Nga Behxhet Jashari
1.
Paqja andaluziane dhe dëbimi i myslimanëve dhe hebrenjve nga Spanja
Ndodhinë kur sunduesi i fundit vizigot, mbreti Roderik me ushtrinë e tij thyhet rëndë nga Tarik ibn Zijadi në ballafaqim ushtarak, e njohur si Beteja në lumin Guadeleti, historia do ta konsiderojë si hyrje të islamit përmes portës së madhe në Evropë. Menjëherë pas kësaj beteje, Tariku me pjesën kryesore të ushtrisë vazhdon drejt qytetit Toledo, ndërsa një njësi të fuqishme, të cilën e udhëheq Mugit er-Rumiu, e dërgon në rrethimin e Kordobës. Të dy qytetet u morën me sukses. Kështu edhe fillon epoka e sundimit mysliman në këtë pjesë të Evropës, të quajtur Andalusia, ku besimi, kultura dhe qytetërimi islam do të dominojnë plot 781 vjet.
Al-Andaluzia (ar. لأندلسأ /el-endelus/, e njohur edhe si Iberia Maure, shënon shtetin evropian mysliman në tërë territorin e Gadishullit Iberik, duke përfshirë Spanjën dhe Portugalinë aktuale, si edhe pjesët jugore të Francës, Italisë veriore dhe Zvicrës jugore, i cili ka ekzistuar në madhësi të ndryshueshme prej vitit 711 e deri në vitin 1492. Edhe pse termi al-Andalus si emërtim i shtetit nënkupton një tërësi integrale politike, karakteri i tij sintetik ka të bëjë vetëm me unitetin shpirtëror dhe kulturor të manifestuar nëpërmjet Islamit si ind koheziv dhe emërtues i përbashkët i një numri më të madh shtetesh dhe shteteve të vogla relativisht apo plotësisht të pavarura në aspektin politik. Andaluzia përfaqësonte qendrën e shkencës dhe artit të tërë Evropës, ndërsa vetë qyteti Kordoba në një periudhë të caktuar kohore ishte qendër qytetëruese grandioze e paprekshme e jetës ekonomike dhe kulturore të Mesdheut dhe të tërë Evropës, si pjesës së saj islame, ashtu edhe kristiane.
Në të vërtetë, universi shoqëror i Andaluzisë në parim ishte mbështetur në themelet e multikulturalizmit, prandaj ky parim përbënte një kundërshtim të drejtpërdrejtë me konceptin monokulturor të modelit tipik kristijan, dhe për më tepër, përfaqësonte një risi të plotë për traditën e deriatëhershme evropiane. Se koncepti i tolerancës shoqërore si karakteristikë qytetëruese e Evropës moderne në tërësi është trashëgimi e faktorit Islam, në këtë nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi. Sidoqoftë, do të vijë koha kur vendi ku dikur lulëzonte qytetërimi dhe kultura myslimane, do të shndërrohet në një errësirë të fundamentalizmit dhe antisemitizmit krishter spanjoll…
Aty ku dikur ata që i përkisnin religjionit jo krishterë mbyteshin përmes formave dhe mënyrave më të tmerrshme, aty ku vrasja ndaj myslimanëve dhe hebrenjve ishte përditshmëri, aty ku gjakftohtësia terroriste e inkuizitorëve pothuajse shihej në çdo fytyrë të murgjve dhe priftërinjve të krishterë, aty ku kambana shënonte vazhdimin e mynxyrës, aty ku gjithçka do të ndryshojë me një martesë jo të zakonshme, edhe atë jo nga dashuria, por nga urrejtja e përbashkët që patën ndaj myslimanëve dhe hebrenjve, aty do të ndodh kur e mira dhe e tërë ajo tolerancë dhe drejtësi do të kthehet me të keqe.
Do të thotë se, me invadimin e të krishterëve katolikë, paqa andaluziane – si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë – do të merr fund. Martesa famëkeqe e Ferdinandit të Aragonës dhe Izabellës së Kastiljes do të shënojë fillimin famëkeq të historisë së dëbimit dhe mbytjes së myslimanëve dhe hebrenjve të Spanjës. Ishte muaji mars i vitit 1492. Pikërisht në ditën e fundit të këtij muaji, Izabela e Kastiljes, bashkëshortja e Ferdinandit të Aragonës, nga rezidenca e saj në Granadë, përmes një edikti do të urdhërojë:
“Të gjithë jo krishterët, hebrenj dhe myslimanë, meshkuj dhe femra të cilët jetojnë ose janë në kalim nëpër mbretërinë dhe vendin tonë, do të duhet ta lëshojnë vendin deri në fund të muajit qershor, edhe atë së bashku me bijtë dhe bijat e tyre si dhe me farefisin e tyre. Atyre nuk iu lejohet kthimi, sepse iu kanoset vdekja”[1].
