728 x 90 Leaderboard

Ftesa për Maqedoninë në NATO: Athina dhe Moska mbërthehen në luftë fjalësh

Tensionet në rritje midis Athinës dhe Moskës kanë përkeqësuar fërkimet në krahun jug-lindor të NATO-s, pasi dy aleatët tradicionalë janë përfshirë në një luftë intensive fjalësh. Ndërsa shtohen provat se deri ku ka vullnetin të arrijë Kremlini në mënyrë që të ndalë zgjerimin e NATO-s në Ballkan, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias përdori dy intervista gjatë fundjavës për të paralajmëruar Rusinë. “Rusia duhet të kuptojë se nuk mund të tregojë mungesë respekti ndaj interesave kombëtare të një shteti tjetër për shkak se ndjen se është më e fortë”, tha Kocias për gazetën “Syntakton”.

I pyetur nëse ai është i shqetësuar për dëmtimin e papritur të marrëdhënieve midis dy vendeve, pas njoftimit të Athinës se do të përjashtonte dy diplomatë rusë që ishin përpjekur të minonin marrëveshjen historike që zgjidhi konfliktin 27-vjeçar për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë, Kocias këmbënguli të dielën se interesat kombëtare vijnë të parat.

“Greqia ka vendosur të dërgojë një mesazh ndaj Lindjes dhe ndaj Perëndimit, drejt të gjithë miqve të saj dhe të tjerëve, që pavarësisht se kush po shkel parimet e sovranitetit kombëtar dhe respektin ndaj nesh, do të merren masa”, tha ai për agjencinë shtetërore të lajmeve. “Koha kur mbyllej njëri sy dhe kjo konsiderohej diplomaci, ka marrë fund”, tha ai.

Vërejtja vjen 11 ditë pasi koalicioni i drejtuar nga majtistët i kryeministrit Aleksis Cipras njoftoi se do të përjashtonte të dërguarin rus dhe do të ndalonte dy të tjerë nga ri-hyrja në vend, për aktivitete që u raportua se shkelnin ligjin grek. Në fillim të javës së kaluar, Athina deklaroi se e konsideronte të mbyllur këtë çështje.

Tërbimi grek ka për fokus përpjekjet ruse për të sabotuar marrëveshjen historike të nënshkruar midis Athinës dhe Shkupit në brigjet e liqenit të Prespës në qershor. Brenda pak ditësh nga marrëveshja, ish-republika Jugosllave u ftua të bashkohej me NATO-n, një ofertë e pranuar me zell nga kryeministri Zoran Zaev, me argumentin se anëtarësia do të sjellë siguri dhe rritje ekonomike për shtetin e vogël multi-etnik.

Por, Rusia e cila e konsideron prej kohësh rajonin se po bie nën orbitën e saj të ndikimit, u zemërua. “Moska është e vendosur të ndalojë zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në Europën Jug-lindore”, thotë James Ker-Lindsay, specialist për Ballkanin në shkollën Ekonomike të Londrës. “Sidoqoftë, pjesa më e madhe e vëzhguesve menduan se përpjekjet e saj do të përqendroheshin mbi Maqedoninë, sesa në Greqi”.

Në të dyja anët e kufirit, ka raportime të shtuara për metoda kokëforta që Moska po përgatitet të përdorë për të parandaluar kombet e Ballkanit të përqafohen nga Perëndimi.

Javën e kaluar, Zaev akuzoi biznesmenët greko-rusë se po financojnë rezistencën ndaj marrëveshjes duke trazuar furinë nacionaliste dhe anti-NATO midis mbështetësve të vijës së ashpër përmes demonstratave të dhunshme. Zyrtarët maqedonas, tha ai, kanë zbuluar se biznesmenët lokalë pro-rusë po paguhen deri në 300 mijë euro për të nxitur aktet e dhunës në pritje të referendumit që qeveria social-demokrate pritet të mbajë për marrëveshjen e emrit në vjeshtë.

Akuzat pasuan një raport eksploziv nga trupa e gazetarisë investigative e projektit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, që detajonte “propagandën e fortë subversive dhe aktivitetin e shërbimeve sekrete” në Maqedoni nga ana e Kremlinit që op ashtu e sheh shtetin strategjik si pikë kyçe për gazsjellësit e tij europianë. Dhe në Greqi, agjentët rusë u përpoqën të depërtojnë në shërbimet sekrete të vendit  ndërsa Forcat e Armatosura janë vendosur nën akuzë për ryshfet.

Si një shenjë e tensioneve në përshkallëzim, Moska njoftoi se do të pezullonte një vizitë të planifikuar në kryeqytetin grek nga ana e ministrit të Jashtëm të Rusisë,  Sergei Lavrov, në shtator.

Edhe pse Moska nuk është kundërpërgjigjur ende, Athina ka marrë paralajmërimin se do të ndërmerren kundër-masa, ndërsa ministria e Jashtme ruse akuzoi Greqinë se po merr pjesë në “provokime të ndyra” të orkestruara nga palë të treta.

Në kontrast me shtete të tjera anëtare të BE-së, Greqia refuzoi të tërhiqte ndokënd nga personeli i vet diplomatik nga Moska në shenjë proteste ndaj helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe.

Athina prej kohësh ka argumentuar zbutjen e sanksioneve të BE-së kundër Moskës. Por, sugjerimi i pafshehur i Moskës që Uashingtoni qëndron pas dëbimeve po ashtu është refuzuar me forcë.

“Politika jonë e Jashtme është shumë-dimensionale dhe marrëdhëniet tona me Rusinë janë shumë të konsoliduara dhe nuk do të largohen”, thotë Costas Douzinas, deputet dhe profesor i Ligjit në universitetin e Londrës që drejton komitetin e Çështjeve të mbrojtjes dhe të Jashtme në parlamentin grek. “Por, ne dëshirojmë që askush të mos ndërhyjë në proceset tona demokratike dhe politike. Ne nuk do të lejojmë të na tallin apo të na nxisin”.

Ker-Lindsay thotë: “Duket se Rusia nuk e kuptoi sesa e rëndësishme ishte kjo marrëveshje për qeverinë greke”.

“Duke marrë një hap të tillë publik”, shton ai duke iu referuar dëbimeve, “Athina po dërgon një mesazh shumë të qartë sesa e zemëruar ishte që Moska po përpiqej të minonte të vetmen fitore më të rëndësishme të politikës së Jashtme në mandatin e qeverisë në detyrë. Ishte po ashtu një fitore personale për Kocias, i cili prej kohësh ka kërkuar të përmirësojë marrëdhëniet e Greqisë me fqinjët e saj”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

 

 

Related posts