Flet Admirimi i BESËS: kur e nis politikën duke ta vjedhur mandatin e deputetit

“Kur dikush ta vjedh ëndrrën”, kështu mund të quhet rasti i kandidatit për deputet në rradhët e Lëvizjes BESA, Admirim Halitit. Ai, sapo kishte nisur të merte përgëzime për të qënit deputet i Karadakut në Kuvendin maqedonas, mirëpo nuk e pati këtë fat.

Diçka ngjau që situata u përmbys, diçka që i vjen era padrejtësi, paturpsi, që fatkëqësisht i has me shumicë në politikëbërje….

Në një intervistë për tesheshi.com, Haliti rrëfen gjithë atë çka ndodhi me mandatin e tij, që për një moment e pati në xhep, falë besimit që i dhanë votuesit shqiptarë, por që dikush ia morri kaçakshe….   

 

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Admirim, u ndjetë deputet për një moment. Ç’ndodhi m,ë pas që ju nuk përfunduat i tillë?

Në natën e 11 dhjetorit pas përfundimit të votimit, sipas informatave të vëzhguesve tanë në terren, rezultonte se koalicioni Rilindje me BESË kishte fituar 2 deputetë në njësinë zgjedhore nr. 2. Megjithatë, KSHZ më vonë publikoi numra të ndryshëm. Meqenëse vëzhguesit tanë kishin indikacione të fuqishme për keqpërdorime në disa vendvotime të cilat kishin ndikuar në këtë “ndryshim”,  Lëvizja BESA bëri punën që duhej bërë, bëri ankimimet deri në KSHZ. Pastaj opinioni e di saktë çka ndodhi në KSHZ.

Na thuani nëse më shumë ju vjen keq për veten pse nuk je pjesë e Kuvendit, ose për ata dy shqiptarë në KSHZ që votuan kundër jush, dhe si pasojë vendin e juaj në karriget e Kuvendit e zuri një deputet tjetër maqedonas?

Mendoj se këto zgjedhje nuk kanë qenë për mua, por kanë qenë për diçka shumë më të madhe, prandaj për veten nuk ndjej aspak keqardhje pse nuk jam në kuvend, këto zgjedhje asnjëherë nuk i kam shikuar në nivelin personal. Këto zgjedhje kanë qenë për popullin të tregojë drejtimin që duhet të marrë politika shqiptare në Maqedoni. Në këtë drejtim edhe unë, edhe koalicioni Rilindje me BESË ndjehemi se kemi shënuar fitore të rëndësishme, në kuptimin që përmes votave tona, populli shumë qartë ka treguar për drejtimin që duhet të marrë politika Shqiptare në Maqedoni. Rrjedhimisht, ndryshimi në Maqedoni patjetër do të ndodhë, me ose pa mua në kuvend, dhe kjo është ajo me të cilën unë dhe strukturat tona kemi qenë të preokupuar, prandaj jemi krenarë dhe shumë optimist për ardhmërinë e këtij vendi, përkatësisht ardhmërinë e popullit shqiptar në Maqedoni. Sa i përket votimit në KSHZ, mendoj se nuk ka qenë aspak befasues, duke e ditë se praktika të tilla kur KSHZ bën votime me instruksione paraprake – janë të njohura për opinionin nga ciklet e kaluara zgjedhore dhe nga ajo që u publikua në përgjime vitin e kaluar.

Dhe tani që zyrtarisht dihet që nuk do jesh pjesë e Kuvendit, si e pritën këtë lajm bashkëvendasit e tu?

Është e saktë se gjatë fushatës kam pasur përkrahje të jashtëzakonshme nga aktivistët e Rilindje me BESË në zonën 2, si dhe nga bashkëvendasit e Kumanovës dhe Likovës, dhe për këtë ndihem shumë mirënjohës dhe faleminderues ndaj tyre. Po ashtu, është e saktë se pasi u mor vesh që KSHZ nuk i pranoi ankimimet e Lëvizjes BESA, dhe kur u konfirmua që unë nuk do jem në Kuvend, ka pasur përkrahës që nuk janë ndier mirë. Megjithatë, mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se ne si lëvizje dhe si koalicion, dhe si popull shqiptar në Maqedoni në këto zgjedhje dolëm fitues, dhe kjo është më e rëndësishmja.

Flitet se formimi i qeverisë së re do jetë i përkohshëm. Çka nëse pas disa muajsh mbahen zgjedhje të reja, do rikandidosh?

Unë veten e konsideroj vetëm njerin nga bashkëudhëtarët e Lëvizjes BESA. Padyshim që si anëtar i tillë jam në dispozicion të Lëvizjes sa herë dhe kudoqoftë që Lëvizja BESA konsideron se unë duhet të jem. Megjithatë, çështja e rikandidimit për deputet në zgjedhje të ardhshme eventuale, nuk është diçka që varet nga unë, meqë është çështje që duhet të përcaktohet nga strukturat relevante partiake. Ne si Lëvizje BESA i kemi dyert e hapura për të gjithë intelektualët shqiptar, prandaj mendoj se kurdoqoftë që do mbahen zgjedhjet e ardhshme, do kemi shumë kandidatë të shkëlqyeshëm që do munden ta përfaqësojnë popullin shqiptar në emër të Lëvizjes BESA.

Ju jeni në një moshë relativisht të re. Si u fute në politikë dhe pse pikërisht nën emblemën e Lëvizjes BESA?

Meqenëse shoqëria jonë viteve të fundit ka shumë probleme socio-ekonomike, ne si shoqëri jemi shumë të politizuar në kuptimin që shumë diksutojmë çështje politike, pasi politika na tangon jetën direkt secilit prej neve. Viteve të fundit kisha përshtypjen se unë dhe gjenerata ime shumë kritikonim politikëbërjen, dhe nuk bënim asgjë për ndryshim të situatës. Motivi që edhe unë të jem pjesë e zgjidhjes së problemeve të popullit shqiptar në Maqedoni ka qenë dhe është motivi kryesor për t’u kyçur në politikë. Pse Lëvizja BESA? Sepse BESA vazhdimisht ka pasur politikë inkluzive për shqiptarët dhe sidomos për të rinjtë, dhe në momentin kur jam kyçur po edhe tash e shoh si forcën më të mirë politike të shqiptarëve të Maqedonisë për ndryshim të sistemit jofunksional aktual që mbizotëron tek ne. /tesheshi.com/