Ish-z/ministri boshnjak i shkarkuar nga Haradinaj: largimi im, nga ish-bashkëpunëtorët e Millosheviçit dhe përkrahësit e Vuçiçit

Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Administratës Publike, Numan Baliqi nga komuniteti boshnjak, u shkarkua nga kryeministri Haradinaj një ditë pa i bërë një muaj në këtë post.

Ai beson se ky vendim vjen nga bashkëpunëtor të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, siç i quan disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga komunitetet jo serbe, të cilët sipas tij e kushtëzuan Ramushin.

Baliç, në një intervistë për tesheshi.com tregon nëse ka kontaktuar me Haradinajn pas këtij vendimi, kush po dëshiron ta eleminojë nga skena politike, për gjendjen e komunitetit boshnjak në Kosovë dhe për funksionimin e partisë së tij “Veprim Demokratik” (SDA).

Intervistoi: Blendi Gashi

Kryeministri Haradinaj, të hënën ju shkarkoi nga pozita e zv.ministrit të Ministrisë së Administratës Publike (MAP), pa mbushur një muaj. Për ç’arsye e ndërmori këtë veprim? Keni bërë ndonjë shkelje në punën tuaj?

Asnjë shkelje nuk e kam bërë. Kam filluar punën me angazhim të madh, profesionalizëm, tolerancë, duke punuar vazhdimisht brenda ministrisë me departamentet përkatëse, por edhe me ministrit tjera.

Shkaku kryesor për shkarkim është insistim i koalicioni VAKAT (grupi parlametar 6+ që përbëhet nga deputetët e komuniteteve jo serbe), të cilët e kanë kushtëzuar mbetjen e tyre në Parlament dhe qeveri me sharkimin tim. Përndryshe, deputetët dhe ministrat e këtij grupi, Duda Balje, Rasim Demiri, Usmen Baldzi, Qerim Bajrami, Hamza Balje, janë goranë dhe torbesh që flasin gjuhën maqedono-sllave, dhe në mënyrë të padrejtë duke bashkëpunuar me qeveritë nga mandatet 2007 dhe 2010 kanë uzurpuara vendet e Boshnjakëve, të cilët i përfaqëson partia “Veprim Demokratik” (SDA) dhe unë si kryetar i saj.

A keni komunikuar me Haradinajn pasi ju largoi? Nëse po ç’ju tha, nëse jo a do e kontaktoni për t’i kërkuar shpjegime?

Nuk kam kontaktuar me kryeminsitrin. Një prej këshilltarëve të tij më ka shpjeguar situatën e papërballueshme dhe ultimatumin e VAKAT-it që i kanë dhënë qeverisë. Unë kam shprehur befasi me këtë vendim. Është një akt i padrejtë dhe zhgënjyes.

Po ditën e emërimit, përveç mesazhit të urimit, ju tha diç tjetër Haradinaj?

Emërimi im si zv.ministër ka ardh si pasojë e një bashkëpunimi të gjatë dhe përkrahjes vëllazërore që partia ime SDA dhe boshnjakët etnik që ne përfaqësojmë kanë dhënë ndër vite për shqiptarët e Kosovës, poashtu në pavarësinë e shtetit, deri në përkrahjen e fundit nga koha kur kryetari i AAK-së qëndroi në burgun e Kolmarit, pa harruar edhe përkrahjen e dhënë në zgjedhjet e fundit.

Ju keni deklaruar se ju shkarkoi Vuçiçi e jo Haradinaj. A mund ta shpjegoni ç’do të thotë kjo? Si mund ta shkarkojë një president i një vendi tjetër një zv.ministër në Kosovë?

Ata që kanë kërkuar dorëheqjen time ultimative, Duda Balje, Usmen Balldzi, Dzezair Murati, Rasim Demiri, dhe tjerët, kanë qenë bashkëpuntorë të denjë të Millosheviçit në atë kohë, kurse sot janë përkrahësit e Vuçiçit, që është qetnikë i vërtetë, por paraqitet gjoja si demokrat. Me fjalë tjera, ata që kanë përkrahur Milloshin dhe Vuçiçin e kanë kërkuar shkarkimin tim, kurse kryeministri Haradinaj ka lëshuar pe para tyre! Dëshmia e vërtetë për cilësinë e goranëve, ka qenë tubimi në LLapnasellë afër Prishtinës ku Viçici ka takuar serbët e Kosovës qendrore, por të parët që kanë përshëndetur kanë qenë goranët nga Dragashi të cilët këtë qetnik (Vuçiçin) e kanë quajtur si presidentin e vet!

A po dëshiron dikush t’iu eleminojë nga skena politike? Kujt po i pengoni saktësisht?

Eliminimin dhe likuidimin tim e duan këta sllavo/maqedonas që permenda dhe Hashim Thaçi, që gjithmonë i ka përkrahur më pare dhe me presione të ndryshme, që nga viti 2003/2007 dhe veçanërisht pas vitit 2010!

Ju jeni një kohë të gjatë përfaqësues i boshnjakëve që jetojnë në Kosovë. Si është gjendja e tyre? Sa punojnë deputetët boshanjak në Kuvendin e Kosovës për mirëqenien e tyre?

Pikerisht aty është tragjedia e boshnjakëve, të cilët të parët e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës që në vitin 1990. Në vitin 2002, boshanjkët kanë pasur katër vende në Parlament dhe unë kam qenë ministër i Shëndetësisë, i pari paslufte, kurse, tani të gjitha vendet na kanë uzurpuar ose rrëmbyer goranët dhe torbeshët që duan Serbinë me ndihmen e Thaçit! A ekziston turpi më i madh për Kosovën e sotme se kjo!

Për fund, jeni kryetar i partisë “Veprim Demokratik” (SDA). Sa ka përkrahje partia juaj nga komuniteti boshnjak?

Nga boshnjakët e vërtetë, etnik, që flasin gjuhë bshnjake e kemi përkrahjen më shumë se 50%, por numri i tyre ka rënë deri në 5000 dhe kjo është arsyeja që është vështirë të mbijetojmë pa përkrahjen e shqiptarëve dhe përfaqësuesve të tyre, por që deri tani ata kanë përkrahur kundërshtarët e Kosovës. Mbetet të presim a do të ndryshohet gjendja jonë ose boshnjakët përfundimisht do të zhduken nga Kosova! /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Related posts