Gjysma e Muzeut Etnologjik në Prishtinë, dy muaj  në pritje të restaurimit

 

Të enjten janë bërë fiks dy muaj nga momenti kur njëri nga objektet e Muzeut Etnologjik në kompleksin “Emin Gjik”, është zbrazur.

Të gjitha eksponatet janë paketuar në godinën njëkatëshe të objektit, në krah të tij. Një gjë e tillë është bërë për të liruar hapësirën për restaurim e konservim.

Krahas kësaj, në ditën e fundit të gushtit Ministria e Kulturës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu i Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum për realizimin e projektit për konservimin dhe restaurimin e dy objekteve të kompleksit që përdorën nga Muzeu Etnologjik.

Megjithëse ka dy muaj që vizitorët nuk kanë qasje në njërin objekt, restaurimi e konservimi nuk ka nisur ende, megjithëse buxheti është ndarë që në fund të vitit të kaluar dhe projekti është gati, po ashtu, që prej vitit 2016. Këtë javë është pastruar hapësira përreth objektit, por ende nuk dihet saktë se kur do të nisë puna restauruese e konservuese, shkruan “Koha Ditore”.

“Nëse mund të sigurohen skelat, nesër e pasnesër ato do të vendosen. Në gjithë Prishtinën flitet se si nuk kemi nisur punën, por nuk kemi gjetur skela. Përndryshe nuk ka ndonjë pengesë”, ka thënë drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj. /tesheshi.com/