Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

GREVISTËT/ Rasti “Ballshi”, kur gazetaria raporton por nuk sqaron: si punuan dy vjet pa u paguar dhe nën ç’garanci?

Greva e urisë e naftëtarëve të Ballshit ka nxjerrë në pah një prej defekteve më të mëdha të gazetarisë në Shqipëri; faktin që është raportuese por shumë pak sqaruese. Thënë ndryshe, gazetarët më së shumti preferojnë të bëjnë “punëtorin e transportit” në një zhvillim, duke përcjellë deklarime sa këndej e andej, pa u ndaluar në gërmimin e asaj që qëndron mes tyre: e vërteta.

Në rastin e grevës së Ballshit, e cila po vijon prej ditësh, çdo ditë gazetarët përcjellin psherëtima vuajtjeje të burrave e grave të atyshme, shoqëruar me përbetime se nuk do dalin prej andej pa marrë zgjidhje çështja e tyre. E gjitha drejtuar qeverisë. Por kjo e fundit pretendon se në hallin e naftëtarëve, ajo nuk ka asnjë përgjegjësi.

Po të shihen edhe deklarimet e deritanishme të vetë naftëtarëve, as ata vetë nuk arrijnë të artikulojnë në terma konkretë se ku konkretisht qëndron përgjegjësia e qeverisë. Ata, si dhe ajo pjesë e politikës, opozita më saktë, ofrojnë disa fraza të gatshme dhe shabllone për çështjen, ngarkuar me emotivitet dhe patetizëm, por në fund nuk arrijnë t’i thonë publikut atë që vërtet ka interes në gjithë që po ndodh: ku e ka përgjegjësinë qeveria dhe si konkretisht duhet të reagojë ajo.

Eshtë një pyetje që fare mirë, gazetarë profesionistë duhet t’jua drejtojnë, si grevistëve e si zërave politikë që u qasen atyre nga pozita opozitare.

Por ndër pyetjet më të natyrshme, drejtuar naftëtarëve, do ishte dhe ajo se si ata pranuan të punojnë deri në dy vjet pa u paguar dhe në ç’garanci e bën këtë.

Kush ka ndodhur t’i vonohet rroga, në çdo sektor qoftë, e ka të pamundur ta besojë se mund të punohet deri në dy vjet pa u paguar.

Siç shihet, mes grevistëve nuk ka asnjë prej tyre që të jetë lideri, njeriu që e mbron kauzën dhe ka aftësinë e duhur për të adresuar qartësisht problemin, te qeveria e gjithashtu dhe te opinioni.

Nëse nuk e bëjnë ata, duhet ta bëjë gazetaria. Nëse nuk e bën me investigim, ta bëjnë me pyetje, të tipit: nën ç’garanci punuat me muaj e deri vite pa u paguar?

Ç’është ajo që realisht e konkretisht kërkoni nga qeveria dhe ku është përgjegjësia e saj?

Dhe në fund: mos vallë jeni me tezën që pagat mund t’jua jep edhe qeveria?

Nëse është kështu, vjen pyetja e radhës: ku ka ndodhur kjo dhe si rregullohet me ligj? /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts