728 x 90 Leaderboard

Ikja e ambasadorit Delawie nga Kosova: ç’mesazh la për politikanët dhe përplasjet me ta gjatë mandatit

Nga Blendi Gashi

Ndërsa ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, në përfundim të mandatit të tij deklaroi se i ka mbetur peng “gjuetia e pa përfunduar me ‘peshqit e mëdhenj’”, diplomati amerikan në Prishtinë, Greig Delawie pak ditë para se ta përfundojë mandatin, poashtu ka dhënë një mesazh që lidhet me drejtësinë; ka porositur politikën e Kosovës që të rrijë larg proceseve gjyqësore.

“Më duhet të them se kam ndjenja të përziera. Më vjen mirë që po shkoj në Kosovë, por më vjen keq që po shkoj nga Kosova… Politikanët të rrinë jashtë proceseve gjyqësore. Pengesat në këto fusha mund të jenë problem i madh për të ardhmen e Kosovë. Gjithashtu ndihem mirë që në tri vitet e shkuara kam qenë dëshmitar i shumë gjërave pozitive. Kam shpresë sepse ju si shërbyes publikë keni potencial që ta bëni Kosovën të përparojë”, deklaroi Delawie.

Mesazh pothuajse të njëjtë që politika të mbajë larg duart nga drejtësia, Delawie ka dhënë pothuajse gjatë gjithë mandatit por nuk është se është dëgjuar nga krerët e Kosovës.

Më 20 shtator të këtij viti, Delawie përmes një postimi në “Twitter” reagoi për rastin e hetimit të listave të fyera të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe pensionet e dhëna për ta, ku kërkoi nga politikanët të mos ndërhynë në drejtësi.

“Rasti i pensioneve është për komisionerët dhe ‘JO’ veteranët. Dy pyetje të mëdha. Për gjykatën: A e kanë shkelur komisionerët ligjin? Për Kosovën: Kur do të ndalen politikanët së ndërhyri?”, shkroi Delawie.

Këta të fundit shpeshherë edhe i ka kritikuar për veprimet që kanë bërë gjatë udhëheqjes.

Delawie u përplas nga distanca me presidentin Thaçi në mars të 2017-tës kur u tentua bërja e ushtrisë së Kosovës përmes ligjit, ku paralajmëroi pasoja nëse veprohet njëanshëm.

Diplomati amerikan më tej deklaroi se ka qenë i habitur me propozimin e Thaçit për ndryshimin e projektligjit të FSK-së, hap që për më tepër e ka bërë të ndihet i zhgënjyer marrë parasysh të gjithë përkushtimin e ShBA-ve për të ndërtuar kapacitetet aktuale të FSK-së.

Delawie u përplas me Thaçin por jo vetëm edhe në dhjetor të 2017-tës kur u tentua nga Kuvendi i Kosovës të shfuqizohet ligji për Gjykatën Speciale.

Ai kërkoi të mos shfuqizohet vendimi për Specialen, ndërsa paralajmëroi se një veprim i kundërt do të largonte Kosovën nga sundimi i ligjit dhe aleatët e saj ndërkombëtarë.

“Një vendim për revokimin e Gjykatës Speciale do të shënonte një pikë kthese larg sundimit të ligjit, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Kosovë, mos e zgjidhni atë të ardhme për fëmijët tuaj!”, shkroi Dealwie në Twitter. Ky reagim i tij erdhi pas një mesazhi të presidentit Thaçi i cili i quajti spekulime paralajmërimet e ambasadorëve se Kosova do izolohet në rast se shfuqizon Gjykatën Speciale.

Vlen të theksohet se ambasadori Delawie ka adresuar kritika të ashpra edhe ndaj partisë opozitare, Vetëvendosje të Albin Kurtit gjatë kohës që kjo parti gjuante gaz lotsjellës për të parandaluar ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai në mars të 2018-tës, deklaroi se “dhuna nuk ka vend në skemën politike të Kosovës”, ndërsa hedhjen e gazit lotsjellës tha se “po e bëjnë ata që nuk kanë ide dhe kanë bankrotuar”.

Kujtojmë se Delawie këto ditë përfundon mandatin dhe në vend të tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë do të vijë Philip S. Kosnett. /tesheshi.com/

Related posts