reklama juaj ketu

Juventus, Monako, Real i Madridit: e mërkura foli për to

Juventusi ka fituar për të të tretën herë radhazi Kupën e Italisë, duke mposhtur në finale Lacion.

Mbrëmja e së mërkurës ka treguar edhe një herë për mbizotërimin e Juventusit në futbollin italian, jo vetëm me rezultate, por dhe me një lojë imponuese.

Në “Olimpico”-n e mbushur plot si rrallëherë, Juventusi do të fitonte 2-0 ndaj Lacios. Një nisje e shpejtë dhe këmbëngulëse do të jepte frytet e saj në minutën e 12-të, kur do të shënonte Dani Alves, si dhe në të 24-n, kur do ta dyfishonte rezultatin Bonucci.

Pritjet e Strakoshës do ta mbanin Lacion në lojë, por asgjë më shumë. Sulmuesit e Lacios do të gabonin dhe në ato pak raste të krijuara prej tyre.

Kjo ishte humbja e dytë e Lacios në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit pas asaj të 2015-s.

Për torinezët, fitimi i kupës ishte veç hapi i parë drejt tripletës.

Matematika nuk e la Monakon që të festonte që në fundjavë titullin e parë kampion në Francë pas 17 vitesh. Tre ditë më pas, gëzimi ka shpërthyer me fitoren 2-0 ndaj Sent-Etjenit; një ndeshje e prapambetur dhe e fituar që e bën kampion Monakon.

Mbappe dhe Germain qenë realizuesit e dy golave në fitoren që zyrtarisht i jep fund mbretërimit katërvjeçar të PSG-së në kampionatin francez.

Një sezon fantastik për Monakon, që nuk e fitonte kampionatin prej vitit 2000. Mjafton të sjellim në vëmendje vetëm një shifër: 104 gola të shënuar në 37 ndeshje të kampionatit!

Trofeu i La Ligës tani është më pranë se kurrë për Realin e Madridit. Duhet një pikë në ndeshjen e fundit, të së dielës, ndaj Malagës, për të siguruar rikthimin te fitimi i kampionatit pas pesë sezonesh.

Reali ka marrë kryesimin me fitoren e së mërkurës 1-4 ndaj Selta Vigos. Me tre pikë më shumë se Barcelona, gjithçka është në duart e lojtarëve të tij.

Cristiano Ronaldo shënoi dy herë, ndërsa shënuan dhe Benzema e Kroos. Nuk munguan  gjithsesi vendimet e debatueshme të gjyqtarit, siç qe kartoni i kuq për lojtarin vendas, Iago Aspas, në minutën e 62-të. /tesheshi.com/