Kreu i diplomacisë turke në Tiranë, mesazhe anti-Gylen: shkëpusni lidhjet me FETO-n në arsim

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, i ndodhur në Tiranë në kuadër të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Mehmet Akif Ersoy” në Shkencë dhe Art, ku dhe u nderua me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga  Presidenti Meta, ka çuar gjuhën atje ku “dhemb dhëmbi”, tek Gyleni.

Duke promovuar  “Fondacionin Maarif”, atij që ka për qëllim marrjen nën administrim të kolegjeve turke për t’ia hequr nga duart Gylenit, kreu i diplomacisë së Ankarasë, tha: “Që prej një viti që është themeluar ka filluar ta tregojë veten në fushën e arsimit. Shtetet që kanë parë fytyrën e FETO-s, pas tentativës për grusht shteti, i kanë ndërprerë marrëdhëniet me këtë organizatë. Maarif duke vepruar në këto shtete ose i ka blerë këto shkolla, i ka transferuar ose i ka marrë në dorëzim, në mënyrë që arsimi të jetë më i sigurtë. Në Kosovë këtë vit janë hapur dy shkolla nga Maarif”, u shpreh Çavushoglu. Nga ana tjetër, ai foli me verenacion për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Ju përcjell mesazhet e presidentit Erdogan. Një Shqipëri stabile do të thotë një Turqi e fortë. Shqipërinë ne e mbështesim dhe japim ndihmën tonë për Shqipërinë mike, që është anëtare e NATO-s. Ne në Shqipëri e ndjejmë veten tonë si në shtëpinë tonë”, theksoi kryediplomati i Turqisë. /tesheshi.com/