E RRALLË/ Vakia e dytë e një shqiptari në Francë: has këmbën e këputur në pako cigaresh, gati padinë

Një burrë shqiptar me vendbanim në Francë e “kapi kokën” nga kur e kuptoi lajmin tronditës se fotografia e këmbës së tij të këputur po qarkullonte në paketimet e cigares, pa lejen dhe dijeninë e tij.

Fotografia e cila ishte shfaqur në pakot e cigareve që kanë destinacion vendet e BE-së, kishte një mesazh ku shkruante se “pirja e duhanit bllokon arteriet”.

Por shqiptari, i cili jeton në rajonin Metz të Francës, tha se e humbi këmbën si pasojë e një sulmi që i ndodhi në vitin 1997 në Shqipëri, dhe nuk lidhet me duhanpirjen.

Tani, ai ka angazhuar një avokat për t’u sqaruar një herë e mirë. Ishte i biri i shqiptarit (identiteti i tij mbeti i pa publikuar nga BBC) ai i cili e zbuloi i pari se fotografia në fjalë i takonte babait të tij. Ai e kuptoi për kë bëhet fjalë në saje të shenjave të djegies, të cilat thotë se i njeh shumë mirë.

Pakoja e cigares ishte blerë në Luksemburg.

Ai thotë se asnjëherë nuk ishte në dijeni apo pajtim që ajo foto të përdorej në atë mënyrë, duke shtuar se fotografia është shkrepur në spitalin ku vizitohej, në përpjekje për të siguruar një këmbë prostetike.

“Është kaq e pabesueshme që një person e gjen veten pa miratimin e tij në paketimet e cigareve në të gjithë Bashkimin Evropian”, tha avokati i shqiptarit, Antoine Fittante.

“Klienti im ndihet i tradhtuar dhe i shkelur në dinjitet kur e sheh aftësinë e tij te kufizuar teksa shfaqet në pako cigaresh. Duhet të pranojmë se nuk është aspak e këndshme”, shtoi avokati.

Ky i fundit po kontakton me Komisionin Evropian i cili është përgjegjës për politikat tregtare dhe ato shëndetësore, të cilat e prekin sferën e duhanblerjes dhe duhanpirjes.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts