të zhvillohen  ne 61 njësi bashkiake  të mëdhaja, për të cilat në rastin e zgjedhjeve të mëparshëm  për bashki të këtij niveli , kodi zgjedhor kishte adoptuar zgjedhjet ndryshe  nga këto që janë sot. I referohemi këtu rastit të bashkisë së Tiranës, bashki  e cila për nga madhësia është më e vogël ndoshta sesa bashki të tjera që kemi sot në këto 61 dhe për administrimin e procesit zgjedhor në të, funksiononte  sipas kodit zgjedhor  11 komisione zonale, që ishin korresponduese të 11 njësive bashkiake. Ishte një zgjidhje e tillë, sepse pranohej që  kishte vështirësi në mirë administrimin e votës  të zgjedhësve në njësi kaq të mëdhaja. Aktualisht në kodin e ri zgjedhor  dhe në mënyrën e administrimit të procesit zgjedhon, në bashki për nga madhësia sa ish-bashkia e Tiranës ose pak më të  mëdhaja, nuk është marrë parasysh një gjë e tillë. Ndoshta kjo mund të sjelle pengesa vështirësi në administrim.

Si mund të kemi një  Komision Zgjedhor të pavarur?

Vetëm në qoftë se, ata të cilët zgjedhësit shqiptarë i ka mandatuar për të bërë ligje dhe për të qeverisur vendin, marrin vendimin dhe shprehin vullnetin për të hequr dorë nga e drejta e madhe që i kanë njohur vetes së tyre për të qenë pjesë e administrimit të procesit zgjedhor, ndryshe nuk bëhet. Pra duhet të kenë vullnetin dy partitë politike për të hequr dorë nga kjo e drejtë që ia kanë njohur ato vetes së tyre dhe gjithçka pastaj është plotësisht e mundshme për tu bërë . Është kërkuar që në terrenin shqiptarë të gjenden mundësi, të adaptohen zgjidhje,  të cilat mund të bënin sa më shumë të jetë e mundur zvogëlimin e hapësirave të interferimit  të partive politike në procesin zgjedhor.  Një ndër zgjidhjet e eksperimentuara ka qenë ajo që parashikohej në kushtetutë lidhur me KQZ, si një komision, i cili formohej si i tillë, jo si produkt i propozimeve që vinin nga partitë politike, por si produkt i propozimit që vinin nga institucione të ndryshme, siç ishte presidenti, KLD, dhe kështu me radhë. Ishte për mendimin tim, një eksperiment legjislativ, i cili dështoi, nuk arriti asnjëherë klasa politike shqiptare që ka përtypte këtë zgjidhje legjislative dhe ta vendoste në këtë mënyrë KQZ, në pozitat e një institucioni, në të cilin të mos interferonte në mënyrë negative vullneti i garuesve. Ky eksperiment i dështuar për mendimin tim është një ndër faktorët, që të bën të stepesh dhe të përgjigjesh nëse të behët kjo pyetje në mënyrë negative. Mungon  vullneti, mungon kultura, mungon përgatitja jo vetëm psikologjike, por shumë më tepër sesa kaq, e formimit demokratik i klasës sonë politike për të pranuar zgjidhje, të cilat do të ishin ndryshe nga ato që zbatohen deri sot. Në të mirën e procesit zgjedhor do të ishte që ky të administrohej  nga një institucion, i cili të formohej sipas parimeve, siç  formohet administrata publike, sepse shanset që anëtarësia e një institucioni të tillë të zbatonte më mirë dhe korrekte kërkesat e ligjit pa asnjë lloj ndikimi dhe influence nga partitë politike, do të ishin më të mëdhaja, jo pse duke qenë një institucion i formuar sipas parimit administrata publike do të ishte një institucion i pavarur. Të pavarur e kemi edhe sot KQZ, ky është thelbi ligjor, por mundësitë për ta realizuar praktikisht këtë cilësi, për të formësuar këtë cilësi në sjelljen dhe në vendimmarrjen e këtij institucioni , gjatë administrimit të procesit zgjedhor , për mendimin tim do të jenë më të mëdhaja, nëse ky do të formohet sipas këtij parimi që thashë.

