728 x 90 Leaderboard

Humbja e besimit të kosovarëve në institucione, analistët: ja cilat janë arsyet

Nga Blendi Gashi

Hulumtimet e fundit të pulsit publik tregojnë se kosovarët çdo vit e më shumë po e humbin besimin në institucionet qeverisëse.

Në raportin e publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) thuhet se kënaqshmëria e publikut në institucionet qendrore ka rënë, ndërsa gatishmëria për të protestuar për arsye politike është rritur.

Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se arsyet kyçe pse po ndodh kjo është korrupsioni, mungesa e vizave, keqqeverisja etj.

Mentor Tahiri, thotë se një hulumtim si ky i jep një përmbajtje statistikore asaj që vërehet në përditshmërinë kosovare në çdo kontakt me publikun.

Ka një pakënaqësi të madhe në mesin e qytetarëve me mënyrën se si politika po e trajton vendin. Kjo nuk është as risi e as befasi, ngase që nga paslufta ka gati njëtrajtshmëri të pashkëputur në qasjen joserioze dhe të pamjaftueshmë të institucioneve kyçe të vendit. Së fundmi jemi dëshmitarë, se kabineti aktual qeverisës ka rënë në ‘kurthin’ e një debati irritues sfilitës mbi pagat, duke shkaktuar indinjatë dhe mosbesim shtesë tek qytetarët. Nga e gjithë kjo mund edhe të konkludohet se ata të cilët janë sot bartës të funksioneve politike në vend, nuk po arrijnë të kalojnë shkallën e pjekurisë, si dhe assesi nuk po arrijnë të njohin detyrat dhe përgjegjësitë që kanë ndaj qytetarëve. Prandaj edhe kemi një shkëputje të madhe në komunikimin ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, gjë që do të prodhojë gjithnjë e më shumë mungesë të llogaridhënies institucionale karshi qytetarëve”, thotë Tahiri për tesheshi.com.

Analisti politik Shemsi Jashari, mendon se mungesa e besimit të qytetarëve në institucionet qeverisëse lidhet drejtpërdrejt me, mungesën e perspektives për një jetë normale në Kosovë, nivelin e lartë të korrupsionit dhe nepotizmit të shkaktuar nga nivelet qeverisëse,  performancën e dobët të qeverisë dhe skandalet e shumta që po ndodhin vazhdimisht.

Gjithashtu edhe mungesa e një sinjali të besueshëm se, diçka po ndryshon për më mirë, ka bërë që qytetarët të cilët nuk kanë apo nuk janë duke përfituar  nga pushtetet e kaluara apo të tashmes të humbin shpresat dhe besimin se në këtë shtet diçka e mirë do të ndodhë. Brengosëse është fakti se struktura e atyre qytetarëve që kanë humbur besimin në institucione dhe po braktisin vendin është kryesisht e nivelit akademik dhe shteti ynë nuk është duke bërë asgjë për të parandaluar këtë gjë. Nëse qeveria nuk ka një plan si të parandaloj ikjen e të rinjve dhe klasës akademike nga vendi, shteti ynë në një të ardhme të afërt do të përballet me pasoja të mëdha dhe afatgjate”, thotë Jashari për tesheshi.com.

Sipas tij luftimi i korrupsionit do të shtonte shpresat dhe do të fillonte të kthente besimin në institucione, gjithashtu do të fillonte të ndryshonte perceptimi i qytetarëve se, nëse ke vjedhur shumë dhe ke lidhje të forta gjithsesi shpëton nga drejtësia.

Faik Krasniqi, njohës i rrethanave politike pohon se problemet e akumuluara me vite kanë krijuar pakënaqësi tek qytetarët e Kosovës, për shkak të mungesës së përmirësimit të jetës së tyre.

Prej vitit në vit ka rënie të besimit të qytetarëve në institucionet qeverisëse dhe kjo rënie e besimit ka të bëj me papunësinë e madhe, nepotizmin, mos perspektivën në vendin e tyre, mosllogaridhënien dhe shkallën e lartë të korrupsionit. Poashtu edhe mos liberalizimi i vizave ka ndikuar në rënien e besimit tek institucionet, pasi liderët politikë prej 2010 kanë dhënë shumë data për liberalizim të vizave dhe qytetarët vazhdojnë ende të mbesin të izoluar. Humbja e besimit dhe problemet e lartëcekura, do të ndikojnë në masë të madhe që pas liberalizimit të vizave shumica e të rinjëve me viza pune ta braktisin vendin drejt vendeve të perëndimit, për një jetë më të mirë!”, thotë Krasniqi për tesheshi.com.

Related posts