Fituesi i “Topit të Artë” drejt fronit të presidentit të Liberisë

Xhorxh Ueah është shumë pranë plotësimit të ëndrës për të qenë president i Liberisë. Ish sulmuesi i Milanit, fitues edhe i Topit të Artë në vitin 1996, është në avantazh ndaj rivalit të tij, në zgjedhjet presidenciale.

Informacionet që mbërrijnë nga shteti Afrikan nuk e japin ende të sigurtë fitoren e Ueah, që përfaqëson në këtë garë, Koalicionin për Ndryshimin Demokratik, pasi nuk përjashtohet edhe një balotazh i mundshëm mes tij dhe Xhozef Boakai apo sic e quajnë me ironi, “Xhoi i fjetur”, zv.presidenti aktual i Liberisë, kandidat i Partisë së Bashkimit.

Pas një jete kushtuar futbollit dhe shënimit të shumë e shumë golave, “Mbreti Xhorxh” siç e quajtën në Milano, tashmë 51 vjecar, kërkon të shënojë emrin edhe në krye të shtetit të tij, për të ndryshuar gjërat në Liberi, vend që ende nuk e ka kaluar krizën ekonomike të vitit 2014, të ndikuar shumë edhe nga epidemia e ebolës.

Por Ueah, duhet të presë edhe pak, ndërkohë që në adresë të tij, kanë mbërritur shumë urime nga ish shokët e skuadrës së Milanit, në vecanti Paolo Maldini dhe Marsel Desaji. /tesheshi.com/