Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Gratë në politikën shqiptare: Nga Ahmet Zogu te Edi Rama – ja emrat më të spikatur

Nga Luljeta Progni

Fillimi dhe evoluimi i përfaqsimit të grave në vendimarrje, nga Nexhmije Hoxha e Liri Belishova e deri te Jozefina Topalli, Arta Dade e Grida Duma. Roli i munguar i grave në vendimarrje në historinë e shtetit shqiptar

gra deputete komuniste

 Eleni Terezi, Liri Belishova, Liri Gega, Naxhije Dume, Nexhmije Hoxha, Ollga Plumbi, janë të parat gra që u zgjodhën në parlamentin e Shqipërisë 65 vite më parë. Ato u zgjodhën deputete në legjislaturën e parë të parlamentit të Shqipërisë komuniste në vitin 1945-1950.

Rritja e numrit të grave në politikë gjatë komunizimit nuk ka asnjë domethënie sa i përket rritjes së rolit të gruas në vendimnarrje. Ndërsa sot pas 65 vjetësh në parlamentin e Shqipërisë, janë njëzet e gjashtë deputete. Trembëdhjetë prej tyre janë deputete të Partisë Socialiste, nëntë deputete të Partisë Demokratike dhe 4 deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ecuria e rritjes së numrit të grave në politikën shqiptare në më shumë se gjysëm shekulli, ka qënë kaq e ngadaltë.  Po kaq e ngadaltë është ecuria e përfaqsimit të grave në pushtetin vendor e në çdo nivel të vendimarrjes.  Në zgjedhjet e kaluara, numri i grave në pushtetin vendor ishte i papërfillshëm ndërsa në këto zgjedhje ka një rritje të numrit të kandidateve gra. Janë 16 gra që kandidojnë për kryetare bashkie në zgjedhjet e 21 qershorit. 12 prej tyre kandidojnë nën siglën e  së majtës, ndërsa tre të tjera nën siglën e së djathtës dhe vetëm një si e pavarur.

Spikat në këto zgjedhje gara mes dy grave për bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi e PD-së dhe Keti Bazhdari e PS-së. Një garë interesante po zhvillohet në Durrës mes kandidates Grida Duma e PD-së e cila duket se po vë në vështirësi rivalin e saj në garën për këtë bashki, Vangjush Dako.

E drejta e votës për gratë, për herë të parë në vitin 1945

Në fillimet e shtetit shqiptar, nuk ka ekzistuar e drejta e grave për të zgjedhur e as për t`u zgjedhur. Në ligjin për “Zgjedhjen e deputetëve” i datës 5 dhjetor 1920, në nenin 6, theksohet: “gjithë ata burra që  kanë moshën 20 vjeç e përpjetë, paguejnë a s’paguejnë vergji, kanë të drejtë vote në çdo zyrë zgjedhjeje për zgjedhje të dytë”.

Sipas legjislacionit të kohës, në ligjin “Për zgjedhjen e Misvet të Kuvendit Kushtetues”, të miratuar prej Parlamentit më 5.10.1923, në nenin 8, theksohet se “Zgjedhës i parë është çdo shtetas shqiptar mashkull që gjendet i rregjistruem në listat e zgjedhësvet dhe qi ka mbushun moshën e tij prej 18 vjetësh”

Në Statutin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, theksohet: “Të gjithë shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtat politike e civile, dhe pranohen në të gjitha nëpunësitë civile e ushtarake, përveç përjashtimevet të caktueme prej ligjës”. Ky ligj ndryshoi pas ardhjes së komunistëve në pushtet.

 

Barazia fallco mes burrit e gruas në Shqipërinë komuniste

Për herë të parë në Shqipëri, e drejta e votës për gratë është njohur në  vitin 1945.

Në Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946, në kapitullin “Të drejtat dhe Detyrat e Shtetasve”, neni 14 theksohet: “Të gjithë shtetasit pa ndryshim seksi, kombësie, race, besimi shkalle kulturore ose banimi dhe që kanë mbushur moshën 18 vjet, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në të gjitha organet e pushtetit shtetëror”, në nenin 17 theksohet se “Gruaja është njësoj me burrin në çdo fushë të jetës private, politike dhe shoqërore”.

Në ligjin zgjedhor Nr. 783, dt.20.I.1950 në kapitullin “Dispozita të përgjithshme” neni 5, dhe më tej, për herë të parë shtohet se “Gratë kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në Kuvendin Popullor njëlloj si burrat”. 

grate ne kuvend me adil carcanin

Pas miratimit të këtij ligji, për herë të parë u zgjodhën deputete në Kuvendin popullor, në Legjislaturën e parë të tij, 1945-1950: Eleni Terezi, Liri Belishova, Liri Gega, Naxhije Dume, Nexhmije Hoxha, Ollga Plumbi në një përqindje prej 6%. Përqindjen më të madhe të përfaqësimit në parlament gjatë gjithë legjislaturave, gratë e kanë arritur në vitin 1974 me 33%.

Por kjo përqindje ishte thuajse fiktive sa i përket peshës që kishin gratë në shoqërinë komuniste. Të njëjtën peshë vote në të vërtetë kishin edhe burrat pasi vota në sistemin komunist nuk kishte asnjë kuptim.  Ishte sistem totalitar ku vendimi i udhëheqësit nuk diskutohej dhe vota s’kishte vlerë. E gjithë pesha politike e grave ishte aq e gënjështërt. Gruaja në komunizëm mori  artificialisht përmasat e burrit.

Parullat komuniste “Gruaja forcë e madhe” u reklamuan me banderola ku shfaqeshin imazhet e grave të forta me pushkë, kazëm e lopatë në krah të gatshme për të mbrojtur atdheun e për të ndërtuar socilaizmin.  U formësuan portrete të grave komuniste po aq të etshme për të zhvilluar luftën e klasave  duke sulmuar, gra e burra shqiptarë që historia i kishte gjetur në vitin 1944 në krahun tjetër përballë komunistëve, tek partitë nacionaliste.

Armiku i klasës nuk ishin asgjë tjetër veçse gra, burra e fëmijë që i përkisnin shtresës së ish-pronarëve e të tjerëve që mendonin ndryshe nga Enver Hoxha e regjimi i tij gjakatar komunist. Me portretin e “të fortit” gratë komuniste luftuan po aq përgjakshëm motrat e vëllezërit e tyre shqiptarë antikomuniste për 50 vite me radhë.

 

Pafuqia e votës së tyre

Me rënien e sistemit komunist në Shqipëri nuk pati ndryshime cilësore në rolin e  grave në vendimarrje.  Shoqëria shqiptare vazhdoi traditën partiarkale për të mbërritur deri sot kur përmes kuotave të vendosura me ligj, ka përpëlitje për të përfshirë disa gra në listat e Kuvendit dhe të pushtetit vendor.

Sot në Kuvend janë vetëm 26 gra dhe ato janë plotësisht nën pushtetin e burrave të partive ku janë zgjedhur.

E megjithatë, drejtuesit e subjekteve politike vazhdojnë me retorikën e tyre për promovimin e grave në vendimarrje. Vazhdojnë edhe organizatat joqeveritare të marrin fonde të shumta në funksion të barazisë gjinore apo për mbrojtjen e të drejtave të grave në Shqipëri.

Janë harxhuar me miliona dollarë nga OJQ-të për të mbështetur gratë në vendimarrje. Aktualisht jemi në një fazë kur shumica e grave në Kuvend vijnë nga një përvojë e gjatë e drejtimit të shoqatave në mbrojtje të grave. Mesa duket gjtihçka kanë bërë në krye të shoqatave, është finalizimi me zgjedhjen e tyre në Kuvend pasi nuk iu njihet ndonjë produkt cilësorë në drejtim të përmirësimit të jetës së grave në Shqipëri. Statistikat flasin për një situatë të pandryshuar sa i përket dhunës ndaj grave dhe margjinalizimit të tyre në shoqërinë shqiptare.

Për t’iu referuar statistikave 25-vjeçare, në Kuvendin e vitit 1991, të parat zgjedhje pluraliste në Shqipëri, janë vetëm 3.6% e deputëve gra.

Pas këtyre zgjedhjeve ka pasur një rritje shumë të lehtë të numrit të grave në Kuvend dhe në nivele të tjera drejtuese për të mbërritur në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013, ku janë 26 gra deputete. Kjo shifër është më shumë meritë e ligjit të detyruar nga organizatat ndërkombëtare për Shqipërinë ku referohet që në çdo listë të partive politike 30% e kandidatëve të jenë gra.

Edi Rama, kryetari i Partisë Socilaiste, njëherësh kryeministër i Shqipërisë dallon ndër të tjerë politikanë në historin e 25 viteve për një aktivizim më të dukshëm të grave në vendimarrje.

Kjo është parë qysh në kohën kur ai ishte në krye të bashkisë së Tiranës në mandatin e dytë të tij kur në bashki u emëruan dy gra nënkryetare: Mimi Kodheli dhe Vali Bizhga.  Kjo traditë u vazhdua edhe nga pasardhësi i tij në këtë detyrë Lulzim Basha. Ai emëroi nënkryetare të bashkisë Jorida Tabakun, e cila ia la vendin nënkryetares aktuale të bashkisë, Nevila Xhindi. Jorida Tabaku u largua pasi u zgjodh deputete në qershor të vitit 2013.

 

Gratë në Kuvend, agresive si burrat

jozefina topalli

Por çfarë sollën ato pak gra në politikë në këto 25 vjet?

Sa e zbutën ato klimën e konfliktit që vazhdon të mbajë peng ecurinë e zhvillimeve demokratike në Shqipëri?

A janë ato modeli më i mirë për gartë që duan të bëhen pjesë e politikës?

makbule ceco

Rezultatet janë dëshpëruese.  Prezenca e këtyre grave në Kuvend nuk ka ndikuar aspak në uljen e tensioneve politike. Përkundrazi, në raste të veçanta gratë kanë qenë faktor të rritjes së konflitktualitetit në politikë, duke shfaqur në të shumtën e rasteve tipare mashkullore të politikës shqiptare.

Gratë aktive në politikën 25-vjeçare nuk ia dolën të kthehen në model për gratë e tjera që aspirojnë për tu bërë pjesë e politikës dhe aq më pak të mbështesin ato në këtë rrugë. Ato veç kanë përforcuar konceptin që dominon shoqërinë shqiptare se politika “Është punë për burra”.

Janë renditur një sërë faktorësh të cilët shihen si pengese për arritjen e balancës mes grave dhe burrave në vendimarrje.

Niveli demokratik i një shoqërie është më kryesori që përcakton edhe përfaqësimin e grave në politikë kriter që Shqipëria ende nuk e plotëson dot pasi është një vend me demokraci të cunguar. /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts