728 x 90 Leaderboard

Gjashtëdhjetë zv/ministrat e Haradinajt: një telash për t’u zgjidhur

Nga Blendi Gashi

Qeveria “Haradinaj” ka thyer çdo parashikim, kuptohet në aspektin negative, me emërimin e një numri rekord zv.ministrash, deri më tani mbi 60 sosh, duke tejkaluar edhe shumë të kritikuarën qeverinë “Mustafa”.

Aq hije të keqe i ka sjellë, saqë shakatë në rrjetet sociale nuk kanë të ndalur sa herë që emërohet dhe një zv.ministër i ri, ku një prej tyre që duhet veçuar është se “mos i bjerë kah qeveria se të emërojnë ministër”.

Dhe kjo po ndodh në mungesë të ligjit për qeverinë i cili do definonte saktë se sa zv.minsitra mund të ishin brenda qeverisë.

 

“Probleme me hapësira e vetura…”

Numri i madh i zv.ministrave që pritet të rritet edhe ditët në vazhdim, po del të jetë një problem jo i vogël edhe për vet qeverinë, pasi i ka sjellë jo pak kokëçarje për t’i akomoduar.

Minisitri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, gjatë raportimit këtë javë në Komisionin parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka pranuar se ministria që ai drejton po sfidohet pasi sipas ligjit obligohet që për çdo zv.ministër të sigurojë hapësira dhe automjete.

Sa i përket zv.ministrave, unë nuk jam përgjegjës për këto çështje, por qeveria. Për mua është sfidë, stafi përcjellës janë duke kërkuar hapësira, ose automjete. Për neve është një sfidë është një çështje jo e lehtë. Po do të mundohem me ju përgjigj si duhet”, ka thënë ai.

 

Haradinaj “kërcënon” zv.ministrat

I gjendur në një situatë të palakmueshme por siç duket i detyruar për të përmbushur apetitet e secilës parti të koalicionit, Haradinaj duke arsyetuar numrin e madh të zv.ministrave, i ka “kërcënuar” ata…

Kjo duhet të kthehet në dobi të qeverisë. Në takimin e radhës duhet definuar se çfarë detyra kanë dhe pasi që të matet puna e tyre, do të shihet se a do të mbesin zëvendësministra ose jo”, ka deklaruar Haradinaj.

 

Opozita: Të miratohet ligji për qeverinë

Për të mos ndodhur një katrahurë e tillë në të ardhmen, partitë opozitare por edhe ato jashtëparlamentare kërkojnë që sa më parë të miratohet ligji për qeverinë i cili do përcaktonte saktë sa zv.ministra duhet t’i ketë qeveria.

Deputetja e Vetëvendosje-s, Shqipe Pantina thotë se ligji për qeverinë është dashur të miratohet shumë më herët.

Ligji duhet të përcaktojë qartë jo vetëm numrin e zv ministrave por edhe të ministrive, kur dhe si duhet të themelohet një ministri e re dhe të percaktoj numrin maksimal që mund ta ketë nje qeveri. P.sh. Kuvendi ka 14 komisione dhe besoj se as qeveria nuk ka nevojë për më shumë ministri. Qeveria ‘Haradinaj’ nuk po duket se do e bëjë, sidoqoftë të shohim strategjinë legjislative të vitit 2018 se cfarë do të përmbajë”, thotë Pantina për tesheshi.com.

Edhe deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli, mendon se zgjidhja e vetme e kësaj çështjeje është rregullimi me ligj qeveritar, i cili do të zvogëlonte numrin e minsitrive dhe do përcaktonte numrin e zv.minsitrave.

Në rastin tonë maksimumi është dy zv.ministra por më mira do ishte një zv. ministër. Tani qeveria pa ligj është pa një zot shtëpie, që nuk dihet kush hynë e kush del. Është bërë qeveria një vend për të kënaqur vetëm apetitet e militantëve e jo udheheqje e shtetit drejt zhvillimit. Numri i madh i zv.ministrave jo vetëm që po shkakton ngarkesë fincaciare për shtetin tonë të brisht por edhe ngarkesë adminstrative që pengon mbarëvajtjen e punëve nëpër resor të ndryshëm”, thotë Avdyli përtesheshi.com.

Po ashtu, edhe ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, njëherit kryetar i Lëvizjes për Bashkim mendon se kjo çështje duhet të trajtohet me ligjin e qeverisë që do të kufizonte numrin e zv. ministrave.

Një kohë e mirë ministrave u shkon t’i menaxhojë ata. Rrjedhimisht asnjëherë nuk duhet që zv.ministrat të emërohen pa konsultim me ministrin, ashtu siç është praktikë tek ne. Zakonisht ministrat përmes lajmeve marrin vesh se kush iu ka emëru zëvendës. Paramendojeni tani se çfarë detyrash mund ministri t’u jap atyre, sidomos kur të kihet parasysh që shumica e tyre janë militantë partiakë nëpër degë, të cilët rehatohen kështu në institucionet qendrore si pjesë e pazareve politike në njërën anë brenda vetë partive politike dhe në anën tjetër në mes të subjekteve që janë në koalicionin qeverisës. Kjo çështje duhet urgjentisht të trajtohet me ligjin e qeverisë i cili do të duhej që ta kufizonte numrin e zëvendësministrave. Andaj për ta rregulluar këtë çështje për këtë qeveri dhe për ato të ardhshmet, qeveria dhe kryministri Haradinaj, do të duhej urgjentisht ta procedonin ligjin për qeverinë në Kuvendin e Kosovës”, thotë Murati. /tesheshi.com/

 

Related posts