728 x 90 Leaderboard

Hapja e negociatave, Rama fton Bashën, falënderon Berishën dhe shton: tani do të japin llogari…

Edi Rama ka ftuar Lulzim Bashën që të nisë një fazë e re bashkëpunimi pas hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Në një konferencë shtypi pas vendimit të Brukselit, Rama e cilësoi vendimin e BE-së jo si një fitore e qeverisë por “e gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ne kemi luftuar për këtë ditë, kurse ata për ta shtyrë këtë ditë”.

Kreu i qeverisë e cilësoi “Po”-në e Komisionit jo si një dhuratë, por si rezultat i reformave që qeveria e tij ka marrë në 5 vjet.

Nga ana tjetër, Rama përshëndeti dhe pasardhësin e tij Berisha, por edhe kryeministrat e tjerë të vendit, duke e ndarë meritën e këtij vendimi.

“Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re. Jemi rekomanduar pa asnjë rezervë nga BE që mund të ulet në tryezën e negociatave.

Jam i emocionuar dhe shumë krenar sepse ia dolëm këtij provimi mjaft të vështirë.

I dhamë Shqipërisë një staturë të re. Tanimë është e qartë se rruga përtej udhëkryqit, sado e vështirë është e gjitha e hapur përpara nesh.

Stacioni i radhës është anëtarësimi në BE dhe shpejtësia e mbërritjes në atë stacion varet nga të gjithë ne.  Jam i emocionuar sepse sot Shqipëria ka marrë vlerësimin më të lartë 30-vjeçar.

Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata përpara nesh për të ndërtuar një pjesë të të vetmes rrugë; rrugës së anëtarësimit në BE.

Ia kemi dalë që në 4 vjet të kthejmë besimin e popullit tek ne për dy arritje të mëdha. Në vitin e parë të mandatit të parë i dhamë Shqipërisë statusin.

Në vitin e parë të mandatit të dytë, i dhamë çeljen e negociatave. Këto nuk janë dhurata. Brukseli është një makineri e pamëshirshme që sheh dhe njeh vetëm meritat”, tha Rama, i cili pas kësaj gjuhe ledhatonjëse, paralajmëroi një fushatë të fortë ndaj atyre që kanë abuzuar.

“Gjykatësit dhe prokurorët që përjashtohen nga sistemi sepse nuk kalojnë vettingut, politikanët që i kanë ikur drejtësisë për kaq vite me radhë nga një drejtësi e kapur, kriminelë që duart e përgjakura i kanë larë me sapunin e drejtësisë, apo të fortësh qytetesh dhe lagjesh që kanë hyrë nga dyert e komisariatit dhe kanë dalë nga penxheret e gjykatave, duhet të japin llogari tashmë”, deklaroi kryeministri. /tesheshi.com/

 

Related posts