FENOMENI/ Lapërdharia e gjykatësit të Fierit: pse më e rëndë se vrasjet në Korfuz e Ballsh…

Fillimi i vitit 2019 shënoi dy ngjarje me theks kriminal, dy vrasje të bujshme, të cilave iu kushtuan dhe ca debate në televizone. Njëra ishte ajo e vrasjes së një vajze nga i ati në Korfuz, emigrantë shqiptarë, e tjetra ajo e Ballshit ku burri vrau gruan e kunatën në sy të fëmijëve. Të rënda të dyja, padyshim, por pa nevojë për debat.

Njëra te Dritarja e Xhungës e tjetra te Opinioni i Fevziut, prodhuan një kotësi trajtuese nga panele, gjersa nuk u tha kryesorja, atë që janë krime që kanë vetëm një koment: pa komentin! Ato janë ana e errët e një qenie njerëzore, ngërthyer brenda një raporti intim, momental, ku të tjerëve në distancë, qofshin dhe specialistë fushe, paku mbetet për të thënë. Për më tepër nuk janë aspak shqiptare por universale. Dhe, ai zëri me kantilena alarmuese i Fevziut në hyrje të emisionit, duke ngritur pyetje të tipit “ç’po ndodh në botën shqiptare?”, ishte një prej idiotsive të tij profesionale. Krime të tilla kanë ndodhur e do ndodhin, në çdo kohë e çdo vend, e aty nuk ka asgjë për të qenë shqiptare. Sepse është fjala për njeriun, botën e tij komplekse, psikologjinë e trazuar, kontekstet e ndryshme e shumëçka që qëndron mbi kufizimet nacionale.

Dhe pas tyre vjen gjykatësi i Fierit, për të cilin janë ofruar skena të një lapërdharie nga më të ndyrat, por pa u komentuar. Ja ka vlejtur të jetë “çështje dite”, shumë më tepër se studentët rebelë e gojështhurrur, apo Meta me kajdet e tij ndaj Cakajt.

Gjyqtar prej vitesh, madje dhe ish-kryetar gjykate, ai i ofrohet një femre duke e joshur në mënyrën më ordinere. Nuk është thjesht çështja te tundimi seksual, të mospërmbajtja, por me shumë te gjuha e tij prej hajvani e rrugaçi njeherësh, duke iu krenuar të bijës së botës deri dhe për katër varëse që ka mbajtur në qafë. E pra ai ka qenë nëj gjyqtar, e jo në një provincë dosido por në Fier, një ndër qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Prej tij është kërkuar drejtësi, është kërkuar dhe njerëzillëk në njëfarë mënyrë; është kërkuar të jetë një fytyre e denjë e shtetit, e shoqërisë, mu prej pozitës si njeri i drejtësisë. Nuk e dijmë ende se ç’familjar ka qenë, apo si është trajtuar nga të afërmit, gruaja, fëmijët; se ç’edukim kanë këta të fundit prej tij, por ajo që ka parë oponioni nga lapërdharia e Roland Hysit është ku e ku më alarmante se dy krimet e sipërcituara.

Një gjykatës që bie në këtë gradë, që flet me fjalor nga më banalët me një femër, që gati e ndjen si krenari që të shpaloset si një horr rruge, është padyshim pasqyrim i një degradimi të frikshëm moral të një elite të pushtetshmish, në drejtësi apo gjetiu.

Sepse, lirshmëria e tij kur nga gjyqtari kalon në horr aq lehtësisht, pa asnjë pengesë etike, e kjo mu në kohën e prerjes së kokave në drejtësi, do të thotë se i dhe amoralieti është kthyer në normalitet. Kjo po që duhet debatuar! /tesheshi.com/                              

auto pjese dak

Related posts