Dy mbështetësit kryesorë të Esadit, Rusia dhe Irani, thellojnë bashkëpunimin ushtarak

Vizita e ministrit iranian të Mbrojtjes, Husein Dehgan, në Moskë ka shërbyer për t’u dhënë një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve në lëmin ushtarak. Rusia dhe Irani janë dy vendet që po e mbajnë në këmbë regjimin e Esadit në Siri, dhe bashkëpunimi mes tyre nuk tingëllon aspak i çuditshëm ndërsa aleanca e tyre bëhet më e ngushtë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shojgu, do të deklaronte pas takimit me homologun iranian në Moskë se dy vendet ishin të gatshme ta intensifikonin bashkëpunimin ushtarak. Në një deklaratë të tij do të thuhej: “Jam i bindur se takimi ynë do të kontribuojë për forcimin e marrëdhënieve miqësore midis forcave të armatosura ruse dhe iraniane.”

Dy vendet janë të gatshme t’i bashkërendojnë dhe qasjet mbi një numër të madh çështjesh rajonale dhe globale, do të deklaronte zyrtari më i lartë rus i Mbrojtjes. “Vendet tona përballen me të njëjtat kërcënime dhe sfida në rajonin e Lindjes së Mesme, e vetëm së bashku mund të jemi në gjendje t’i luftojmë ato.”

Siç njoftoi të mërkurën agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA, Rusia do të dërgojë sot në Iran bateritë e para kundërajrore S-300. Po ashtu pritet që Irani të blejë nga Rusia avionë luftarakë Su-30 dhe Yak-130, helikopterë e sisteme mbrojtëse raketore, e po ashtu dhe tanke T-90.

Pozicionimi në të njëjtin front në krizën siriane e ka bërë më të ngushtë bashkëpunimin mes Rusisë dhe Iranit. /tesheshi.com/   

Related posts