Konferencë me një mision: hedhje dritë mbi institucionin e vakëfit në Ballkan

E enjtja dhe e premtja mblodhën në Tiranë dhjetëra personalitete të Ballkanit, më veças të trevave shqiptare dhe atyre nga Turqia mike, për të diskutuar për orë të tëra mbi institucionin e vakëfit, një rregullues të përkryer të jetës shoqërore për shekuj me radhë.

Përpjekja për ta sjellë në vëmendje këtë institucion përmes mbajtjes së një konference shkencore ndërkombëtare qe më së pari e Fondacionit “ALSAR”, i mirënjohur për veprimtari të tilla, si edhe e Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe e Universitetit “Selçuk” të Konjës.

Diskutimi mbi këtë temë erdhi pikërisht në kohën kur ekuilibrat shoqërorë po bëhen gjithnjë e më vështirë të ruhen për shkak të mungesës së instrumenteve të duhur, ku bëjnë pjesë sigurisht vakëfet, dhe kur mirëqenia e përgjithshme e shoqërisë ngjan më tepër me një iluzion.

Konferencën “Institucioni i vakëfit në hapësirën ballkanike” do ta përshëndesnin drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, prof. dr. Hysen Matoshi, rektori i Universitetit “Selçuk”, prof. dr. Mustafa Şahin, drejtori i përgjithshëm i Vakëfeve Turke, dr. Adnan Ertem, si dhe ambasadori i Republikës së Turqisë, z. Ahmet Yörük.

Në fjalën e tyre u vu në pah pesha e kësaj konference, kënaqësia për pjesëmarrjen në të. Miqtë turq theksuan në veçanti gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm, në kuadër institucional apo më gjerë. Ambasadori i Turqisë në Tiranë do t’i mëshonte faktit se mirësia, dhembshuria dhe mirëbërja gjendeshin në thelbin e konceptit vakëf, dhe se vakëfet kanë luajtur dhe luajnë ende një rol të rëndësishëm në hapësirën ballkanike për paqen sociale.

“Nocioni ‘vakëf’ nuk fillon me Islamin,” do të kujtonte në fjalën e hapjes kreu i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra.

“Mesopotamia e lashtë, Greqia, Roma dhe arabët, para Islamit, kanë patur njohuri për këtë institucion. Pronat e lëna vakëf para Islamit kanë patur një influencë shumë të madhe te komunitetet e atyre kohërave.”

“Në Islam, lënia e një prone vakëf ka për qëllim afrimin e individit me Krijuesin. Gjithashtu ka për qëllim qenien i dobishëm për të gjithë njerëzit, për të tëra krijesat, për të fituar dashurinë e Krijuesit dhe të krijesave,” vijoi z. Gurra.

“Në qytetërimin islam, institucioni i vakëfit është udhëhequr dhe udhëhiqet nga parimet kur’anore dhe profetike. Më shumë se 200 ajete në Kur’anin Famëlartë bëjnë fjalë për vakëfet. Libri ynë i Shenjtë na mëson nëpërmjet Pejgamberit (s.a.v.) se si mund të vihen në jetë thëniet kur’anore, të cilat së pari janë praktikuar nga vetë Profetit i Zotit. Qëllimi është një: fitimi i kënaqësisë së Zotit!”

Duke u zhvendosur në fjalën e tij në historikun e institucionit të vakëfit, z. Mehdi Gurra u bëri të ditur pjesëmarrësve të shumtë në konferencë se krijimi i vakëfeve në territoret tona nisi pas ardhjes së osmanëve në Ballkan, nga gjysma e dytë e shekullit të 15-të.

“Këto institucione kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën sociale, ekonomike dhe fetare të popullsisë shqiptare. Madje, nga studimet e ndryshme rezulton se disa nga qendrat urbane mesjetare shqiptare janë krijuar nga vakëfet. Kjo vlen edhe për Tiranën.”

Në një përshkrim të shpejtë të historisë të institucionit të vakëfit në Shqipëri, z. Gurra u shpreh se ajo mund të ndahet në dy periudha: vakëfet gjatë periudhës osmane, dhe vakëfet pas shpalljes së pavarësisë.

Numri i tyre nuk ka qenë i pakët në periudhën e parë, u tha në fjalën e mikpritësit.

“Si vakëfi më i hershëm njihet ai i dhuruar nga Sulltan Bajaziti II, Iljas Bej Mirahorit, në vitin 1505.”

Sa për periudhën e dytë, ajo ndahet në katër etapa kryesore, sqaroi më tej z. Gurra. Në vakëfet gjatë viteve 1912-1944, në vakëfet gjatë viteve 1945-1967, në vakëfet në periudhën mes viteve 1967-1991, e në çka pason me ardhjen e demokracisë.

Ndërsa fjala e kreut të Fondacionit “ALSAR” iu afrua fundit, në të pati dhe një kritikë për Komunitetin Musliman të Shqipërisë sa ka të bëjë me vakëfet.

“KMSH, fatkeqësisht, në lidhje me çështjen e vakëfeve, mendojmë se nuk i ka zbatuar kriteret fetare në mirëmbajtjen apo tjetërsimin e tyre. Si shembull për këtë mund të përmend këtu rastin e vakëfit të Sulejman Pashës, themeluesit të qytetit të Tiranës, i cili në fillim ndërtoi një xhami, një furrë buke dhe një hamam, që shërbyen si bërthamë për themelimin e qytetit. Kjo xhami u shemb në vitin 1944, pasi në vitin 1943 u dogj. Vakëfi i kësaj xhamie u shit në vitin 2007 nga Komuniteti Musliman në një formë tepër skandaloze! Dhe ky nuk është një rast i vetëm!” 

Për ta mbyllur, z. Mehdi Gurra do të zgjidhte këto fjalë: “Me organizimin e kësaj konference mendojmë që, për rastin e Shqipërisë, të vëmë në lëvizje sadopak organet qeveritare që të përmbushin detyrën e tyre kushtetuese për kthimin fizik ku është e mundur, ose kompensimin e kësaj trashëgimie që i është dedikuar adhurimit për Krijuesin dhe ndihmës për njerëzit në nevojë. Ajo është amanet i paraardhësve tanë për brezat, prandaj institucionet fetare përgjegjëse duhet ta bëjnë sa më mirë detyrën e tyre për mirëmbajtjen dhe miradministrimin kësaj trashëgimie.”

Folësit e shumtë, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Turqia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi i mbajtën më tej kumtesat e tyre sipas temave të përcaktuara më herët. Vendin kryesor e zuri analizimi i institucionit të vakëfit në periudhën osmane, ndaras për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

Një temë tjetër ishte ajo e vakëfeve osmane në hapësirat ballkanike, në Bosnjë-Hercegovinë, në Bullgari e Greqi, e shtjelluar po ashtu me një varg kumtesash.

“Institucioni i vakëfit në ditët e sotme, sfidat dhe perspektivat e tij,” qe tema mbi të cilën do të diskutohej në të mbyllur të konferencës.

Në konkluzionet e veprimtarisë u sugjerua krijimi i një tradite të mbajtjes së konferencave të ngjashme në periudha njëvjeçare në vende të ndryshme të së njëjtës hapësirë. /tesheshi.com/

 

 

 

 

Related posts