Flejnë mbi naftë dhe janë të uritur: a po përgatitet një skenar i ngjashëm për Venezuelën si ai në Siri dhe Libi?

Në vitet ’70 të shekullit të kaluar, Venezuela ishte vendi më i pasur në Amerikën Latine. Me ritëm të shpejtë dhe shkallë të lartë të rritjes ekonomike dhe nivelet më të ulëta të pabarazisë në shoqëri, ajo ishte gjithashtu një nga demokracitë më të qëndrueshme të kontinentit të Amerikës së Jugut.

Gjërat tani janë shumë më ndryshe. Vendi është në krizë, në prag të luftës civile. Protestuesit po qëndrojnë me muaj në rrugë, numri i të vrarëve në demonstrata po rritet, dhe popullsia është në prag të urisë.

Mungesa e ushqimit ka arritur përmasa aq shqetësuese, sa që një venezuelas çdo vit humb mesatarisht rreth 10 kilogram të peshës trupore. Nuk ka ushqim, nuk ka furnizime, madje nuk ka as letër higjienike. Nuk ka pothuajse asgjë, pos naftës, pasi dihet se Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të faktuara në botë.

Vendi ndodhet në kulmin e katastrofës humanitare, e cila po digjet në vetvete për vite me radhë.

Hakmarrja përfshiu edhe ekspertët

Para se të fillojë shfrytëzimi i fushave të para të naftës në vendin amerikano-jugor në vitin 1914, Venezuela ishte një “banana-republikë” klasike e cila karakterizohej nga paqëndrueshmëria politike, organizimi primitiv politik dhe ekonomik, dhe lidhjet e forta me shtetin e saj kolonial, Spanjën.  Zbulimi i naftës ndryshoi të gjitha, aristokracia e fuqishme bujqësore brenda një kohe të shkurtër u zëvendësua me industrialistë të cilët shpejt e hapën vendin para botës, jo vetëm për kompanitë e naftës, por edhe për emigrantët.

Nga vitet ‘20 deri në ato ‘70 të shekullit të kaluar, të joshur nga kombinimi i një ekonomie relativisht të lirë, një sistemi të mirë të emigracionit dhe demokracie relativisht të lirë në Venezuelë, erdhi deri te migrimi i një numër të madh të familjeve nga Spanja, Italia, Portugalia, madje edhe nga Kroacia. Në atë kohë, u themelua në skenën politike një sistem i quajtur Pakti Punto Fijo.

Ishte kjo një marrëveshje dypalëshe për ndarjen e pushtetit dhe formimin e sistemit politik nga dy partitë e mëdha politike, Partia për Veprim Demokratik dhe Partia e Demokratëve Kristiane, të cilët ndërronin njëra tjetrën në pushtet. Por gjërat ndryshuan kur në vitin 1992, në skenën politike u shfaq Hugo Chavez-i karizmatik.

Në fakt, ky nënkolonel i ushtrisë së Venezuelës në fillim nuk llogariti që ta marrë pushtetin përmes zgjedhjeve. Ai së pari u përpoq që përmes një grusht shteti ushtarak të kapë pushtetin, por kjo përpjekje i dështoi. Pasi kaloi dy vjet në burg, ai u amnistua, doli në liri dhe themeloi Lëvizjen për Republikën e Pestë, një parti politike që promovonte socializmin.

Pavarësisht standardit relativisht të mirë, banorët e Venezuelës ishin të lodhur nga korrupsioni dhe nepotizmi që lulëzoi në mesin e udhëheqësve të atëhershëm, por  Chavez me karizmën e tij, statusin e një luftëtari kundër padrejtësisë dhe mbrojtës i klasës punëtore fitoi zgjedhjet në vitin 1998. Në të njëjtin vit u realizua prodhimi më i lartë i naftës në historinë e Venezuelës. Të ardhurat nga nafta të cilat deri atëherë shkonin nëpër xhepat e industrialistëve, por edhe në arkën e thesarit, filluan të përdoren në një mënyrë tjetër nga Chavez duke ndërmarrë veprime të mëdha populiste.

Çmimi i benzinës në vend zbriti deri në atë masë, që t’u mundësojë banorëve të vendit të shfrytëzojnë pasurinë e naftës që posedonte nënëtoka e tyre. Por ai nuk mori parasysh faktin se nxjerrja e naftës sjell fitim të madh, por edhe kërkon investime të mëdha të cilat maten me miliarda dollarë, veçanërisht nafta e rëndë e cila u shfaq në ca zonat dhe e cila është shumë e shtrenjtë për t’u shfrytëzuar.

