Flamingot: zogjtë e rrallë që frymëzojnë modën

Ajo që i bën flamingot të mahnitshëm, është pa dyshim pamja e tyre: këmbët e gjata, qafa e lakuar dhe sqepi i çuditshëm. Por bukuria e rrallë e pamjes së këtyre zogjve gjendet te pendët, të cilat nga ngjyra gri shndërrohen dalëngadalë në ngjyrë të roztë. Përveç se janë një specie që tërheqin sytë e turistëve, me elegancën dhe ngjyrat delikate, flamingot janë kthyer së fundmi edhe në një frymëzim për botën e modës.

Flamingot janë zogj të mëdhenj, që mund të përshkojnë deri në 700 km në më pak se 24 orë. Ata jetojnë në vende të ndryshme të botës, në disa prej të cilave vizitorët mund t’i shohin nga afër.

Ja cilat janë 6 zonat më të mrekullueshme, ku mund të kundrohen lirisht flamingot pendërozë:

Parku Molentargius, Sardenjë – Në parkun natyror të Molentargius-it, flamingot rozë janë frekuentues të rregullt. Ata i kanë ndërtuar foletë e tyre në pellgun e këtij parku qysh prej viteve ’90. Zona e preferuar e tyre është pellgu Bellarosa, ku ata ngrenë foletë dhe kalojnë stinën e dimrit.

Liqeni Natron, Tanzani – Në kufirin ndërmjet Tanzanisë dhe Kenias gjendet liqeni Natron, që është një hapësirë me ujë të kripur, e rrethuar nga vullkanet. Ai njihet për ngjyrën e tij të kuqërremtë, e cila shkaktohet nga prania e mikrobeve që përmbajnë një pigment të kuq. Ky liqen është mbretëria e flamingove të vegjël, që përgjatë stinës së thatë ngulen aty për të pushuar e për t’u riprodhuar.

Zona e Camargue-s, Francë – Kjo zonë është një hapësirë e mbrojtur natyrore dhe ka një rëndësi të madhe kombëtare e ndërkombëtare. Në të gjenden rreth 400 specie zogjsh dhe falë pellgjeve të ujit me kripë, është ndër të paktat habitate evropiane të flamingos ngjyrë rozë.

Ishujt Inagua, Bahamas – Ishujt Inagua njihen për rërën e bardhë, detin blu dhe pendërozët (flamingot). Më i madhi ndër ishujt është i populluar nga më pak se 1.000 njerëz dhe më shumë se 80.000 flamingo të roztë, të cilët jetojnë të patrazuar në një hapësirë të mbrojtur në parkun kombëtar të Inagua-s.  

Holbox, Meksikë – Ishulli meksikan i Holbox-it është një hapësirë e virgjër natyrore dhe një parajsë e vërtetë për ata që duan të shohin zogjtë. Në këtë ishull gjenden rreth 150 specie zogjsh, mes të cilëve edhe flamingot ngjyrë rozë. Ky është një vend i përshtatshëm për njerëzit që duan të shijojnë natyrën e qetë dhe ndodhet larg rrugëve turistike.

Aruba, Venezuelë – Në Aruba, flamingot rozë janë “mbretërit” e Flamingo Beach, plazhit që njihet për bardhësinë e rërës dhe për ujin e kristaltë. /tesheshi.com/

Related posts