728 x 90 Leaderboard

“Kaldaisti Kristo”, varianti proletar i “Vrimës” së Rita Petros: a është kjo poezia më e çmendur e Realizmit Socialist?!

Nga Ermir Hoxha    

Kohë më parë, publiku shqiptar u trazua nga një poezi, e cila, mu për faktin se morri një çmim letrar, u bë shkak për një debat me sfond kulturor më së shumti. Ishte pra “Vrima” e Rita Petros, një poezi e klasifikuar si erotike, por që për një sërë kritikësh letrarë  e zërash publikë, edhe të letrave, nuk ishte veçse një pornografi e gjallë pa asgjë poetike brenda, e zhveshur nga çdo lloj lirike dhe pa asnjë provokim të këndshëm emocional. Kritikët e ballafaquan atë me përfaqsueset më të mira të zhanrit erotik në poezinë shqipe, për ta demantuar atë lloj krijimi, të cilin e cilësuan thjesht si një sajesë me gjuhë rrugësh, që nuk kishte asnjë lidhje me poezinë e mirëfilltë, sipas të gjitha kritereve letrare që e konturojnë atë si të tillë.

20160726_211010_resized

Por duket se “Vrima” e Petros e paska një pararendëse, e cila daton që në vitet `80-të. Ajo është poezia (që në fakt nuk është), me titull “Kaldaisti Kristo” (zakonisht emrit Kristo nuk i shkon përshtat një zanati si ai i kaldaistit…Kristoja zhul nga bloza!), e cila veç frymës proletare, e diktuar nga rregullat e ashpra të Realizmit Socialist, nuk ka asgjë që mund ta klasifikon tek poezia. Struktura e çartafillosur e vargut, më një rimë llahtarisht të munguar, pavarësisht sforcos se autorit për ta nxjerrë si me pinca, si dhe fantazia ekstremisht e munguar gjuhësore, të lë pa gojë.

Është për t’u habitur se si ka qenë e mundur që ky lloj krijimi katastrofal ta kalojë barrierën kritike, që edhe pse ideologjike, ka patur gjithsesi një qasje ndaj artistikes. Sepse ka shumë krijime të asaj kohe, që, edhe pse të përshkruara nga filli i detyrueshëm ngjyrëkuq, artistikisht janë tejet të arrira.

Ndërkohë që dhe autori, nuk është një emër i njohur. Eqrem Bramo quhet. Poezia e tij është e botuar tek këndi letrar i Zërit të Rinisë, dhe vetëm një “mik i fortë atje lart”, mund të ketë qenë shkaku i botimit të këtij naiviteti, që, edhe fëminor po të ishte, diçka më e bukur me patjetër do kish dalë, diçka në mos poetike, vjershëtore. Ndërkohë që “Kristo kaldaistin”, nuk ke ku ta futësh, ta kategorizosh, siç fjala vjen, poezia Ping-pong/ ping-pong-ping/ pong-ping-pong- ping-pong, e cila  përfaqson zhanrin e poezisë konkretiste. /tesheshi.com/

 

Related posts