Në të njëjtën kohë, rezervat monetare dhe të ardhurat nga shitja e arit të zi, i cili në atë kohë ishte shitur me një çmim më të lartë se njëqind dollarë për fuçi, Chavez pa ndonjë mbulesë filloi ta orientojë në programet sociale me qëllim të lehtësimit të jetës së shtresës më të varfër të popullsisë, por duke kompromentuar stabilitetin ekonomik të vendit.

Natyrisht, një politikë e tillë nuk i përshtatej të gjithëve, andaj një pjesë e industrialistëve organizuan një grevë të përgjithshme në vitin 2002, krahas grushtit ushtarak. Chavez u largua shkurtimisht nga pushteti, por nën presionin e pjesës më të varfër të popullsisë, por edhe një pjesë e ushtarëve, dy ditë më vonë u kthye në karrigen presidenciale. Dhe atëherë filloi hakmarrja. Ai largoi nga të gjitha pozitat shtetërore gjithë personat në të cilët kishte sado pak dyshim.

Ndër tjera, ai dha urdhër për shkarkimin e 19.000 punonjësve të kompanisë shtetërore të naftës Petroleo de Venezuela (PDVSA), duke zëvendësuar ata me njerëzit besnikë të tij.  Ai nuk kishte llogaritur se ky veprim do të shkatërrojë produktivitetin e kompanisë, sepse u larguan pothuajse të gjithë ekspertët dhe inxhinierët të cilët u zëvendësuan nga biznesmenë të naftës.

Ai bëri edhe nacionalizimin (shtetëzimin) e pjesshëm të objekteve të naftës në vend. Kompanitë e huaja duhej të dorëzonin shumicën e pronësisë PDVSA-së për të gjitha punët që kryenin në Venezuelë. Total, Chevron, Statoil dhe BP me gjysmë zemre ranë dakord, madje edhe si pronarë pakicë. ExxonMobil dhe ConocoPhillips nuk pranuan, andaj makineria u konfiskua, ndërkohë që kompania u dëbua nga vendi.

Revolucioni Bolivarian  

Prodhimtaria ra, të hyrat u zvogluan, por niveli i çmimeve të naftës prej më shumë se njëqind dollarë për fuçi, fluksi i parave në arkën e thesarit, dhe rezervat financiare, ishin të mjaftueshme për të mbajtur projekte sociale si karburantet pothuajse falas për të gjithë banorët.

Më pas, Chavez filloi të zhvillojë idenë e tij të dytë të madhe, përhapjen e revolucionit Bolivarian socialist. Jo me dhunë, por duke financuar një seri të lëvizjeve socialiste dhe marksiste në Amerikën e Jugut dhe me financimin e Kubës, e cila në atë kohë ishte tashmë në prag të falimentimit për shkak se subvencionet nga ish-Bashkimi Sovjetik ishin vetëm një kujtim i largët.

Chavez ka ndërtuar reputacionin e tij në mesin e shtresave më të varfëra të venezuelianëve, si edhe ndër më të varfërit e Amerikës së Jugut.Ata e panë atë si një shpëtimtar, si një Simon Bolivar i ri i cili do t’i pavarësojë vendet e varfëra të Amerikës së Jugut nga ndikimi amerikan, si një njeri i cili do të orientojë kontinentin në një drejtim të ri. Ndërtimit të imazhit të tij i kontriboi shumë edhe fakti se ai fliste pa qime në gojë, dhe se ai hyri në një përlëshje verbale me presidentin e atëhershëm amerikan Obama …

Por Chavez u diagnostikua me kancer dhe, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve kubanë për të shpëtuar atë me metodat më moderne të trajtimit, ai vdiq në vitin 2013. Për pasardhës të tij u emërua ish-shoferi i autobusit, miku, një njeri i afërt i tij, Nicolas Maduro.  Sapo Maduro u ul në karrige si njeriu i parë i Venezuelës, duke u zotuar se do të vazhdojë rrugën e Chavezit dhe, siç e quajti, një revolucion të ri Bolivarian, pasoi një tërmet, tërmeti i naftës.

