Sinjale pozitive në ekonominë shqiptare: Rritje të investimeve të huaja direkte në tre mujorin e parë të 2017

Nga: Ornela MEMUSHI

Investimet e huaja direkte konsiderohen si një nga boshtet më të rëndësishme të ekonomisë së një vendi, sidomos në ekonominë e vendeve në zhvillim sepse sigurojnë kapitalin e nevojshëm për rritjen e ekonomisë dhe zhvillimin teknologjik të një vendi. Investimet e huaja direkte luajnë një rol kyç në procesin e integrimit global ekonomik. Ato krijojnë efekte si në vendet pritëse ashtu dhe në ato investuese. Efektet në vendet pritëse janë të rëndësishme për nga rëndësia ekonomike, politike dhe sociale që ato gjenerojnë. Këtu mund të përmendim efektin në transferimin e resurseve si kapitalin; teknologjinë; ekspertizën menaxheriale etj. Gjithashtu, efektet në gjenerimin e vendeve të reja të punës janë pozitive. Këto efekte mund të jenë direkte, që shfaqen me punësimin e një numri punëtorësh të rinj apo indirekte, që rezultojnë nga krijimi i vendeve të punës në industritë furnizuese si rezultat i investimit si dhe vendet e punës të krijuara nga shpenzimet e të punësuarve në kompanitë ku është investuar. Investimet e huaja direkte ndikojnë në rritjen e konkurencës dhe zhvillimin ekonomik pasi me themelimin e një firme të re rritet numri i firmave në treg dhe gjithashtu edhe zgjedhjet e konsumatorit, si rrjedhim rritet konkurenca në vend, ulet niveli i çmimeve dhe kjo sjell rritjen e mirëqenies së konsumatorëve.

Edhe në Shqipëri, investimet e huaja direkte kanë një rol të konsiderueshëm në ekonomi. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë në raportin e bilancit të pagesave, investimet e huaja arritën në 168 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2017, duke u rritur me 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas analizës së BSH, fluksi hyrës neto i investimeve direkte shënon 168 milionë euro (ose +8% në terma vjetorë), nga të cilat 188 milionë euro vijnë në trajtën e zgjerimit të kapitalit dhe një fluks negativ prej 20 milionë euro i derivuar nga marrëdhëniet e borxhit mes kompanive të lidhura.

Prurjet valutore në formën e investimeve direkte janë të përqendruara në sektorin e energjetikës (me rreth 41%), hidrokarbureve (në masën 37%), e ndërmjetësimit financiar (në masën 6%). Ndërkohë që rritja më e madhe e fluksit vërehet në sektorin e energjetikës. Në terma vjetorë, injektimi me kapital u zgjerua ndjeshëm në masën 50%.

Sipas të dhënave nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në vitin 2016 investimet e huaja arritën në 983 milionë euro duke arritur në një nivel rekord, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në raport me vitin 2015, investimet e huaja direkte u rritën me 10%. Në 2016-n, sipas tremujorëve, pas një gjysme të parë të vakët, investimet e kanë marrë veten, si rrjedhojë e fillimit të punës nga gazsjellësi TAP. Niveli më i lartë është konstatuar në tremujorin e tretë, me 303 milionë euro. Dy vitet e fundit investimet e huaja janë ndikuar ndjeshëm nga punimet për gazsjellësin TAP dhe ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Por, shqetësimi lidhet me faktin që këto dy projekte janë afatshkurtra në kohë dhe kërkohet diversifikimin në afatin e mesëm. Nga ana tjetër edhe investimet në sektorin e hidrokarbureve janë të varura nga bursat ndërkombëtare. Në vitin 2015, investimet në hidrokarbure (që janë kryesisht hapje pusesh) ranë ndjeshëm për shkak të çmimeve të ulëta të naftës. Ndërsa në 2016-n dhe tremujorin e parë 2017 është vënë re një gjallërim i tyre për shkak të çmimeve më të favorshme në bursa.

Si përfundim, mund të themi se investimet e huaja direkte sjellin kapitalin e nevojshëm për ekonominë, ndikojnë në përmirësimin e bilancit të pagesave, ndikojnë në hapjen e tregjeve të reja për tregti dhe si rezultate afatgjata sjellin rritjen e produktivitetit, inovacione në produkte dhe procesin e punës si dhe rritje ekonomike. Rritja e investimeve të huaja duhet të jetë objektiv kryesor i qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit. Përthithja e këtyre investimeve kërkon politika dhe strategji të mirëpërcaktuara, përmirësime të vazhdueshme në kuadrin ligjor, stabilitet politik dhe rritje ekonomike të qëndrueshme, përmirësim dhe modernizim të infrastrukturës si dhe përmirësime në klimën e biznesit dhe investimeve./tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts