TELASHET/ Jo gjithçka shkëlqen! Si po përballen prindërit e rinj me presionin e Instagramit (video)

Mëngjeset e prindërve të rinj kalojnë nga shtyrja e alarmit për një minutë më shumë gjumë, te zgjimi menjëherë për t’u kujdesur për të voglin.

Të rrethuar nga kaosi që sjell një bebe e vogël, ata nisin ditën para orës 6 të mëngjesit, me një kafe që u ndihmon të kthjellen pas gjumit copa-copa.

Ndërkohë, bebi zgjohet me të tijën: Një thirrje e zhurmshme për të pirë qumësht apo për t’i ndërruar pelenën.

Një dokumentar i ri për jetën e prindërve të rinj nxjerr në pah dy anët e prindërimit: Vështirësitë dhe dashurinë që merr gjatë kësaj rruge.

Jeta e nënave është larg krehjeve të stiluara, takeve të larta apo shtëpive të mirëmbajtura, tregon dokumentari i WaterWipes.

Instagrami është gënjeshtar, thotë njëra prej atyre që marrin pjesë në dokumentar.

Në fakt, nënat thonë se ndjejnë presion nga bota e “pa të meta” që shfaqet në rrjetet sociale, ku nënat “celebrity” duken si mos më mirë në shtëpitë e tyre të ndriçuara dhe të pastra.

Presioni shtohet dhe më shumë nga gjurmët e depresionit i cili, ku më shumë e ku më pak lë kaos emocional te nënat.

Nënat dhe baballarët e rinj madje thonë se janë konfuz lidhur me sasinë dhe cilësinë e informatave që qarkullojnë në mediat sociale lidhur me rritjen e foshnjave.

“Nuk e gjen askund një praktikë që e mbështesin të gjithë”, thotë një prind i tre fëmijëve, më i vogli prej tyre tre muajsh.

Presioni për të qenë prind i përkryer

Sipas një studimi global që bëri kompania për produktet e foshnjave WaterWipes, më tepër se gjysma e prindërve ndjejnë se janë duke dështuar në procesin e prindërimit gjatë vitit të parë të jetës së foshnjës.

28 përqind e të intervistuarve thonë se ndjejnë presion nga mediat sociale për t’iu përshtatur rrethit dhe për t’u bërë një prind i përkryer.

Prindërit e rinj thonë se mezi gjejnë kohë të pastrojnë dhëmbët dhe kalojnë gjysmën e ditës me pizhame, ndërsa problemi më qesharak është se nuk dinë si ta montojnë karrocën e bebes.

Postimet me foshnjat e posalindura në Instagram janë mjaft të famshme: Ato janë të mbuluara e glamur, me veshje të njëjta të nënës dhe foshnjës, me organizime të shtrenjta që festojnë lindjen e bebit, dhe më së tepërmi, me një figurë trupore të nënës që duket se nuk ka mbajtur gjë në bark për nëntë muaj.

Presioni i gjidhënies është një tjetër fushë që nënat e reja po e kalojnë me vështirësi – duke filluar nga sfida e gjidhënies për foshnjat e para, e deri te opinionet dhe gjykimet negative kur prindërit vendosin që të kalojnë në ushqyerje me shishe.

Fotografitë e nënave që ushqejnë fëmijët në paqe e bën këtë proces shumë romantik, pa e shkruar qoftë edhe në fusnotë se ky proces di të jetë i përcjellë sa me dhimbje aq edhe me stres.

Sado që prindërimi shpërblehet, vështirësitë janë të pafundme. Prezantimi i rrejshëm në mediat sociale nuk ndihmon.

Jetët reale të nënave dhe foshnjave janë plot ulje-ngritje, dhe njëri nga baballarët e rinj në dokumentar ka pranuar me krenari se i janë zbardhur flokët për vetëm një vit.

Sfidat vazhdojnë me nënat që nuk kanë mundësi të shkëputen nga puna për një vit, siç shkëputen nënat në vendet e zhvilluara evropiane.

Disa prej tyre vendosin të punojnë nga shtëpia, disa marrin fëmijën disamuajsh në punë, e të tjerat u drejtohen kopshteve private që pranojnë bebet edhe më të vogla se gjashtë muaj.

Si ta ktheni situatën dhe të përdorni mediat sociale për të mirë?

Ka disa faqe të mediave sociale që bëjnë përpjekje për të treguar atë çfarë ndodh vërtetë kur kujdesesh për një fëmijë. Ato ofrojnë këshilla të dorës së parë për ta bërë më të lehtë sidomos prindërimin për herë të parë.

Përdorimet e tilla të mediave sociale mund të kenë sado pak ndikim pozitiv te prindërit. Ekzistojnë profile që portretizojnë anën qesharake dhe reale të prindërimit që i bëjnë ata të ndjehen të lidhur dhe më pak të vetmuar kur shohin sfidat dhe realitetin.

Baby blues është shprehja e përdorur shpesh për të përshkruar gjendjen psikologjike të trishtimit dhe ankthit që disa gra përjetojnë pas lindjes. Këto ndjenja mund të intensifikohen kur bëhen krahasime midis prindërve të jetës reale dhe versionit të përsosur të mediave sociale.

Ndërkohë që shumica e grave do të ndiejnë depresion që nga dita e tretë pas lindjes, një në shtatë gra do të luftojnë me të edhe gjashtë javë më vonë.

“Nëse i pëlqeni mediat sociale, atëherë zgjidhni të përqendroheni në profilet frymëzuese dhe jo në fotografitë që nuk ju ndihmojnë në udhëtimin tuaj si prind i ri. Realiteti është se prindërit janë shumë sfidues. Si prind i ri, kjo pako e mrekullueshme e gëzimit vjen në jetën tuaj dhe ju kaloni nëpër shumë ndryshime që duhet t’iu përshtateni. Është e rëndësishme që të rrethoheni me mbështetje, miqësi pozitive dhe mos harroni të kujdeseni për veten përkrah kujdesit për të voglin tuaj”, mbaron porosia e dokumentarit. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts