reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Finalja e fazës finale: pritje e ethshme në nisje të bisedimeve për ribashkimin e Qipros

Pas 18 muaj negociatash intensive për të sistemuar ndasitë ndër-etnike, pritet që Nicos Anastasiades dhe Mustafa Akıncı të përpiqen për një marrëveshje historike paqeje në bisedimet e Gjenevës këtë javë. Bisedimet do të jenë të detajuara, me shqyrtimin e hartave dhe diskutimin e shkëmbimeve territorial përpara se të nisë debati për çështjen me gjasa, shpërthyese, të sigurisë. I pyetur nëse ishte optimist, lideri grek-qipriot Anastasiades, u përgjigj: ma bëni këtë pyetje kur të mbarojmë.

Për një ishull për të cilin afëtsitë e paqebërësve kanë zhgënjyer prej një kohe të gjatë, bisedimet shihen si një moment përcaktues në procesin e ashpër të zgjidhjes së asaj që prej kohësh është konsideruar si kubi Rubik i diplomacisë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së,  António Guterres, i përshkroi bisedimet si një mundësi historike. Në Nikozia, zyrtarët e të dyja palëve në zonën neutral flasin për “shansin më të mirë dhe të fundit” për një marrëveshje. Ekspertë të tjerë i përshkruajnë bisedimet si fundin e lojës.

“Kjo është faza finale e fazës finale”, thotë Hubert Faustmann,  profesor i historisë dhe shkencave politike në universitetin e Nikozias. “Do të jetë hera e parë që nga viti 1974 që Turqia dhe qipriotët grekë mbajnë bisedime të drejtpërdrejta në tryezën e negociatave”.

Një javë negociatash të ashpra shtrihet përpara Greqisë, Turqisë dhe ish-fuqisë koloniale, Britanisë – trë garantuesit sipas kushtetutës së pas-pavarësisë –ndërsa do të mblidhen më 12 janar për të adresuar çështje të pranisë së trupave dhe sigurisë në një federatë të ardhshme. Të dy takimet shihen si kyçe për të siguruar që viti 1974 të mos përsëritet më kurrë.

“Eshtë faza klasike e finales së negociatave”, thotë Faustmann. “Çështje për të cilat asnjë palë nuk binte dakord dhe që kanë mbajtur vazhdimisht pezull procesin, tashmë do të ndërlidhen”.

Angazhimi për marrëveshje treguar nga Anastasiades dhe Akıncı ka rritur shpresat. Dy burrat kanë treguar një moderacion të rrallë, ndërsa ka nga ata që e lidhin dëshirën e tyre për zgjidhje me trashëgiminë e përbashkët duke qenë djem të qytetit jugor Limasol. Ashtu si Akıncı, edhe Anastasiades – që drejton jugun e Qipros të njohur ndërkombëtarisht – kanë kujtime të bashkëjetesës dhe besojmë se koha do të punojë në drejtim të ribashkimit.

Në një kohë paqëndrueshmërie të paprecedent në Europë dhe me rritjen e trazirave në shkallë globale, nevoja për histori me lajme të mira ka shtuar pritshmërinë. Nga Uashingtoni në Ankara thuhet se një marrëveshje do të sillte stabilitet në një rajon më të gjerë. Perspektiva e grekëve dhe turqve, të krishterëve dhe muslimanëve që bashkëpunojnë në qoshen lindore të kontinentit, sipas zyrtarëve, do të dërgonte një mesazh të fuqishëm dhe do të ishte një fanar shprese.

Duke u shprehur i ndërgjegjshëm se një marrëveshje do të vendoset tonalitetin e vitit 2017, Turqia dhe Britania ranë dakord gjatë fundjavës së zgjidhja do të ishte element që ndryshon lojën. Në deklaratat pas telefonatës mes kryeministres britanike, Theresa May dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, Downing Street theksoi se të dy liderët i shohin bisedimet si ofertë “e një mundësie reale për një të ardhme më të mirë për Qipron dhe garantimin e stabilitetit më gjerë në rajon”.

Zbulimi i naftës dhe depozitave të gazit natyror në lindje të Mesdheut dhe shndërrimi i Qipros në një pikë të rëndësishme energjetike përmes së cilës rezervat mund të pompohen drejt Europës, ka ndihmuar në avancimin e procesit.

Për shkak se bisedimet e paqes kanë dështuar shumë herë, sidoqoftë, ka konsensus që nëse përpjekjet e ribashkimit do të dështonin, kjo do të ndodhte një herë e përgjithmonë. Analistët druhen se në rast dështimi, Turqia do të lëvizte drejt aneksimit të veriut, ku vijon të mbajë të stacionuara rreth 40 mijë trupa që nga përgjigja ndaj grushtit të shtetit të frymëzuar nga Athina.

Çdo marrëveshje do të hidhet në referendum binjak, në pjesën turke dhe atë greke. Në votimin e fundit, në vitin 2004, turqit e mbështetën ndërsa u refuzua nga publiku grek.

Të bindësh turqit të dorëzojnë mjaftueshëm territory saqë të lejojnë rikthimin e të paktën 90 mijë qipriotëve grekë të zhvendosur nga konflikti të kthehen në shtëpitë e tyre, është një problem i vështirë për çdo marrëveshje.

Shumë do të varet nga Erdoğan, që ka treguar fleksibilitet për Qipron më shumë se çdo lider tjetër turk, por që është i famshëm për veprimet e tij të paparashikueshme.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/