Ja pse parashikimet e Bankës Botërore janë të zymta për ekonominë e Kosovës

Nga Bashkim Kastrati

Parashikimet e Bankës Botërore (BB) janë jo të mira për sa i përket rritjes ekonomike, dhe nuk janë të ngjashme me ato që i ka parashikuar Qeveria e Kosovës. Banka Botërore ka parashikuar që rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2016 të jetë 3.6 për qind, çka paraqet një shkallë më të ulët me vitin paraprak, kur ishte 3.9 për qind. Ndërkaq, parashihet një rritje prej 3.7 për qind në vitin 2018.

“Masat rregulluese fiskale, të tilla si reformat e tatimeve dhe lufta kundër informalitetit, kanë vazhduar të rrisin performancën e të hyrave në gjysmën e parë të vitit 2016. Mirëpo numri i madh i paparashikuar i përfituesve nga skema e transfereve sociale për veteranët e luftës ka shtuar presionet fiskale dhe ka shtyrë deficitin në rreth 2.5 për qind të Bruto Produktit Vendor,” thuhet ndër të tjera në raportin e Bankës Botërore.

Këto të dhëna janë publikuar në një konferencë për mediat në Prishtinë, ku Banka Botërore ka prezantuar raportin për rritjen ekonomike në gjashtë vendet e Evropës Juglindore. Kjo rritje për këto vende u tha se pritet të arrijë në 2.7 për qind në vitin 2016, nga 2.2 për qind që ishte në vitin 2015.

Sipas raportit të fundit të rregullt ekonomik për Evropën Juglindore, të Bankës Botërore, thuhet se përshpejtimi i moderuar i rritjes është parashikuar të vazhdojë edhe gjatë viteve 2017 dhe 2018.

“Mbështetës i përshpejtimit të rritjes ishte Serbia, ekonomia më e madhe në rajon. Serbia lëvizi nga rritja 0.7 për qind në vitin e kaluar, si pasojë e përmbytjeve të vitit 2014, në rritjen e pritshme prej 2.5 për qind këtë vit,” tha Barbara Cunha, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit.

Sipas njohësve të fushës së ekonomisë, kjo rënie e rritjes ekonomike në Kosovë po ndodh për shkak të shumë dukurive negative që e kanë kapluar vendin, si korrupsioni, krimi i organizuar, ekonomia joformale, infrastruktura ligjore, mosardhja e investitorëve të huaj, etj.

Kosovës i duhen 72 vjet për të arritur mesataren evropiane të rritjes ekonomike!

Lumir Abdigjiku, profesor i ekonomisë, ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me raportin e fundit të Bankës Botërore mbi rritjen ekonomike të Kosovës, ndërsa përllogaritjet që ai i ka bërë duke marrë për bazë trendin e rritjes ekonomike janë dëshpëruese, e tregojnë për një gjendje të rëndë të zhvillimit ekonomik në vend. Ai ka krahasuar rritjen ekonomike të viteve të fundit me vendet e rajonit që janë më të zhvilluara, si dhe me vendet evropiane.

“Sipas parashikimit të sotëm të Bankës Botërore mbi rritjen ekonomike në Ballkan, Kosovës do t’i duhen plot 32 vjet për ta arritur Kroacinë, e mbi 72 vjet për mesataren evropiane. I kemi dëgju prindërit tanë të na thonë se ‘koha jonë shkoj, le ta gëzoni ju’. S’guxojmë, s’bën, s’duhet t’ua themi të njëjtën gjë fëmijëve tanë,” ka deklaruar Abdigjiku.

Kosovës i nevojitet dyfishim i rritjes ekonomike

Naim Gashi, profesor i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se parashikimet e Bankës Botërore për rritje ekonomike 3.7% janë lajme të mira për ekonominë, por jo sinjale që ne do të dëshironim. Sipas tij, Kosova vazhdon ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon për shkak të konsumit të lartë, rritjes së sektorit privat dhe vazhdimit të ardhjes së remitancave.

“Një element që injekton rritjen tonë ekonomike janë shpenzimet që diaspora i bën gjatë qëndrimit në Kosovë. Nëse i bëjmë bashkë remitancat dhe shpenzimet e diasporës, atëherë ¼ e GDP-së së Kosovës vjen nga diaspora. Parashikimi për rritje ekonomike 3.7% nuk është i mjaftueshëm nëse marrim parasysh kontingjentin e madh të të rinjve që futen çdo vit në tregun e punës. Me këtë rritje të popullsisë, Kosovës i nevojitet një dyfishim i rritjes ekonomike për të frenuar papunësisë dhe për të zvogëluar varësinë nga importi galopant,” thotë Gashi .

Ai shprehet se Kosova ka probleme të trashëguara, e se ato po vazhdojnë dhe sot e kësaj dite. Sipas tij, arsyeja kryesore se pse Kosova nuk po arrin shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik është se zhvillimi ekonomik asnjëherë nuk ka arritur të bëhet prioritet nacional.

“Fatkeqësisht, në 17 vitet e fundit Kosova ka pasur prioritete të tjera. Si shembull mund t’i marrim dy vitet e fundit. E gjithë energjia e institucioneve dhe opozitës është duke u harxhuar për demarkacionin dhe Asociacionin,” theksoi profesori Gashi.

Ai mendon se për të pasur rritje ekonomike më të mirë, Kosova duhet të orientohet në dy sektorë strategjikë: në investimet në projektet e mëdha, dhe në fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Kosova duhet të ngutet që të aktivizojë kapacitete gjeneruese energjetike, të ndërtohet termocentrali ‘Kosova e re’, dhe në këtë mënyrë furnizimi i tregut me energji të mjaftueshme krijon kapacitete për zhvillim të afatgjatë,” u shpreh Gashi.

Kjo rritje nuk garanton stabilitet ekonomik

Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se Republika e Kosovës është keq në aspektin ekonomik, dhe për këtë tregon fakti i raportit të Bankës Botërore se Kosova ka rënie të rritjes ekonomike në krahasim me vitin e kaluar. Dihet që rritja ekonomike, sipas BB-së, në vitin 2015 ishte 3.9%, dhe trendi aktual tregon se Kosova nuk mund ta kalojë rritjen prej 3.6%, çka e thellon edhe më tej krizën në vend.

“Një rritje e tillë nuk garanton stabilitet ekonomik, përkundrazi e vazhdon edhe më tej thellimin e krizës dhe të pakënaqësisë qytetare. Paramendoni, sipas shumë hulumtimeve dhe ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, rritja ekonomike që i duhet Kosovës është të paktën 9% e më shumë në mënyrë që të ketë një ulje të papunësisë,” thotë Beqiri.

Ai thotë se Kosova nuk po arrin që të ketë rritje më të madhe ekonomike për shkak se nuk ka zhvillim ekonomik pa sundim të mirëfilltë të ligjit, hartim të politikave të qarta investive, mbrojtje dhe sigurim të investimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës, stabilitet në politikat fiskale, luftim të korrupsionit, haraçit, nepotizmit, etj.

“Për të pasur zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, dhe që të ulët shkalla e papunësisë dhe varfërisë, thjesht duhet punuar me nder dhe dinjitet, pa korrupsion, me politika të mirëfillta ekonomike, me respektim të investitorëve, me mosfavorizim të politikanëve biznesmenë. Forma e privatizimit ka qenë e egër dhe dekurajuese për të investuar, madje mjetet e trustit pensional ende mbahen larg vendit. A e dini që kamatat në Kosovë variojnë nga 7% deri në 20% në institucionet mikrofinanciare? Banka qendrore nuk e luan rolin e saj ndikues që këto kamata të mbahen nën kontroll,” theksoi Beqiri. /tesheshi.com/

Related posts