Të pavarur, teorikisht, sepse praktikisht të gjithë anëtarët janë emra ose figura që vijnë nga partitë politike ?

Komisioni i sotëm ndërtohet mbi përfaqësimin dhe balancimin politik, dhe jo vetëm komisioni por gjithë administrata zgjedhore, e cila ndërtohet si e tillë. Duke e ndërtuar kështu e ke brenda mundësinë e përdorimit,   të tyre gjatë procesit të administrimit dhe të vendimmarrjes nga subjektet politike, që i kanë dërguar i kanë propozuar për të qenë anëtarë të këtyre institucioneve, gjë që nëse ndodh ndryshe, nëse ndërtohet sipas parimit, administrimit, administrata publike sipas konkurrencës, dhe meritës, mundësitë e përdorimit nga partitë politike janë teorikisht  më të vogla.

Kodi Zgjedhor aktual a ka nevojë për ndryshime?

Këto zgjedhje zhvillohen në zbatim të një legjislacioni zgjedhor, i cili po përdoret si i tillë për të tretën herë. Është një legjislacion i cili është vlerësuar si një ndër arritjet më të mira të vendit tonë në kuadër të zgjedhjeve, por që po ashtu është theksuar në mënyrë të vazhdueshme nevoja për ndërhyrje për ta mirë rregulluar këtë. Nevoja, të cilat janë shprehur qoftë nëpërmjet rekomandimeve të dhëna nga komisionet e vëzhguesve ndërkombëtarë, qoftë edhe nga rekomandimet e dhëna qoftë nga vëzhguesit vendorë dhe të tjerë institucione që kanë marrë pjesë në proceset zgjedhore. Kësaj radhe, në Kodin Zgjedhor nuk u ndërhy në të, për të pasqyruar ndryshime të cilat do t’i shërbenin ngushtimit të hapësirave ligjore për shfaqjen e të njëjtave fenomene me ato me të cilat jemi ndeshur në zgjedhjet e kaluara. Ndërhyrjet , kujtoj janë bërë për të bërë të mundur zbatimin e tij në kushtet e hartës së re territoriale, u hoq termi komunë dhe u zëvendësua me termin bashki dhe kështu me radhë. Për mendimin tim do të ishte dashur  të ishte me e zhvilluar ajo që quhet reformë zgjedhore për ta mirë rregulluar këtë kuadër ligjor , në funksion të  zgjedhjeve që jemi duke realizuar për të mos u përsëritur situata të mëparshme. Midis të tjerave si argument të kësaj që po them unë mund të sjell , në vëmendjen tuaj çka ndodhi me KQZ në zgjedhjet e kaluara dhe çfarë arriti të reagonte ndaj asaj gjëje ligji zgjedhor. Kujtojmë që tre anëtarë të KQZ dhanë dorëheqjen  dhe ndërkohe kodi zgjedhor si produkt legjislativ nuk kishte asnjë mundësi që ta ndalonte  një situatë të tillë dhe po ashtu ajo çka mbetej për tu bërë ishte si e tillë vetëm pse e vullnetit politik. Nuk donte partia përkatëse politike dhe KQZ  mbeti deri në fund me 4 anëtarë. Mund të përsëritet kjo situatë edhe në këto zgjedhje, asnjë ndryshim nuk është reflektuar në kodin zgjedhor, për të ngushtuar ose për të zeruar mundësitë e një sjellje të tillë. Unë do të thosha se do të ishte e nevojshme që në kodin zgjedhor të vendoseshin dispozita të tilla ligjore të cilat ta zeronin mundësinë e një sjellje të tillë të anëtarëve të këtij komisioni , të zeronin mundësinë që ata të jepnin dorëheqjen gjatë procesit zgjedhor e kështu me radhë. Nuk është bërë dhe një ndër arsyet për të argumentuar atë që unë thash ishte dashur të paraprihej procesit zgjedhor me reformën zgjedhore  të radhës.