Amerika sapo kishte prezantuar teknikën e fraksionimit të naftës, duke përmbytur tregun me ar të zi i cili papritur humbi vlerën e tij. Bareli pothuajse brenda natës ra prej gati 145 në vetëm 27 dollarë. Në të njëjtën kohë, në treg erdhi një sasi e madhe e naftës iraniane të cilën Teherani nuk kishte mundur ta eksportojë për vite në sasi të mjaftueshme për shkak të sanksioneve që ishin në fuqi.  Gjithë kjo pati një efekt shkatërrues në Venezuelë.

Rezervat shtetërore u harxhuan, dhe paratë deri atëherë të derdhura në arkën e shtetit nga shitja e naftës në tregjet ndërkombëtare gjatë natës ranë për pesë herë.  Ndërkaq kostot kishin mbetur të njëjta …  Maduro nuk ndryshoi as sa një qime floku politikën e shtetit, por filloi të ndërtojë kultin e vet të personalitetit duke besuar se kjo do të jetë e mjaftueshme për të mbetur në qeveri. Por doli se e kishte gabim.

Maduro kurrë nuk e ka pasur karizmën e Chavezit, madje tani kanë filluar t’ia kthejnë shpinën edhe ata në të cilat Chavez gjithmonë kishte besim, të varfrit.  Programet sociale filluan të shuhen, filluan të zhduken të gjitha mallrat dhe ushqimet që Venezuela nuk mund t’i prodhojë vetë, për shkak se nuk ka më të holla për importin e tyre nga tregjet e huaja. Tani, ato të ardhura relativisht të vogla të naftës shkuan për të financuar aparatin e ushtrisë, policisë dhe shtetit, dhe pjesa tjetër e vendit ngriti zërin dhe qau në mjerim.

Situata tani është aq serioze, se shumica e banorëve të Venezuelës nuk kanë asnjë mundësi që t’i ofrojnë vetes tre vakte në ditë, ndërsa Bolivar, një kohë monedhë e qëndrueshme, tani ka një normë inflacioni prej 700 për qind në vit.  Disa muaj më parë në rrugët e Karakasit, si dhe disa qytete të mëdha filluan protestat. Në fillim jo shumë të dhunshme, por sot përdorimi i plumbave të gomës, gazit lotsjellës, koktejeve molotov janë një dukuri e përditshme.

Deri më tani kanë humbur jetën më shumë se njëqind njerëz, por vlerësimet sugjerojnë se është çështje ditësh kur perleshjet me plumba gome, shkopinj të shëndrrohen në konflikt të hapur, kur njëra ose pala tjetër, qoftë policia apo demonstruesit të përdorin armët e zjarrit. Dhe Venezuela, sipas të gjitha gjasave, do të zhytet në luftë civile çfarë po shohim me vite në Siri apo Libi.

Maduro po varros vetveten

Maduro pak ditë më parë ka organizuar zgjedhjet në të cilat ai kërkoi nga qytetarët një mandat të ri parlamentar i cili do t’i mundësojë atij ndryshim të Kushtetutës dhe pushtet pothuajse absolut në vend. Zgjedhjet janë bojkotuar nga protestuesit dhe anëtarët e opozitës, prandaj Parlamenti i ri është pothuajse plotësisht i Maduro-s edhe pse vetëm dy javë më parë në një referendum informal, më shumë se tetë milionë qytetarë kanë kërkuar që ai të largohet nga pushteti. Përgjigja e tij ishte se ushtria ka arrestuar dy udhëheqësit e opozitës dhe i ka futur në një burg ushtarak.

Maduro tani po mbahet në pushtet vetëm me ndihmën e ushtrisë, por pyetja është se sa kohë do të zgjasë kjo. Sepse, edhe pse ushtria merr paga të rregullta dhe të mira, dhe ata kanë familje që po luftojnë për mbijetesë. Deri pak kohë më parë, SHBA ndoshta kanë punuar në mënyrë aktive për të rrëzuar regjimin Maduro, por jo edhe aq aktive në kohën e fundit. Dhe kjo për shkak se Maduro me një politikë të paarsyeshme ka varrosur veten e tij, dhe çështja është se kur do të largohet nga pushteti.

Qytetarët e Venezuelës kanë mbetur duke shpresuar që kjo nuk do të hapë një spirale të dhunës dhe të zhysë vendin thellë në kaosin e luftës civile.

Përgatiti Jeton Zenuni – /tesheshi.com/