Euronews: ja çfarë pritet të sjellë vizita e Edoganit në Greqi

Greqia po përgatitet për vizitën e parë nga një president turk në 65 vjet, që do të mbahet në Athinë të enjten dhe të premten (7-8 dhjetor), shkruan Euronews gjatë një analize.

Vizita e fundit e Erdoganit në Greqi ishte si kryeministër në vitin 2010, por ai do të jetë kreu i parë i shtetit të Turqisë që do të vizitojë Athinën që nga Celal Bayar në vitin 1952. Ai gjithashtu është planifikuar të vizitojë Trakën në Greqinë veriore, ku jeton një komunitet i madh musliman.

Aleatët e NATO-s janë të vendosur të diskutojnë një marrëveshje të arritur me Turqinë për të frenuar rrjedhën e emigrantëve në Evropë, si dhe marrëdhëniet BE-Turqi dhe sigurinë rajonale.

Por ka edhe një listë me çështje të ndërsjellta të ndërlikuara që pritet të trajtohen, nga Qiproja e ndarë te sovraniteti në Detin Egje dhe bashkëpunimi ekonomik. “Ajo që ne parashikojmë është një përmirësim substancial i marrëdhënieve tona me Turqinë … Ne presim biseda shumë konstruktive”, tha zëdhënësi i qeverisë greke Dimitris Tzanakopoulos.

Konstantinos Filis, drejtor i hulumtimit në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Panteion, tha për Euronews se vizita gjithashtu synon të adresojë marrëdhëniet e tensionuara të Turqisë me Europën. “Turqia do të përfitojë nga vizita e presidentit të saj për të treguar se vendi po thyen izolimin e detyruar nga disa vende anëtare të BE, si dhe të përpiqet të shënojë një fillim të ri në marrëdhëniet euro-turke, duke ditur se lidhjet e Ankarasë me SHBA duket të jetë në një spirale negative”, tha ai.

Turqia pritet të kërkojë edhe një herë ekstradimin e tetë ushtarëve që u arratisën në Greqi pas kryengritjes së dështuar të vitit të kaluar. Qeveria turke i konsideron ata si komplotues të grusht-shtetit dhe dëshiron që Athina t’i dorëzojë ata. Gjykatat greke kanë bllokuar ekstradimin e tyre.

Në vigjilje të vizitës së Erdoganit, policia greke arrestoi javën e kaluar nëntë turq për shkak të lidhjeve të dyshuara me DHKP-C, një grup militant marksist, i cili mori përgjegjësinë për sulmet në Turqi që nga viti 1990, duke përfshirë bombardimet vetëvrasëse. Siguria në Athinë është e lartë, me gati 3,000 oficerë dhe snajperë të vendosur përgjatë rrugëve.

Gazetarët që po përcjellin vizitën e Erdogan atje, thonë se kryeqyteti grek ndihet si një kështjellë. “Rreth 200 policë turq pritet të shkojnë në Athinë. Disa prej tyre erdhën të martën dhe po kontrollojnë çdo vend ku Erdogan dhe konvoji i tij do të kalojnë. Njëri prej tyre është varri i ushtarit të panjohur, ku presidenti turk do të vendosë një kurorë në fillim të vizitës së tij”, tha ai.

Vizita e së enjtes vjen muaj pasi bisedimet e paqes të Qipros u ndërprenë në korrik. Bisedimet po udhëhiqen nga dy komunitetet qipriote, por Greqia dhe Turqia duhet të bien dakord për marrëveshjet e ardhshme të sigurisë për ishullin.

Qiproja mbetet e ndarë midis komuniteteve greke dhe turke qipriote që jetojnë në të dyja anët e një linje të armëpushimit të monitoruar nga OKB. Është e paqartë nëse bisedimet e paqes mes tyre do të rifillojnë. /tesheshi.com/