Edikti i turpit, jo vetëm që paraqiste thyerje të marrëveshjes me myslimanët, por kjo mbretëri gjente mbështetjen edhe te Kisha. Atëherë kur Ferdinandi dhe Izabella lidhën kurorën martesore, filluan të premtojnë dhe propagandojnë një lloj socializmi shtetëror. Ata iu premtonin njerëzve mirëqenie, punë, përmirësim të standardit jetësor, etj. E jo vetëm kaq, por ata u betuan se së shpejti nga territori spanjoll do t’i dëbojnë të gjithë ata jo krishterë të cilët nuk do të pranojnë konvertimin në krishterizëm. Krahas këtyre projekteve famëkeqe, ata formuan edhe skuadrën vrastare të quajtur “Santa Ermandad”. Kjo skuadër terroriste do të vihet në shërbim të inkuizicionit, e më pas, kësaj do t’i bashkëngjiten të gjithë aristokratët e asaj kohe me qëllim që të mos i humbin privilegjet dhe pozitat e larta që i gëzonin. Një vendbanim spanjoll edhe sot quhet Kastriljo de Matahudios, ndërsa “Matajudios” do të thotë “të mbysësh hebrenj”[2].
Megjithatë, në Santa Ermandad vullnetarisht do të inkuadrohen grupe manipulantësh, të korruptuarit, fajdexhinjtë, etj. Të gjithë këta do të bëhen virtyt në shërbim të atdheut. Në librin e tij “Der Chevalier von Geldern”(Fisnikët e parave), Fric Hejmani flet për perfiditetin e hebrenjve dhe familjeve të pasura hebreje që ishin shpeshherë lojal ndaj inkuizitorëve, ashtu siç sot bëhet edhe në disa vende në botë”[3].
Dallimin dramatik në shkallën e tolerancës kulturore dhe fetare ndërmjet Andaluzisë si shtet i parë evropian islam dhe shtetit të krishterë – i cili e zëvendësoi këtë në të njëjtën hapësirë – e ilustrojnë faktet se për disa vjet në tërë territorin e Spanjës myslimane janë rrënuar të gjitha xhamitë dhe sinagogat, bibliotekat dhe hamamet, janë grabitur pasuritë e të gjithë jokrishterëve dhe se prej 500.000 myslimanëve dhe 30.000 hebrenjve sa patën mbetur në Granadë pas rënies së shtetit islam, pushteti i krishterë në afatin më të shkurtër ka vrarë rreth 100.000, ka dëbuar 200.000, kurse 200.000 të tjerë të mbetur me dhunë i konvertoi në katolicizëm…[4]. Në këtë periudhë myslimanët e kryqëzuar do t’a fitojnë edhe epitetin përbuzës moriskos.
Programi i abrogimit total i të gjitha formave të tolerancës kulturore dhe fetare fillon me Dekretin e lartpërmendur për dëbimin e të gjithë myslimanëve dhe hebrenjve, sikurse edhe të arabëve dhe berberëve nga Gadishulli Iberik. Si pasojë e këtij Dekreti famëkeq, Kristofor Kolombo do ta urdhërojë ekuipazhin e tij që në liman të gjenden para gjysmës së natës të 2 gushtit të vitit 1492, gjë që ishte gjest i kundërt me praktikën e rregullt të marinarëve!?
A është arsyeja për një gjest të këtillë ultimatumi i publikuar i 31 marsit i vitit 1492, përkatësisht urdhri i lëshuar në Grenadë nga Izabela, që fillimi i korrikut të vitit 1492 të mos e gjejë asnjë jo të krishterë në Gadishullin Iberik!? Studiuesit, si Simon Vizentali, do të konstatojnë se ultimatumi për dëbimin e jokrishterëve nga Spanja është shtyrë deri më 31 korrik të vitit 1492, d.t.th. për një muaj, madje Izabella do të vendos që afati përfundimtar të jetë 2 gushti i vitit 1492, ditë kjo e cila përputhej me Ditën e Rrënimit të Dytë të Tempullit në Jerusalem[5]. Meqë Kolombo ishte një hebre me origjinë, gjë të cilën si duket nuk e kishin ditur as Ferdinandi, e as Izabella, e as agjentët e tyre, thuhet se qëllimi i tij kishte qenë shmangia nga e keqja. Pra, me qëllim që kjo datë të mos e zë Kolombon në territorin spanjoll, ai do të vendos që së bashku me 120 anëtarët e tij të ekuipazhit, të largohet për “ekspeditën e tij detare”! Paraprakisht Kolombo në mënyrë perfide i garantoi mbretëreshës Izabela se “do të zbulojë toka të reja ku do ta përhap krishterimin”, ndërsa ajo – duke qenë e bindur në këtë pohim të tij – do t’i dhurojë edhe stolitë e saja, edhe pse në ekspeditën e tij që përbëhej nga 120 marinarë dhe tre anije, nuk pati asnjë prift të krishterë! Ç’ironi e thellë!?
Pas dëbimeve të myslimanëve dhe hebrenjve nga Spanja, të njëjtat do të vazhdojnë edhe në Sicili (1492), Nevara, Provansë (1498) dhe në Neapol në vitin 1510. Më 21 dhjetor të vitit 1533 me urdhër të papës Julius III, në shumë qytete të Italisë, si në Romë, Venedik etj., u dogjën disa mijëra libra hebraike, madje edhe kopje të shumta të Talmudit. Në këtë fushatë kundër hebrenjve ishte inkuadruar edhe Martin Luteri (1483-1546), udhëheqësi i Reformacionit në Gjermani dhe themelues i protestantizmit, ndërsa më vonë kundër hebrenjve u radhitën edhe Deni Didero (1713-1784) dhe Fransoa Mari Arue Volter (1694-1778), etj., kështu që në shumë qytete evropiane elementi hebre do të shuhet tërësisht.
Aq e ashpër do të jetë fushata kundër myslimanëve dhe hebrenjve të Spanjës, sa që nuk do të mbetet pothuajse asnjë gjurmë jokrishtere nëpër shumë vendbanime, si hebreje ashtu edhe në ato myslimane, përfshirë këtu edhe varrezat e tyre. Kronistët mesjetar shënuan se papa Urbani VIII (1623-1644) do ta përkrah shkatërrimin e varrezave hebreje në Spanjë[6].
Hebrenjtë e dëbuar nga Spanja, strehim do të gjejnë vetëm nën hijen e administrimit osman. Thuhet se krahu i hebrenjve ashkenaz do të përqendrohet në mbretërinë e re të Polonisë, ndërsa krahu i judaizmit sefard do të vendoset në Perandorinë Osmane, që do të fillojë të dominojë me Mesdheun Oriental dhe me Ballkanin[7]. Barrën e iluminizmit hebrej dhe të lëvizjes iluministe hebreje (haskala) e bartën ashkenazët, ndërsa sefardët e Ballkanit veçanërisht nuk e patën atë privilegj[8].
2.
Multikulturalizmi osman dhe toleranca ndaj hebrenjve
Atëherë kur në Evropë persekutoheshin bashkësitë e ndryshme hebraike, administrata Osmane do të jetë ajo e cila do t’ua zgjatë dorën dhe do t’iu ofrojë strehim të sigurt. Siguria dhe toleranca që u shpreh në periudhën e Perandorisë Osmane ndaj krishterëve dhe hebrenjve nuk ishte aspak më e dobët se ajo që u ishte ofruar më parë atyre në Andaluzi[9].
Është e qartë dhe e vërtetë e heshtur se hebrenjtë u njohën dhe u pranuan si njerëz të barabartë vetëm nga myslimanët. Hebrenjtë jetuan të qetë dhe plotësisht të integruar në Spanjë ku myslimanët administruan pothuajse tetë shekuj me radhë.
Me migrimin e hebrenjve në Shtetin Osman do të themelohen bashkësi të mëdha hebraike, si në Stamboll, Selanik, Izmir dhe Edrene, mirëpo gjithashtu edhe në Ballkan dhe në qytetet e Anadollit. Në fakt, qeveria osmane që nga viti 1326 ua kishte lejuar hebrenjve të ndërtonin sinagoga dhe shkolla, të kishin liri të plotë udhëtimi, zgjedhje të profesionit dhe të vendbanimit, madje të themelonin edhe institucionet e tyre, siç ishte edhe i ashtuquajturi Rabinat Suprem i Perandorisë Osmane i themeluar në vitin 1453[10]. Sulltan Bejazidi II (1491-1512) do të shprehet se është i gatshëm t’i pranojë hebrenjtë e dëbuar dhe atyre t’iu ofrojë jetë të rehatshme dhe paqe në Shtetin Osman[11]. Madje ai me sinqeritet të plotë u orvat t’i tërheq hebrenjtë e dëbuar në territorin osman dhe “në fakt tregoi mëshirën ndaj tyre, shkroi letra dhe dërgo porosi që të dihet në tërë hapësirat e Perandorisë se askush nga vezirët dhe drejtuesit tjerë të provincave nuk mund t’i refuzojë hebrenjtë apo t’i dëbojë ata. Përkundrazi, ata duhet të priten me zemërgjerësi”[12].
Gjatë procesit të migrimeve hebrenjtë do të vendosen në disa qendra më të rëndësishme tregtare të Ballkanit[13], si dhe të Azisë së Vogël. Me këtë rast, në sistemin e miletit në kuadër të Perandorisë Osmane do të përfshihet edhe bashkësia fetare hebreje (jahudi mileti) në krye të së cilës qëndronte rabini suprem. Hebrenjtë në Stamboll, si dhe në qytetet tjera të Perandorisë Osmane ishin bashkësi të organizuara dhe secila bashkësi kishte rabinin dhe këshillin e saj me një udhëheqës që e quanin bashgaba.
Sipas defterëve osmanë, jomyslimanët ishin të ndarë në tre grupe kryesore:
- Hebrenjë (rabani, karaitëdhe samiritë);
- Të krishterë (katolikët në: latinë, gruzianë, ermenë, sirianë, heldejë,maronitë, koptë, ndërsa ortodoksët në: gregorianë, grekë, nestorianë, melkitë,) dhe
- Sabejë.
Hebrenjtë ishin të ndarë në bashkësi rabinate, përkatësisht në ithtarë të judaizmit talmudian dhe në bashkësinë e vogël të karaitëve, një sekt që do të paraqitet në shek. VIII pas largimit nga judaizmi talmudian[14].
Andre Mikeli i cili është i njohur me veprat e tij shkencore e studimore, e që kanë të bëjnë me tolerancën e myslimanëve në botën islame, vlerëson: “Bashkësitë krishtere jetonin në një shtet mirë të administruar të cilin ata nuk e njihnin gjatë periudhës bizantine dhe latine. Ata asnjëherë nuk iu nënshtruan dëbimeve sistematike. Përkundrazi, Shteti Osman, përkatësisht qyteti më i madh, Stambolli, do të bëhet vendstrehim për migruesit hebrenj të cilët iknin nga Spanja ku vazhdimisht torturoheshin në vendin e tyre. Njerëzit asnjëherë nuk ishin islamizuar me forcë; lëvizjet për islamizim do të paraqiten si rezultat i proceseve shoqërore” [15].
Në Ballkanin Otoman hebrenjtë gjetën strehim të sigurt dhe atyre iu mundësua që, përkundër identitetit tjetër fetar, të përparojnë në hierarkinë administrative të Perandorisë Osmane[16]. Konstatime të njëjta ekzistojnë edhe në letrën të cilën hebrenjtë e Provansës (krahinë në Francën juglindore) që jetonin në Selanik, ua kishin dërguar bashkëfetarëve të tyre të persekutuar, po ashtu nga Provansa, në vitin 1550, në të cilën thuhej: “Ejani dhe bashkohuni me ne në Turqi, dhe do të jetoni sikur ne, në paqe dhe liri”[17]. Historia e integrimit të hebrenjve nën administrimin osman kulmin e saj e arriti vetëm gjatë shekujve XVI dhe XVII[18].
Letra e Edrenesë e vitit 1454, e cila paraqet një dokument të rëndësishëm historik, është një dëshmi e qartë sa i përket lirive dhe të drejtave fetare të hebrenjve dhe të gjithë jomyslimanëve nën qeverisjen osmane. Rabini hebre Isaak Sarfati, i lindur në Gjermani, përkatësisht autor i këtij shkrimi, zbulon dimensionet e lirisë nën sundimin otoman, kur shkruan dhe i fton vëllezërit e tij në fe që gjenden në Evropë, të shkojnë atje, në tokat osmane dhe kështu të mbrohen nga persekutimet që realizoheshin kundër tyre si hebrenj në Gjermani, gjegjësisht në Evropë, duke thënë: “Kam dëgjuar për vuajtjet dhe tmerret nga vdekja që i ka goditur vëllezërit tanë hebrenj në Gjermani, për konvertimet e dhunshme në krishterizëm dhe për dëbimet të cilat janë duke ndodhur për çdo ditë… Unë Isaak Sarfatti, edhe pse rrjedh nga një familje franceze, prapëseprapë jam i lindur në Gjermani, dhe aty kam mësuar para këmbëve të mësuesve të mi të nderuar. Ua bëj me dije se vendi i quajtur Turqi (Perandori Osmane) është një vend ku nuk mungon asgjë dhe ku, nëse ju dëshironi, të gjithë të tjerët do të dëshirojnë të sillen mirë me ju. Rruga deri në Tokën e Shenjtë është e hapur përmes Turqisë. A nuk është atëherë më mirë që të jetoni nën administrimin mysliman, se sa nën atë krishter? Këtu çdo njeri mund të jetojë në paqe, nën hijet e vreshtave dhe drunjve të fiqve. Këtu lejohet të mbani mantelet më të shtrenjta. Përkundër asaj, në botën e krishterë assesi nuk guxoni që fëmijët e juaj t’i vishni me rroba të kuqe ose me ngjyrë blu edhe atë sipas shijes sonë… Pra, duke i marrë parasysh këto vuajtje, o Israel, pse ke fjetur? Ngrihu! Dhe largohu për çdo herë nga ai vend i mallkuar”[19]!
Gjithashtu, në fillim të shek. XVI edhe një hebre portugez, i quajtur Samuel Usque, me një entuziazëm të njëjtë përshkruan gjendjen e hebrenjve, duke thënë për Perandorinë Osmane se “është një det shumë i gjerë të cilin Zoti e hapi me shkopin e Tij të mëshirshëm ashtu siç e hapi Detin e Kuq me rastin e daljes nga Egjipti. Dyert e lirisë këtu janë të hapura për ta respektuar judaizmin”[20].
Atëherë “kur hebrenjtë e themeluan sinagogën në Hajdarpashë të Stambollit, atë e quajtën “Hemedat Israil”. Hemedat do të thotë Hamid, pra falënderues ose ndryshe “Falënderim i Izraelit”. Meqenëse emri i sulltanit të asaj periudhe ishte Abdulhamid, ata edhe sinagogën e emëruan me emrin “Falënderimi i Izraelit” në shenjë respekti ndaj Sulltan Abdulhamidit të II-të[21].
Deri në fillim të shekullit XX, përkatësisht deri në vitin 1917, Lindja e Afërt ishte e bashkuar në një pushtet, e ai ishte pushteti Osman me seli në Stamboll. Në brendinë e kësaj perandorie të gjerë jetonin etnitete të ndryshme si: druzë, shiitë, të krishterë, hebrenj, arabë, turq, shqiptarë, berberë, kurdë, grekë, vlleh dhe shumë etnitete tjera. Në të vërtetë, Perandoria Osmane deri në një farë shkalle u përgjigjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ashtu siç sot administrojnë SHBA-të me shtetet që e përbëjnë atë)[22]. Pax Ottomana që përfundoi me tërheqjen e Perandorisë Osmane nga Lindja e Afërt, akoma nuk është zëvendësuar, por ato rajone pas largimit të administrimit osman kaluan nën administrimin e kolonizatorëve evropianë.
Në vitin 1992 katolikët konservatorë në Spanjë dhe në Amerikën Latine propozuan që Izabela e Kastiljes (e vitit 1492) të shpallet shenjtëri, akt përmes së cilit do të injoroheshin edhe veprimet vrastare dhe gjenocidiale të cilat ajo i kreu ndaj hebrenjve dhe myslimanëve të Spanjës të fundshekullit të XV-të dhe fillimshekullit të XVI-të. Megjithatë, ky propozim nuk u pranua.
Burimet:
ARNOLD, Thomas, “Povijest Islama”, IZ, Sarajevo, 1989.
BRAUDE, Benjamin & LEËIS, Bernard, “Krščani i jevreji u osmanskoj carevini – funkcioniranje jednog pluralnog društva”, CNS, Sarajevo, 2009.
БЕНБАСА, Естер & РОДРИГ, Арон, “Историја на сефардските Евреи – од Толедо до Солун”, Слово, Скопје, 2011.
DEBELJAK, Alesh, “Fundamentalizmi bashkëkohor dhe lufta e shenjtë”, Logos-A, Shkup, 2011.
MUHIQ, Ferid “Identiteti islam i Europës”, Logos-A, Shkup, 2013.
KARLSSON, Ingmar, “Vjera teror i tolerancija”, Tuzla, 2005.
