Si një politikan i cili ka dhënë shumë për shtet-ndërtimin e Kosovës, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, shpreh rezervat e tij për qeverinë që do të ndërtohet nga koalicioni PAN dhe AKR-ja e Behgjet Pacollit.
Edhe pse lutet tek Zoti që ekzekutivi i ri të punojë për mirëqenien e qytetarëve, pak beson se do të ndodh një gjë e tillë, gjithnjë duke kujtuar se janë bërë bashkë politikanë që kanë fyer e hedhur akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit.
Sejdiu, në një intervistë ekskluzive për tesheshi.com flet gjatë edhe për LDK-në që dikur e udhëhoqi, për çka kritikon ashpër kreun aktual Isa Mustafa…
Intevistoi: Blendi Gashi
Si e shihni marrëveshjen për ndërtimin e qeverisë mes PAN-it e AKR-së? E keni pritur se Pacolli do t’i bashkohet “koalicionit të luftës”? Sa jetëgjatë mund të jetë kjo qeveri?
Është një moment i ri në skenën politike të Kosovës pas gjithë asaj ecje apo djerra kohë në mundime për të dalë nga ky ngërç politik. Ky moment na sjellë një tip të një koalicioni që kështu siç është bërë e ka shumë të vështirë të funksionojë. Së pari është një gjendje e brishtë duke pasur parasysh edhe faktorët që e përbëjnë, duke u nisur tërësisë së tij si pozitë me një numër fragjil të deputetëve 64 apo 63 dhe e dyta keni parasysh një strukturë heterogjene të njerëzve të koalicionit dhe së treti keni parasysh edhe atë pjesën e retorikës së mëhershme që ka qenë prezente në Kosovë (fatkeqësisht tek të gjitha partitë) që jenë përcjellur me akuza të rënda dhe ofendime ndaj njëri-tjetrit dhe fjalëve të mëdha të lëshuara ditë e përditë, gjë që e ka rënduar shumë situatën e përgjithshme në Kosovë si dhe imazhin e saj në rrafshin ndërkombëtarë. .
Se si do të ecet dhe sa do të funksionojë ta shohim me kohën, unë nuk jam i prirur të japë një prognozë se cilët do jenë hapat e mëtejshëm në kuptimin e zhvillimit të projektit, por ajo që mund të them është se do të jetë tejet vështirë.
Dhashtë Zoti të jetë një këndellje për përgjegjësi ndaj qytetarëve, parasëgjithash në drejtim të përmbushjes së pritjeve të tyre esenciale dhe kjo të nënkuptohet si kontribut për kthimin e vendit në rrjedha normale të funksionimit të tij.
Një nga pikat më interesante të marrëveshjes është dakordimi mes palëve që pasi Thaçit t’i mbaroi mandati i presidentit, PAN të mbështet Pacollin për të parin e shtetit, përmes Kuvendit me votë dhe duke mos vënë kandidat nëse zgjedhet nga vota e popullit? Si e shihni këtë pikë të marrëveshjes?
Unë nuk dua të flasë për personat, por mendoj se është e befasueshme se si si janë “shtrënguar vidat deri në këtë orë të ligë”, siç është vepruar tani së fundi nga partneri i bashkangjitur për t’u ngjitur me koalicionin që mëton të udhëheqë vendin. Për sa do të jetë staza kohore mbetet të shihet.
Pavarësisht nga kjo, mendoj se thjesht duhet të ndodh këndellja e institucioneve të vendit me reforma të thella në të gjitha rrafshet, duke u nisur edhe nga ato që kanë të bëjnë me proceset elektorale, ato që kanë të bëjnë me heqjen e disa nga pengesave kushtetuese, si dhe të “standardeve kushtetuese”, që kujtoj se kanë prodhuar pasoja në proceset e gjertanishme elektorale.
Çka do të ndodhë pas katër vjetësh (nësë ky mandat qeveresisës do të shkojë gjer në fundin e tij të rregullt), është pak problem të thuhet, por mendoj se nuk është qasje korrekte ndaj vet elektorëve (dhe nuk mund të lëshohen zotime të tilla çfarë i dëgjuam), sepse janë ata që japin besimin në procese elektorale dhe se është e pakuptueshme që të jipen garanci se cili subjekt, apo koalicion i ardhshëm do të jetë do jetë i pari në proceset e ardhshme elektorale.
Me rëndësi është të forcohet ndjenja e përgjegjësisë për zhvillimin dhe respektimin e proceseve normale,si dhe vënien në vend të funksionimit të shtetit të së drejtës.