Si mund të veprohet nëse subjektet zgjedhore kanë paraqitur kandidatë për kryetar bashkie ose anëtarë të Këshillit Bashkiak persona pa rekorde kriminale?

Përgjigja është KQZ nuk mund të veprojë dot në funksion dhe për të realizuar qëllimin që ju sapo thatë, pra futjen në garë të personave me rekorde kriminale. Ishte pjesë e diskutimit përpara disa kohëve kur filluan të dilnin në opinionin publik emra të atyre që mund të garonin në procesin zgjedhor. U lakua nga klasa politike se çfarë mund të bëjmë dhe si mund ta bëjmë  për të ngushtuar hapësirat e futjes në garat zgjedhore të personave me rekorde kriminale , praktikisht e gjitha mbeti në nivelin e deklarimeve, në nivelin e propagandës, asgjë nuk u bë, asnjë ndryshimin nuk u realizua në kodin zgjedhor për ta bërë të  mundshme një gjë të tillë, që do të thotë për të bërë të mundshme një gjë të tillë  që do të thotë për të bërë të mundshme aktivizimin dhe veprimin e KQZ  për të parandaluar futjen në garë të personave të tillë, pra me këtë ligj zgjedhor që kemi, administrata zgjedhor KQZ i ka pothuaj zero mundësitë për të kontribuar në mos regjistrimin mos futjen ne garë të personave më të kaluar me rekorde kriminale.  Ishte mundësia nuk u përdor, shprehje e mungesës së vullnetit politik për ta bërë dhe për tu shprehur se gjithçka u tha ishte pjesë e deklaratës dhe e diskurit politik.

Lista zgjedhore ende nuk është publikuar. Cili është mendimi juaja a do të përballemi me problemet e përhershme apo tashme e kemi kaluar këtë ngërç?

Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve që për të ushtruar të drejtën e votës duhet me domosdo të kesh emrin në listë, në të kundërt edhe kryetar i KQZ të jesh  nuk mund të votosh dot, nëse emri yt nuk është në listë. Që do të thotë se lista zgjedhore është një dokument kryesor  i procesit zgjedhor në Republikën e Shqipërisë. Kjo ka bërë që edhe energjitë e shpenzuara për ta realizuar në mënyrë më të mirë të mundshme këtë dokument kanë qenë vërtet të mëdhaja, si rrjedhoje nga proceset zgjedhore, të cilat janë anatemuar vetëm si rrjedhojë e faktit që listat zgjedhore kanë pasur probleme të mëdha brenda vetes së tyre, sot ne kemi arritur, kujtoj dy proceset e fundit zgjedhore, për të cilat nuk është konsideruar dhe nuk ka qenë pjesë e diskurit  për rezultatin ose për ecurinë e procesit lista e zgjedhësve, por u konsiderua si një rezultat i mirë përgatitur në kuptimin që pavarësisht problemeve që ka brenda është i tillë, që nuk shpie në deformimin e vullnetit të zgjedhësve. Natyrisht duke qenë lista e zgjedhësve produkt i regjistrit kombëtar të shqiptarëve, mundësitë për përditësimin dhe rregullimin e vazhdueshëm të saj janë gjithmonë të hapura dhe këto mundësi, në dijeninë time në mënyrë të vazhdueshme janë përdoruar prej institucioneve përkatëse. Pra në të shumtën e tyre, lista e zgjedhësve është një produkt i arrirë. Mundësitë për ta përdoruar brenda asaj çka lejon ligji eksitojnë.  Lëvizja e qytetarëve me gjendje civile nga një qytet në tjetrin  është një proces referuar ligjit në mënyrë formale. Është një proces ,i cili si i tillë të krijon mundësitë për tu përdorur. Masa e përdorimit të tij natyrisht pastaj duhet vlerësuar hap pas hapi për tu parë sesa dhe si ka ndikuar apo do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme. Unë do të thosha që ligjërisht nuk kemi të bëjmë me shkelje të ligjit por kemi të bëjmë me abuzim të mundësive që të jep ligji. Gjë që është e dënueshme, por më shumë moralisht se ligjërisht zor s mund të gjesh shteg për ta dënuar si i tillë.