MIQUEL, André, “L’Islam et Sa Civilisation VIIe-XXe siècle”, Librairie Armand Colin, Paris, 1968.
MURTEZAI, Ekrem, “Fjalor i feve“, Rilindja, Prishtinë, 2000.
VIZENTAL, Simon, “Jedro Nade”, Prosveta, Beograd, 2003.
SCHËARTZ, S. “Dva lica islama”, Tugra, Sarajevo, 2005.
ORTAJLLI, Ilber, “Paqja Osmane”, Logos-A, 2015.
ëëë.elmundosefarad.eu/ëiki/ëiki/index.php?titlenajevrejskom_groblju_u_sarajevu.
https://lostsephardicëorld.org/mk/izlozba/sefardskite-evrei-i-nivnoto-patuvanje-na-balkanot/.
1] “Sefardi na nemilosrdnoj strmini istorije”, Bruno Likić & Sofija Kordić, www.elmundosefarad.eu/wiki/wiki/index.php?titlenajevrejskom_groblju_u_sarajevu.
[2] VIZENTAL, Simon, “Jedro Nade”, Prosveta, Beograd, 2003, l, f. 206.
[3] “Der Chevalier von Geldern”: Eine Chronik der Abenteuer der Juden, Köln, 1963, cituar sipas: VIZENTAL, Simon, f. 43.
[4] Më hollësisht për dëbimet e para ndaj myslimanëve dhe hebrenjve pas pushtimit të Granadës, shih: Henry Kamen, “Spain 1469-1714 A Society of Conflict”, (Third edition, pf. 37-38), cituar sipas: MUHIQ, Ferid, “Identiteti islam i Europës”, Logos-A, Shkup, 2013, f. 265-266.
[5] VIZENTAL, Simon, f. 173.
[6] VIZENTAL, Simon, f. 173.
[7] БЕНБАСА, Естер & РОДРИГ, Арон, “Историја на сефардските Евреи – од Толедо до Солун”, Слово, Скопје, 2011, f. 72-73.
[8] БЕНБАСА, Естер & РОДРИГ, Арон, f. 419.
[9] ARNOLD, Thomas, “Povijest Islama”, IZ, Sarajevo, 1989, f. 191.
[10] BRAUDE, Benjamin & LEWIS, Bernard, “Krščani i jevreji u osmanskoj carevini – funkcioniranje jednog pluralnog društva”, CNS, Sarajevo, 2009, f. 31.
[11] https://lostsephardicworld.org/mk/izlozba/sefardskite-evrei-i-nivnoto-patuvanje-na-balkanot/ (09.09.2018).
[12] CAPSALI, Eliahou, “Chronique de l’expulsion”, pres.et trad. par S. Sultan Bohbut, Cerf. Paris, 1994, cituar sipas: БЕНБАСА, Естер & РОДРИГ, Арон, f. 89.
[13] “Sefardi na nemilosrdnoj strmini istorije”, Bruno Likić & Sofija Kordić, www.elmundosefarad.eu/wiki/wiki/index.php?title=na_jevrejskom_groblju_u_sarajevu.
[14] BRAUDE, Benjamin & Lewis, Bernard, po aty, f. 50.
[15] MIQUEL, André, “L’Islam et Sa Civilisation VIIe-XXe siècle”, Librairie Armand Colin, Paris, 1968, f. 244.
[16] DEBELJAK, Alesh, “Fundamentalizmi bashkëkohor dhe lufta e shenjtë”, Logos-A, Shkup, 2011. f. 91-92.
[17] БЕНБАСА, Естер & РОДРИГ, Арон, f. 91, cit. sipas: Abraham Danon, “La commu-nauté juive de Salonique au 16 siécle – In: Revue des études juives (40), 1990, p. 207.
[18] BRAUDE, Benjamin & LEWIS, Bernard, f. 50.
[19] SCHWARTZ, S. “Dva lica islama”, Tugra, Sarajevo, 2005, f. 28; БЕНБАСА, Естер & РОДРИГ, Арон, f. 84-85.
[20] KARLSSON, Ingmar, , “Vjera teror i tolerancija”, Tuzla, 2005, f. 310; БЕНБАСА, Естер & РОДРИГ, Арон, f. 91.
[21] ORTAJLLI, Ilber, “Paqja Osmane”, Logos-A, 2015, f. 162.
[22] VINTER, J. Tim, “Islam 2000: Feja për fundin e modernizmit”, Ljiljan, dhjetor, 98 – Janar 99.
/tesheshi.com/