Siç dihet AKR garoi në një listë me LDK-në në zgjedhjet e 11 qershorit. A duhet lidershipi i kësaj partie të japë përgjegjësi për ikjen e Pacollit?
Mendoj se kjo është vetëm një segment i veçantë, sepse nuk mund ta obligosh dikë të qëndron në koalicion. Por, karshi kësaj, LDK-ja duhet të reflektojë dhe të kërkojë përgjegjësi nga lidershipi i saj. Nuk mund të kalohet lehtë përmbi atë që ka ndodhur. Nën lidershipin e z. Mustafa, LDK ka humbur të gjitha ciklet zgjedhore, qoftë në nivel vendi, qoftë ne nivel lokal. Prandaj, ky është një moment që elektorati i LDK-së ta shohë mirë se kah po shkon LDK-ja dhe a bënë më kështu.
Në këtë kuadër, ka disa gjëra që duhet të analizohen më thellë. Unë e shoh si të papërgjegjshme qasjen e lidershipit për shumë procese dhe tema të ndieshme që ka pasur Kosova. E shoh si të papërgjegjshme hyrjen në koalicione, siç ishte ky i fundit me një mashtrim të pa shembullt të anëtarësisë dhe të elektoratit të saj; e shoh të papërgjegjshme edhe lojën që lidershipi i LDK-së e ka bërë në këtë vakum kohorë me një qëndrim të rrejshëm “për një koalicion tjetër qeverisës” dhe në fakt në prapaskenë ka shpresuar se do të hy në qeveri edhe para AKR-së.
Në anën tjetër kemi një realitet kur LDK-ja nuk ka pasur asnjëherë deputet më pak dhe pokështu zhvillim dhe zbatim të politikave me një strukturë jo të mirë të kuadrove që e përfaqësojnë. Mund të them se nuk ka pasur asnjëherë përfaqësim më të dobët se me këtë strukturë të deputetëve që ka, përjashtimet janë të pakta. Kjo vije si rezultat i qasjes kur korpusi përfaqësues dhe i njërëzëve që marrin pergjegjësi ushëheqëse zgjidhen dhe vendosen me anime jashtë kritereve të kualitetit dhe gjithmonë duhet të jenë nga “tborri dhe klientela” e lidershipit ekjzistues. Është dëm i madh kur është ashiqare e vërejtshme se LDK-ja ka humb nga identiteti i saj, ka dalë jashtë shtratit të saj normal, ka humb nga formula në vizionin që ajo e ka pasur si parti, në esencë shumë demokratike e qendrës së djathtë që nga themelimi me një qasje racionale ndaj proceseve dhe temave të mëdha. Ndërsa tani kemi një qasje që ka të bëj kryekput me përmbushjen e interesave personale të njerëzve në krye të saj e që për ambiciet e tyre duhet të bëhen edhe “saltot mortale” që i kemi parë.
A ka ndikuar deklarimi i Mustafës se nuk bëjnë koalicion me Vetëvendosjen pa kërkuar kjo e fundit falje edhe pse më pas u tërhoq nga kjo kërkesë, që PDK të mbetet në pushtet?
AKR-ja e ka pritur momentin e vet, por mund të jenë edhe këto momente të brendshme të komunikimeve si arsye.
Por për mua e panatyrshme ka qenë loja që është bërë nga subjektet politike pas gjithë atyre sharjeve, fyerjeve, etiketimeve, akuzave për atentate e terrorizim, 70 lëndëve në prokurori dhe karshi kësaj të gjendet një moment për ecje e përbashkët. Thjesht ka qenë diçka e parealizueshme.
Në gjithë këtë kontekst, duke pasur parasysh rezultatet, shoh se në kuptimin individual Vetëvendosje ka shkuar më së largu duke e siguruar një mbështetje numerike më të madhe. Nuk dij se a janë ato vota të përkushtimit apo hidhërimit, kurse subjektet tjera kanë marrë një goditje të madhe nga elektorati.
A pritni të ketë një koordinim opozitar mes VV-së e LDK-së në Kuvend?
Nuk e di. Ka tema të shumta. Ka tema që më parë kanë qenë bashkë Vetëvendosje, AAK-ja e të tjerët. Ka tema që ndërlidhen me atë koalicionin që ndërlidhen me përmbysjen e LDK-së nga qeveria. Si do zhvillohet nesër mbetet të shihet, por mund të them se ka një përziere jashtëzakonisht të çuditshme të asaj që kemi pa deri dje, të tanishmes dhe asaj që planifikohet për nesër. Si do të shkojnë është jashtëzakonisht vështirë të parashikohet, por me një strukturë kaq të vogël të deputetëve, me një koalicion kushtetues të nevojshëm me komunitetet, është temë e përhershme si do jetë dita e nesërme, flas edhe për shqetësimin e qytetarëve të vendit.
President më herët drejtuat kritika tek udhëheqja e LDK-së ku folët për problemet me të cilat ballafaqohet kjo parti. Edhe pse është ende herët të flitet, a synoni ju të rimerrni postin e kreut të LDK-së?
Unë kam thënë se nëse LDK-ja e sheh të nevojshme që unë të marrë përgjegjësitë e veçuara, këtë rast edhe të postit të kryetarit. Edhe sot jam i gatshëm. Absolutisht po. Dhe e them me plotë gojën, pikërisht duke pasur parasysh se çfarë zhvillimesh të dëmshme po ndodh në parti. Ju e keni parë se kam dhënë dorëheqje nga Këshilli i Përgjithshëm dhe si Kryetari Nderit, pikërisht për shkak të pakënaqësive se si po ecin proceset dhe mënyrën e punës se si është duke u bërë…
Ato gjëra të këqija për të cilat unë ju kam tërhequr vërejtjen se do të ndodhin në zhvillimet pasuese, fatëkeqësisht kanë ndodhur. Prandaj, kjo kohë dhe këto zhvillime mund të konsiderohet një alarm për LDK-në. Ka mekanizma që duhet ta rishikojnë pozicionin e saj, përgjegjësinë e lidershipit, posaçërisht kryetarit të partisë. Është Kuvendi i jashtëzakonshëm që mund të thirret dhe të thotë fjalën e vet.
Sa kërkojnë degët e LDK-së në përgjithësi që ju sërish të merrni timonin e LDK-së?
Këtu janë dy rrafshe. Flas për anëtarësinë e zakonshme që kam kontakte të përditshme si dhe me njerëz brenda strukturave prej të cilëve kam përkrahje të fuqishme. Nuk është problemi te unë, por ata si e ndjejnë. Kurse pjesa e njerëzve që janë rreth lidershipit, është e çuditshme se njerëzit dikur frikësohen edhe të më flasin.
Ka edhe të tillë që nuk ju flasin nga udhëheqja e LDK-së?
Ka pasur dhe ka ende që më kanë shikuar sikur armik të LDK-së apo njeriu i cili praktikisht po e “rrënon” partinë nga jashtë. Por unë ju kam prishur rehatinë dhe komoditetin duke i thirrur që të punojnë dhe t’i hapin sytë hap po shkojnë. Ta mbajnë karrigen nëse janë lidhur për të, por jo të shëmtojnë esencën dhe vizionin e LDK-së e ka për të ardhmen e shtetit, e të ardhmen e brezave, flas në pjesën e esencës jo të asaj formales si e prezantojnë njerëzit me një anemi totale. Unë nuk kam rehatinë e tyre. Jam i vetmi pjesëmarrës në Kuvendin Themelues të LDK-së. Problemet në LDK- dhe zhvillimet në të i shoh ndryshe.
Ç’mendim keni për aderimet në LDK që u bën në prag të zgjedhjeve, apo të ashtuquajturin “Brezi i Ri”?
Ka njerëz që kanë potencial dhe që mund të zhvillohen, ka edhe të tjerë që janë “votuar lotari dhe me porosi”. Mendoj se LDK-ja këtë formë nuk mund të përtërihet, duhet të ndodh një përtëritje e natyrshme, nëpërmjet një procesi tranzicioni normal. Brenga ime është se kah po shkon vendi, posaçërisht që gjenerata e pjekur dhe e gatshme të vijë, të sigurojë pozicionin e saj nëpërmje një procesi normal që nuk nënkupton edhe shembjen e brezave të mëhershëm, por një kombinim i mirë të potencialit që LDK-ja e ka pas.
Po për kandidatët e zgjedhur për kryetar komunash? Ç ‘rezultate pritni për LDK-në në zgjedhjet lokale të 22 tetorit?
Mund të ketë përjashtime të rralla, por vështirë se LDK-ja të dalë me një rezultat të dëshirueshëm.
Nëse nuk del me një rezultat pozitiv, a duhet të thirret Kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë që të zgjedhën organet e reja drejtuese?
Fatkeqësisht Kuvendi duhet të thirret edhe më herët. Nëse nuk thirret, unë e quaj vonesë të qëllimshme në hapa. E kam thënë edhe më heret: dikujt i mjafton qoftë edhe me pesë deputet të hyjë në Parlament, apo të ketë ndonjë komunë simbolikisht. Fatkeqësisht, flitet se kohët e fundit “fitoret e LDK-së” në ndonjë komunë, “për lëmoshë” i kanë dizajnuar partitë e tjera. /tesheshi.com/