Pse ne me një numër kaq te vogël zgjedhësish e kemi problem numërimin e votave dhe nuk arrijmë te kemi teknologjinë e numërimit siç ehte ne vendet e tjera?

Sepse proceset zgjedhore ne Shqipëri zhvillohen në terrenin e asaj që quhet mosbesim midis palëve. Unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur që në fund të fundit një proces zgjedhor, është ndër proceset më të thjeshta që mund të realizohen. Por duke qene se ky proces i thjeshtë produkt të tij ka marrjen e pushtetit  dhe pushteti pastaj është kulmi që synon çdo subjekt çdo parti politike, janë pikërisht këto subjekte partitë politike të cilat bëjnë ç’ është e mundur që të ndërtojnë rregulla të tilla, që ta mundësojnë sa më tepër realizmin e objektives së tyre, marrjen e pushtetit. Në këto kushte dhe duke iu referuar mjedisit në të cilat zhvillohet siç është mjedisi shqiptarë një shoqëri në zhvillim e sipër  të kapaciteteve dhe performancave demokratike të saj, produkt i gjithë kësaj sjellje që ka në bazë mosbesimin midis palëve është ndërtimi i rregullave sa më të sofistikuara jo për të mirë administruar procesin, por për të pasur sa më tepër mundësi, që ta kontrollosh tjetrin që behet pjesë e këtij procesi. Kjo ka bërë që edhe numërimi i votave tek ne të zhvillohet sipas procedurave që po t’ia thuash dikujt tjetër me demokraci të zhvilluar çuditet. Ç’ është kjo që bëhet! Kur një votë për tu lexuar si e tillë nga një komision me katër veta duhet ta lexojnë të katër, duhet t’jua tregojnë një për një vëzhguesve  ta shfaqin në një ekran dhe kështu me radhë. Pra është mos besimi i cili ka bërë që tek ne të ndërtohen rregulla të tilla për vlerësimin e votave të cilët e zgjasin dhe e stërzgjasin procesin. Është pikërisht dëshira për ta kontrolluar procesin, mundësisht edhe për të ndërhyrë pastaj me instrumente  jo legale në vlerësimin e votave dhe numërimin e tyre, e cila bëri që të dështonte edhe projekti pilot për numërimin elektronik nëpërmjet skanimit në qarkun e Fierit. Pse? Sepse, nëse ti beson instrumenti e bën punën dhe nuk ndërhyhet në të, vetëm pasi e ke këtë besim nuk ke pse të mos e përdorësh. Një instrument është i ftohtë ndaj emocionit dhe nuk mund të përdoret . Duke qenë se është kështu partitë  politike u shprehen formalisht se janë për përdorimin e teknologjisë duke e pasur që në fillim të marrë vendimin, që do të bënin gjithçka për ta dështuar atë ide, siç e dështuan.

Sipas jush cilët mund të ishin elementët që do të shërbenin për arritjen e standardeve në zgjedhjet e 21 qershorit 2015?

Po qe se arrijmë ta realizojmë procesin zgjedhor në standardet e kërkuar Europiane, vullneti pozitiv për të zbatuar ligjin. Ne kemi një ligj të mirë, ne e zbatojmë keq ligjin. Po qe se të gjithë garuesit  të gjithë pjesëmarrësit në një proces zgjedhor dhe me pjesëmarrës në proces zgjedhor kam parasysh partitë politike, kandidatët, administrata e procesit zgjedhor deri tek numëruesit, qytetarin si një ndër aktorët kryesor të procesit zgjedhor, nëse të gjithë këta zbatojnë ligjin në germë dhe ne frymën e tij, procesi zgjedhor  tek ne do të jete me rezultate të cilat arrijnë të realizojnë standardet më të larta zgjedhore dhe gjithçka çka parashikojnë  në trashëgiminë zgjedhore Europiane.

/tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts