Ja këshillat që japin disa shtete për qytetarët e tyre në lidhje me Shqipërinë…

Shqipëria është promovuar gjatë këtij sezoni veror pothuajse në të gjithë mediat ndërkombëtare, për bukuritë, natyrën ende të virgjër dhe mikpritjen e njerëzve.

Promovimet duket se kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve të huaj. Por nga ana tjetër, veç kësaj reklame që i bëhet Shqipërisë, ministritë e Jashtme të shumë vendeve të botës, kanë një listë me këshilla për të gjithë ata që duan të vizitojnë vendin tonë.

Republika Çeke, Polonia, Britania e Madhe dhe Italia kërkojnë nga qytetarët e tyre të tregojnë kujdes lidhur me grabitjet, pasi disa te tilla janë raportuar në hotele në Vlorë e Sarandë.

Një tjetër pikë të cilën të gjitha ministritë e rendisin si me problematikën, është udhëtimi me makine.

“Drejtimi i makinës mund të jetë shumë i rrezikshëm. Rrugët janë jo të mira, veçanërisht në zonat rurale. Ndriçimi i rrugëve në zonat urbane, shpesh herë fiket për shkak të ndërprerjes së energjisë. Edhe në rrugët inter-urbane, mungon ndriçimi. Shoferet shqiptarë shpesh herë mund të jenë të dhunshëm”, shkruan “Foreign Office e Britanisë së Madhe, raporton TCH.

Ministria e jashtme e Çekisë, i rekomandon qytetarëve të saj që të mos e kalojnë natën jashtë dhe të jenë të kujdesshëm kur udhëtojnë në zona të thella të Shqipërisë.

Një tjetër pikë ku te gjitha shtetet janë në një zë, është shëndetësia. Ato i rekomandojnë qytetarëve të tyre që përpara udhëtimit të kenë sigurimin shëndetësor që mbulon dhe transportin me avion, pasi niveli i qendrave shëndetësore, lë për të dëshiruar. /tesheshi.com/